Rinia është e rrezikuar seriozisht nga narkotikët

  • 28 July 2016 - 19:34
Rinia është e rrezikuar seriozisht nga narkotikët

Përdorimi i narkotikëve nga të rinjtë përbënë një shqetësim serioz për shoqërinë tonë. Rastet e evidentuara duhet të trajtohen seriozisht, ndërkohë që duhet të punohet më me përkushtim në parandalim e kësaj dukurie vrastare. Institucionet përgjegjëse dhe shoqëria, në përgjithësi, duhet ta marrin sa më seriozisht këtë problematikë, e cila po sfidon njerëzimin e në veçanti rininë, nëse duam të ardhme më të shëndetshme. Kjo ishte kërkesë e pjesëmarrësve të një debati të organizuar Këshilli i Veprimit Rinor Lokal në Gjilan, në bashkëpunim me OJQ-në "Labyrinth" nga Prishtina e Gjilani, në kuadër të projektit "Rini e shëndoshë - Shoqëri e shëndoshë", i cili është mbështetur nga Bashkimi Evropian, nën moton "Parandalimi i transmetimit të HIV-it dhe përdorimit të drogave në mesin e popullsisë rezidente në zonën ndërkufitare", shkruan gazeta Kosova Sot.

U tha se parandalimi dhe mospërdorimi i drogave nga të rinjtë dhe po ashtu parandalimi i transmetimit të HIV-it janë çështje thelbë- sore të një shoqërie të shëndoshë. Pjesëmarrësit në këtë tryezë debatuan rreth problemeve dhe sfidave që kemi si shoqëri për këtë çështje me qëllim që të nxirren konkluzione lidhur me atë se si ta ruajmë pasurinë e vendit, rininë e Kosovës, respektivisht edhe rininë e Gjilanit. U sugjerua dhe u dhanë ide të ndryshme që shoqërinë, rininë e vendit ta mbajmë sa më larg dukurive dhe sëmundjeve që janë lehtësisht të bartura.

Duhet të angazhohen edhe psikologët

Jeton Veliu, nga "Labirinth" - Gjilan, ka shpjeguar se si trajtohen personat e varur nga përdorimi i narkotikëve. Ai ka thënë se shërbimet janë falas, ndërsa ruhet anonimiteti dhe konfidencialiteti i të trajtuarve. Ai ka kërkuar që të angazhohen të gjithë mekanizmat që merren me këtë çështje, për të bërë edhe parandalimin e kësaj dukurie vrastare, duke nënvizuar shembuj të përdorimit të narkotikëve edhe nga 12- vjeçarët. Veliu ka kërkuar të punohet më shumë nga prindërit, shkollat dhe institucionet përkatëse në këtë drejtim, ndërsa ka përmendur bashkëpunimin e mirë që kanë me organizma të tjerë, përfshirë edhe Qendrën "Labirinth" dhe Policinë e Kosovës. Sipas tij, ka nevojë për programe afatgjate në trajtim, po edhe në preventivë, për t'u luftuar kjo dukuri negative për rininë dhe shoqërinë në përgjithësi. Fisnik Muji është interesuar për kriteret që ka qendra "Labirinth"në pranimin të personave të varur nga substancat narkotike, kurse Selim Daku tha se e sheh të nevojshme që të ketë sa më shumë fushata avokuese, të punohet sidomos nëpër shkolla, të rritet përfshirja e të rinjve nëpër aktivitete. Po ashtu, duhet që edhe psikologët dhe ekspertë të tjerë nëpër shkolla të punojnë në edukimin formal mbi këtë çështje.

Të prekurit nga drogat kanë nevojë për ndihmë 

Jeton Limani nga Policia e Kosovës, shef i Njësisë kundër narkotikëve, tha se policia e bën punën e saj, duke kapur e arrestuar shkelësit e ligjit. Ka njësi që marrin pjesë aktive edhe nëpër debate, me ligjërata, me prezantime të ndryshme nëpër shkolla kundër kësaj dukurie, me qëllim vetëdijesimi të të rinjve. Ai ka kërkuar rol më të madh nga prindërit, ngase familja është hallka kryesore që parandalon një të ri që të mos bie pre e përdorimit të narkotikëve. Shkëlqim Limani nga "Labirinth" ka dhënë statistika nga Qendra e luftës së prokurorisë dhe gjykatave kundër shitësve dhe prodhuesve të narkotikëve. Ai tha edhe se të varurit nga përdorimi i narkotikëve nuk duhet stigmatizuar, por ndihmuar, ndërkohë që duhet të punohet në preventivë,nëpërmjet familjes e shkollës, ku duhet të përfshihen profesionistë.

Edhe institucionet e tjera duhet ta luajnë rolin e tyre. Veton Nevzadi ka kërkuar pjesëmarrje dhe koordinim të më shumë faktorëve për trajtim dhe parandalim të kësaj dukurie tek të rinjtë dhe është interesuar për programe afatgjate që do trajtojnë këtë çështje. Ismet Azizi ka kërkuar që në shkolla të krijohen ekipe mësimdhënësish që do të trajnohen për këtë çështje e që pastaj të punojnë me nxënës, për t`i vetëdijesuar ata. Veton Uka tha se shkolla mund ta luajë një rol të madh në parandalimin e të rinjve që të mos bien pre e përdorimit të narkotikëve. Edhe Genc Mustafa, Fatlum Agushi, Albim Isufi e të tjerë kanë dhënë kontributin e tyre në trajtimin e këtij problemi, që paraqet një të keqe të madhe për rininë dhe shoqërinë në përgjithësi. 

(Kosova Sot)