Forcat progresive ta shpëtojnë shtetin

  • 28 July 2016 - 07:55
Forcat progresive ta shpëtojnë shtetin

Kosovës i duhet qeverisje e meritorëve.

"Po, tani po shihet që e vetmja rrugë për të ndërruar këtë klasë politike të degjeneruar dhe materializuar deri në fund, është që klasa intelektuale dhe biznesi i ndershëm të bëhen bashkë për të sjellë ndryshimin rrënjësor me alternativë të përshkallëzuar për ndryshime pozitive", theksoi Blerim Burjani,raporotn Gazeta Kosova Sot

F utja e vendit në krizë të thellë politike e zhvillimore nga kjo klasë politike, që po qeveris me vendin tash e 17 vjet, me rrotullime të ndryshme herë në pozitë dhe në opozitë, sipas analistëve politikë, po bën që me vonese të madhe, por gradualisht dhe shumë sigurt të ngrihet gatishmëria e forcave progresive, vullneti dhe vetëdija e inteligjencës dhe individëve me vlera morale e profesionale në shoqëri, si kuadro eminente, që të përfshihen në politikë për ta ndryshuar mentalitetin e partive, që gati për dy dekada e lanë Kosovën në qorrsokak. Analisti politik, Blerim Burjani, tha për "Kosova Sot" se tani më qytetari ka filluar të bindet se duhen ndryshime serioze, por nga ana tjetër edhe inteligjenca dhe shoqëria civile po përgatiten të ofrojnë alternativë të re për ndryshime, sepse kjo klasë politike është tej konsumuar dhe nuk mund të ofrojë në asnjë mënyrë perspektivë dhe ndryshime pozitive, derisa në vazhdimësi ka prodhuar kriza dhe e ka frenuar në ekstrem zhvillimin e vendit, me pasoja të pa riparueshme për qytetarin. "Po, tani po shihet që e vetmja rrugë për të ndërruar këtë klase politike të degjenuar dhe materializuar deri në fund, është që klasa intelektuale dhe biznesi i ndershëm të bëhen bashkë për të sjellë ndryshimin rrënjësorë me alternativë të përshkallëzuar për ndryshime pozitive", theksoi ai. 

Shteti ka stagnuar Sipas Burjanit, po shihet qartë që këta që tani janë në pushtet, kush në atë lokal e kush në pushtetin qendror, këta si klasë politike nuk kanë as kapacitete më të mëdha, por as kapital profesional e moral për të udhëhequr tutje në politikë dhe zhvillim të vendit. Kjo klasë politike ishte totalisht e paaftë në qeverisje, për çka u dëshmua për 16 vjet e më shumë që lamë pas. "Pas shpalljes së pavarësisë së vendit po kjo klasë politike u dëshmua në mënyrë të veçantë për dështimin më të madh të vetëqeverisjes funksionale si shtet i ri, u dëshmua tepër e dështuar edhe për të udhëhequr bisedime serioze në interes të fuqizimit të shtetit, për të bërë diplomaci ofensive dhe për ta bërë një shtet të zhvilluar ekonomikisht. Të gjitha këto parti politike e bënë shtetin pronë të interesave të tyre, një mish mash të madhe, si thotë populli e bën ,,rrush e kumbulla", duke u shndërruar në grupe mashtruese klienteliste dhe duke përfituar në emër të besimit e të votës së qytetarëve", tha Burjani. "Pra, koha po ecën e shteti ka stagnuar deri më tani shumë me një politikë që u ngjason sistemeve feudale, politikë e çakorduar me krim dhe mungesë të barazisë para ligjit", tha analisti Blerim Burjani.

Nismat e sinqerta të mirëseardhura Optimistë për afrimin e kohës së ndryshimeve është dhe prof Mazllum Baraliu. Ai thotë se disa iniciativa të reja politike që po artikulohen kohëve të fundit janë mundësi reale e grupimit të forcave progresive dhe inteligjencës së pa konsumuar për ndryshime seriozë në shoqëri, në politik bërje të re për interesin e vendit. "Tani ne kemi këto ditë iniciativa të reja, është formuar së fundi këto ditë dhe një subjekt i ri politik me njerëz të rinj, është rasti i formimit të subjektit më të ri politik, Përkujdesja Kombëtare, që është një subjekti i ri sui generis, i cili do të thosha që paraqitet si një nga iniciativat më serioze qytetare dhe intelektuale, me siguri që në horizont ka dhe do të ketë edhe iniciativa të tjera të reja, sikur që dihet edhe iniciativa në vijim e disa deputetëve të opozitës, sikur ishte iniciativa me rastin e deputetit Ilir Deda dhe të tjerë, apo edhe njerëz të tjerë nëpërmes shoqatave të ndryshme qytetare, që janë të interesuar të ndërmarrin diçka për ndryshime pozitive dhe të dalë nga kjo gjendje amullie", tha prof. Baraliu. Sipas tij, intensifikimi i daljes së nismave të reja politike si alternativa të pashfrytëzuara të inteligjencës dhe forcave të tjera progresive mund të ndodhin me kohën me ofrimin e sinjalit për të pasur më shpejt zgjedhje të reja për nivelin qendror, kur ato duhet të dalin me programet konkrete dhe të përgatiten edhe për regjistrim në KQZ.

Thyerja e monopolit politik, e vështirë Mirëpo, nga një optimizëm i tillë për ndryshime të shpejta, rezulton të jetë shumë i përmbajtur analisti politik Fadil Lepaja, pasi që fillimisht monopoli i subjekteve të mëdha politike është shumë i madh dhe vështirë i thyeshëm në këtë situatë të tanishme, kur edhe elektorati është shumë i instrumentalizuar nga partitë e mëdha politike, dhe njëkohësisht nuk ka as interes të jashtë, - ndërkombëtar për të bërë ndryshime të mëdha në skenën aktuale politike të Kosovës. "Nuk shoh, aktualisht hapësirë për ndonjë subjekt të ri politike. Arsyet janë të thjeshta, nuk ka ndonjë grup interesi, as ndonjë fuqi të jashtme për ndryshime serioze. Në planin global dhe regjional janë, duke ndodhur ri rreshtime, dhe lojtarët lokal, ende po i kryejnë detyrat për çka përkrahen, ose janë formuar. Nuk ka ndonjë ide të re, apo projekt të ri, të cilin do të kërkohej edhe një forcë e re politike. Partitë ekzistuese kanë pësuar ndryshime të caktuara, por jo esenciale. Pra, fuqitë reale nuk e ndiejnë nevojën e një subjekti të tillë", tha prof. Lepaja për "Kosova Sot"

 

(Kosova Sot)