Aktakuzat e dobëta shpëtojnë 'peshqit e mëdhenj'

  • 29 July 2016 - 07:34
Aktakuzat e dobëta shpëtojnë 'peshqit e mëdhenj'

Drejtësia e kapur, shteti i kriminalizuar

Gjykata Speciale shihet si mundësi e mirë 

Sipas disa analistëve dhe politikanëve, mungon forca dhe guximi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe drejtësisë në vend për t'u marrë me gjëra të mëdha, siç janë të ashtuquajturit 'peshqit e mëdhenj'. As EULEXi nuk ka arritur të tregojë rezultate serioze

Shumica e aktakuzave të ngritura që nga paslufta, por edhe tani janë larg qëllimit të kapjes së të ashtuquajturve "peshqit e mëdhenj", që kryesisht vijnë nga spektri politik. Në këtë drejtim njohësit e kësaj fushe thonë se një kontribut për të keq e ka dhënë edhe drejtësia ndërkombëtare, që ishte dhe vazhdon të jetë me mision në Kosovë. Ndaj, është shtuar dilema se përse këto aktakuza që po ngriten, rëndom janë të tilla që e pësojnë zakonisht peshqit e vegjël derisa ata të mëdhenjtë shpëtojnë, "pa therrë në këmbë"?. Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se aktakuzat e caktuara po ngriten, por, sipas tij, tek to shpeshherë mungojnë faktet, të cilat janë të vështira për t'u gjendur, pasi siç tha, të gjitha manipulimet dhe mashtrimet janë bërë në emra të të tjerëve. Andaj, në këtë aspekt është shumë e vështirë që Prokuroria të gjejë fakte, ani pse është e interesuar, por që të dhënat e tilla i posedon EULEX-i deri në një masë, si dhe disa ambasada në Kosovë", shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Oligarkët e zhytur

Burjani në këtë aspekt ka nënvizuar se deri më tani ka pasur probleme të theksuara për të gjetur prova për një numër të madh të zyrtarëve politikë, të cilët cilësohen si të ashtuquajturit 'peshqit e mëdhenj'. "Pra, përplot politikanë dyshohet se janë të zhytur në këto gjëra, por që vështirësitë qëndrojnë tek hulumtimi dhe gjetja e provave të sakta, përkundër asaj se EULEX-i i ka disa nga provat e mundshme, të cilat mund të shërbejnë", është shprehur Burjani. Analisti Shefqet Dibrani thotë se arrestimet e ditëve të fundit dhe marrja në pyetje e zyrtarëve politikë flasin për zhvillime pozitive dhe, sipas tij, janë shenja inkurajuese se Gjykata Speciale veçse ka nisur të veprojë, duke shtuar se pavarësisht asaj se kjo e fundit mund të hasë në pengesa nga oligarkët politikë të involvuar në krim dhe kriminalitet, madje ku disa prej tyre dyshohet se janë bosët e krimit ekonomik dhe atij politik, Dibrani shpreson se ajo nuk do të ndalet. "Por, në këtë aspekt janë edhe mediet e shumta në Kosovë, pastaj shoqëria civile, si dhe njerëzit e ndërgjegjshëm, që duhet të ngrehin zërin e tyre në mbështetje të drejtësisë, e cila ka nevojë edhe për inkurajim qytetar". Më tej, Dibrani ka bërë një krahasim të krimeve ekonomike, që janë bërë me ato të luftës, duke thënë se krimi mbetet krim, sikurse vrasja me plumb ashtu edhe vrasja duke ia marrë kafshatën e gojës qytetarit, ngase, sipas tij, të dyja përfundimin e kanë të njëjtë, por siç thotë ai, i vetmi dallim është se e para kryhet shpejt, ndërsa e dyta zvarritet deri në pakufi, me ç'rast kjo shkakton edhe vuajtje dhe trauma tek qytetarët.

Krimi ekonomik, vazhdimësi e krimit politik

"Krimi ekonomik që ka pasuar pas luftës në Kosovë është vazhdimësi e krimit politik, që ka ndodhur gjatë luftës, dhe rrjedhimisht ne jemi dëshmitarë se në saje të krimit ekonomik, sot kemi një shoqëri të sëmurë në të gjitha aspektet. Pastaj po ashtu në saje të këtij krimi ekonomik, sot kemi një shoqëri përplot me grada akademike, por me një nivel tmerrësisht të ulët në aspektin arsimor. Pra, krimet që janë bërë gjatë luftës kanë vazhduar me krime të pasluftës për të futur panik dhe për ta vazhduar krimin ekonomik, i cili është i pallogaritshëm dhe me pasoja tragjike". Kësisoj, Dibrani mendon se presioni nga bashkësia ndërkombëtare ka qenë prezent edhe më parë, por që ai kohëve të fundit është shtuar edhe ndaj zyrtarëve të lartë politikë. Kryetari i Grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka bërë me dije për gazetën "Kosova Sot" se këtu mungon forca dhe guximi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe drejtësisë në vend për t'u marrë me gjëra të mëdha, siç janë të ashtuquajturit 'peshqit e mëdhenj'. Sipas tij, kjo mosgatishmëri dhe mosguxim për t'u marrë me çështjet e kësaj natyre, është evidente si nga ana e EULEX-it, por edhe nga drejtësia vendore.


Nevojitet reformë e thellë

"Andaj, mendoj se në këtë drejtim vendit tonë i duhet një reformë e thellë, në mënyrë që si rrjedhojë të kemi gjyqtarë të guximshëm, po ashtu prokurorë të guximshëm që të luftojnë për çdo ditë krimin e organizuar dhe korrupsionin aq të lartë në vend", ka theksuar Lekaj. Avokati Tomë Gashi tha se kjo po ndodh, për shkak se misioni i EULEX-it ka bashkëjetuar me të ashtuquajturit, 'peshqit e mëdhenj', por që ata në esencë janë politikanë të niveleve të larta. Kësisoj, sipas tij, nëse këta të fundit kanë qenë të involvuar në afera korruptive, që është krim, atëherë është dashur që të njëjtët të hetohen nga misioni i EULEX-it, ngase siç tha "Qëllimi i misionit të EULEX-it si mision i huaj ka qenë këtu kinse për atë se vendorët nuk mund të merren me ndjekjen penale apo me gjykimin e hierarkisë së lartë shtetërore apo udhëheqësve, apo njerëzve të fuqishëm".  

(KOSOVA SOT)