Ekskavatorët fikeshin kur deshën ta rrënonin “Teztyrben”

  • 21 August 2016 - 09:54
Ekskavatorët fikeshin kur deshën ta rrënonin “Teztyrben”

Arife Ramadani: Këto varre kanë forcë të shërojnë shumë sëmundje

 “Një kushërirë imja kishte humbur të parit. Kur erdhëm këtu edhe i lamë disa nezra, besoni asaj si me dorë iu qel shikimi dhe sot e kësaj dite tani e 20 vjet ajo sheh dhe bile as syze nuk bart", tregon për gazetën qytetari Agim Berisha,raporotn Gazeta Kosova Sot

Kur ishte ndërtuar "Teztyrbja" në vitet '50-ta të shekullit XX, pranë namazxhahut në qytetin historik të Prizrenit, është shfrytëzuar materiali guror i namazxhahut. Sikurse gjatë ndërtimit të depos, ashtu edhe gjatë ndërtimit të ambulancës, e cila është ndërtuar gjatë viteve 80-ta të shekullit XX, janë shkatërruar varrezat e vjetra që ishin përreth namazxhahut ashtu që tani aty kanë mbetur vetëm dy-tri sosh që tani janë shndërruar në tyrbe.“Teztyrbja” tani vizitohet nga shumë besimtarë. Prizrenasit këtë vend e kanë si një pikë referuese për të shëruar disa dhjetëra sëmundje dhe qytetarët besojnë se kjo është ndër tyrbet shumë të fuqishme. Bile në Prizren thuhet se në vitet e mëvonshme komunistë e këtij qyteti menduan që ta heqin atë tyrbe nga aty. Ramadan Gashi, ish- punëtor në kompaninë ndërtimore "Ramiz Sadiku", tregon për gazetën se disa herë kanë tentuar me ekskavatorë të rrafshojnë këta gurë, porse ata nuk punonin dhe fikeshin. “Kjo na shqetësoi dhe pastaj ka ardhur drejtori i kësaj kompanie, asokohe serb, dhe na urdhëroi që të mos vazhdohet. Që atëherë e di forcën e kësaj tyrbe të shenjtë", tregon ai për gazetën "Kosova Sot”.


 Shenjëtaria e "Teztyrbes" njihet në gjithë Dukagjinin
     
Pronarët që përkujdesen për këtë tyrbe nuk deshën të flasin për atë se çfarë ndikon nezra që lënë qytetarët me pretekstin se ata vetëm përkujdesën për pastërtinë e saj, por thanë se banorët e konsiderojnë si vend të shenjtë dhe i besojnë shumë. Ata treguan se këtu sjellin nezra për gjetjen e fatit, vajza e djem, pastaj kur dikush udhëton nezra në këtë tyrbe u bëhet një përcjellëse e sigurisë. Ata thanë se forca e kësaj tyrbe ka bërë shumë mrekulli te qytetarët, jo vetëm të Prizrenit, por edhe gjithë Dukagjinit.
Arife Ramadani tregon se kjo tyrbe është tyrbja më e fuqishme në botë, beson në atë dhe lutet shpeshherë. “Këto varre dhe kjo tyrbe ka forcë të ndihmojë në sëmundje të shumta. Mua më ka ndihmuar për vajzën time, e ka zgjuar nga shtrati. Besoni pas intervenimit në Turqi në spitalet më të njohura ajo që nuk është bërë më mirë, kurse nezrat e këtushme e kanë ngritur vajzën time. Unë di më shumë se dhjetë raste të shërimit që u ka ndihmuar kjo tyrbe”, është shprehur ajo.

Komunistët nuk mundën ta prishin tyrben Arife Ramadani tregon se aty vendoset nezra dhe puthet guri dhe "shëndeti është më ty për një vit". Afërdita Sylejmani, e cila të shtunën po vizitonte këtë tyrbe, kishte ardhur nga Gjermania dhe së pari këtu bëri lutjen e pastaj tha se do të shkojë në shtëpi. Agim Berisha tregon se kjo tyrbe është aq e fuqishme saqë në vitin 1945 u munduan ta rrënojë komunistët por nuk arritën ta prishin dhe kjo tyrbe edhe në atë sistem qëndroi dhe ishte vend për lutje. Berisha nga Prizreni shprehet për gazetën se në këtë vend të shenjtë shërohen shumë sëmundje. "Unë po e veçojë faktin se një kushërirë e imja kishte humbur të parit. Kur erdhën këtu edhe i lamë disa nezra, besoni asaj si me dorë iu qel shikimi dhe sot e kësaj dite tani e 20 vjet ajo sheh dhe bile as syze nuk bart", tregon ai. Kurse shumë prizrenas flasin me admirim dhe luajnë nga vendi sa herë përmendet "Teztyrbja", sepse forca e besimit të saj njihet kudo dhe shumë familje mendojnë se kanë përfituar shumë kur e kanë vizituar tyrben. Njëri ndër njohësit më të mirë të trashëgimisë së Prizrenit, Muhamet Shukriu, ka shkruar se Namazxhanu në popull njihet edhe si "Kërëk Xhamia", që do të thotë Xhamia e Thyer. Së bashku me ambientin përreth, Namazxhahu paraqet një monument me rëndësi historike. Namazxhahu, ku gjendet edhe tyrbja në fjalë, gjendet në anën veriperëndimore të Prizrenit apo përballë stacionit të autobusëve të Prizrenit. Fjala namazxhah rrjedh nga fjala persiane, që do të thotë "vend për falje -lutje".

(Kosova Sot)