U vdiq babai, katër fëmijët rropaten pa kushte

  • 28 August 2016 - 15:27
U vdiq babai, katër fëmijët rropaten pa kushte

VLORA KAMBERI: Kam kërkuar punë gjithandej, por kot, nuk punësohesh pa pasur lidhje.

"Bashkëshorti na la dhe iku herët. Na la keq edhe me idare. Ne jemi mobilizuar të mos mbesim barrë e dikujt tjetër, por më kot. Po nuk pate lidhje familjare apo partiake nuk arrin deri te një vend pune, prandaj edhe vajzat nuk po arrijnë të gjejnë një vend pune. Kemi mbetur me këtë ndihmë sociale si mos më keq", është shprehur Sebahate Kamberi,raporton Gazeta Kosova Sot 

F amilja gjashtë anëtarëshe Kamberi nga fshati Pantinë, komuna Vushtrrisë, po jetojnë në kushte të vështira ekonomike. Familja nuk ka kurrfarë të ardhurash, përveç një ndihme sociale në vlerë prej 105 eurosh, ndërsa e zënë ngushtë ndodhet e zonja e kësaj shtëpie, Sebahate Kamberi, nënë e tri vajzave dhe një djali. Për më shumë, kjo zonjë, nënë e katër fëmijëve, shprehet se fëmijët e saj po i rriten pa kushte. Ajo ka njoftuar edhe për një ndodhi tragjike kur i kishte humbur bashkëshorti i saj vite më parë. "Përveç që na la dhe iku herët, na la keq edhe me idare", u shpreh ajo, duke shtuar se po të ishte i gjallë bashkëshorti i saj sigurisht se nuk do të vinim në këtë gjendje. "Ai tashmë nuk është e ne jemi mobilizuar të mos mbesim barrë e dikujt tjetër, por më kot. Po nuk pate lidhje familjare, apo partiake, nuk arrin deri tek një vend pune, prandaj edhe vajzat nuk po arrijnë të gjejnë një vend pune. Kemi mbetur me këtë ndihmë sociale si mos më keq", është shprehur Sebahate Kamberi.

"Dua ta ndihmoj nënën, por nuk kam si" Me ndihmën sociale përpiqen të sigurojnë miell, bukë dhe gjërat më elementare për jetë, por shpesh nuk arrijnë t'i përmbushin as nevojat minimale të familjes. "Shpesh mbesim edhe pa gjerat më elementare për jetë. Prandaj, po më dhimbsen fëmijët, të cilët po rriten në këto kushte ", ka theksuar ajo. Barra e familjes duket t'i kishte rënë mbi kokë edhe vajzës së madhe Vlorës, e cila thotë se e ka ndërprerë shkollimin pikërisht në mungesë të kushteve. "Kam kërkuar punë gjithandej, por kot. Askush nuk të ndihmon pa pasur ndonjë lidhje. Dua t'i ndihmoj familjes, të liroj pak nënën nga ajo barrë e rëndë që mban pikërisht në mungesë të parave, por nuk po ia dal, sepse askush nuk po më ofron ndonjë vend pune", theksoi ajo. Gjersa mijëra shkollarë kanë filluar përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, nënës së katër fëmijëve, Sebahate Kamberit iu ka shtuar edhe një hall më shumë, se si t'i siguroj pajisjet për shkollë për djalin e vetëm, Milotin. 

Shpresat janë sosur Edhe vetë Miloti 13- vjeçar kishte nisur t'i kuptojë kushtet e rënda me të cilat familja e tij përballet. Por, mbi të gjitha, Miloti po ëndërronte një shtëpi më të mirë, ani pse axhallarët e tij u kishin ndihmuar ta ndërtonin. Vlora e plotëson Milotin duke na bërë me dije se shtëpia është e mirë, por brenda saj ka nevojë shumë për të investuar. Thekson se edhe pse është e re ka lagështi brenda dhe ka më shumë nevojë për ta mbushur me mobile të reja. "Muret janë, por po e shihni brenda është e zbrazët. Ka nevojë për gjera të reja, kurse ne nuk kemi mundësi t'i blejmë ato", ka pohuar ajo. Ndryshe, fjalët e Vlorës ishin të pakta për të përshkruar mungesën e gjithçkaje në këtë shtëpi. Mungonin pothuajse të gjitha orenditë. Madje, nga mospërfundimi i shtëpisë, ajo ishte kapluar nga myku dhe lagështia. Andaj, më shumë se kurrë kishin nevojë për të bërë investime. Familja vërtet nuk kishin mundësi të intervenonin dhe shpresat për ditë më të mira ishin sosur. Andaj, për të gjithë ata të cilët kanë mundësi t'i ndihmojnë familjes në fjalë, këtë mund ta bëjnë duke thirrur në numrin e telefonit:045 367 695. 

(Kosova Sot)

Image