Në Gjakovë ruhet varri i vjetër rreth 450 vite i nënë Zojës

  • 28 August 2016 - 20:26
Në Gjakovë ruhet varri i vjetër rreth 450 vite i nënë Zojës

"Një popull pa të kaluar nuk mund ta ketë as të tashmen e as të ardhmen e ndritshme". Është kjo një thënie e njohur popullore të cilën shumë herë deri më tash e kemi dëgjuar. Pavarësisht peshës së pakontestuar të kësaj thënie, sjelljet tona nuk janë gjithnjë në përputhje me atë, bile ato shpesh i ngjajnë "parimit" të paqëndrueshëm se "Me mua ka fillua çdo gjë"! Kështu sillen politikanët tanë, që mbase nuk është për t'u befasuar, kur çdo ditë e më shumë po bindemi për nivelin e tyre! Por, fatkeqësia qëndron në faktin se ka raste që kështu të sillen edhe profesorët, bile edhe ata të historisë, të cilët do të duhej të jenë shembull për respektimin, ruajtjen dhe kultivimin e të kaluarës por që, ndodh edhe të mos jenë. Për fat të mirë, ka edhe raste që flasin ndryshe, kur e kaluara ruhet me fanatizëm, si dëshmi e autenticitetit tonë në këto troje, të cilin, armiqtë, vazhdimisht kanë dëshiruar dhe provuar të na mohojnë, por fatbardhësisht, nuk ia kanë dalë, shkruan gazeta Kosova Sot.

Njeriu që ndërtoi xhami por edhe bibliotekën dy herë më të madhe

Rastet kur e kaluara ruhet e kultivohet me kujdese fanatizëm, meritojnë të afirmohen. Një nga ato padyshim është edhe rasti i ruajtjes së një varri të vjetër rreth 450 vite që ka ndodh në komunën e Gjakovës. Më saktë- sisht, kjo ka ndodh në fshatin Guskë të kësaj komune. Në fakt, njohësit e historisë së Gjakovës, një ndër qytetet jo aq të vjetra të Kosovës(rreth 500 vite), e dinë se themelet e këtij qyteti i kishte vendosur Jak Vula, prej të cilit, edhe qyteti, për një kohë të gjatë (deri në shekullin e nëntëmbëdhjetë) e ka bartur emrin Jakovë. Mirëpo, po ashtu sipas historianëve, ishte Hadum Aga themeluesi i institucioneve të para publike të këtij qyteti. Dhe, varri, që është më i vjetri i ruajtur në këtë komunë dhe që thuhet se i ka rreth 450 vite, është i nënës së Hadum Agës, Zojës. Për Zojën nuk dihet edhe aq shumë, por për djalin e saj Sylejman Hadum Aga, dhe kontributin e madh që e ka dhënë, po. "Sipas dëshmive historike, kjo familje në Guskë ka ardhur nga fshati Voksh dhe i ka takuar fisit Thaqi. Djali i kësaj familjeje, Hadum Aga, ka qenë shumë i talentuar, prandaj është dërguar për shkollim në Stamboll, ku e ka arritur gradën Hadum, apo siç thuhet shpesh Hadim, e kjo donë të thotë shërbyes i lartë, i shkallës së tretë", shpjegon njëri ndër njohësit më të mirë të historisë së Gjakovës, profesori universitar Masar Rizvanolli. Sipas tij, më vonë (në shekullin 16-të), Hadum Aga ka qenë themelues i institucioneve të para publike në Gjakovë. "Hadum Aga ka ndërtua Xhaminë e Hadumit (njëra prej xhamive më të njohura në Gjakovë dhe jo vetëm) hanin dhe hamamin. Në fakt, për këto është ditur edhe më herët, por, sipas shënimeve të gjetura të Teqenë e Shehj Banit, ai ka ndërtuar edhe bibliotekën që ka qenë dy herë më e madhe se xhamia dhe institucione të tjera, të parat institucione publike në Gjakovë", ka shpjeguar Rizvanolli.

Familjet katolike kujdesen për varrin e myslimanes

Duke folur për kontributin e Hadum Agës, profesor Rizvanolli thirret edhe në shkrimet e profesorit të Universitetit të Hauardit, Ridel Majer. "Majer thotë se prej asaj kohe ka nisur edhe zhvillimi i Gjakovës. Misioni i Hadum Agës duhet të vazhdonte edhe më tej, por ishte ndërprerë, pasi ai kishte ndërrua jetë në qytetin e vjetër turk Adrianopojë, ku edhe sot e kësaj dite gjendet varri i tij". Në ndërkohë, për varrin e nënës së Hadum Agës, Rizvanolli thotë se ai e dinte përafërsisht se ku gjendej, por nga frika se dikush do ta asgjësonte tërësisht, nuk ka treguar interesim të theksuar më herët, dhe këtë ka filluar ta bëjë vetëm në vitin 2000 e këtej. "Ky varr, gjatë këtyre shekujve, është ruajtur brez pas brezi nga banorët e fshatit Guskë, të cilët kujdesen për të edhe sot e kësaj dite. Për këtë kanë merita të mëdha shumë familje të këtij fshati, të cilave nuk u ka penguar që janë të besimit katolik, që ta ruajnë një varrë të një myslimaneje, që është edhe një dëshmi shumë e fortë për tolerancën dhe bashkë- jetesën ndërfetare në këto troje dhe në tërë shqiptarinë" qartëson Rizvanolli, duke përmendur se, megjithatë, për këtë punë duhet veçuar familjen Dedaj të Guskës, e cila brez pas brezi e ka ruajtur këtë varrë.

Dëshmi e fortë e autenticitetit tonë në këto troje

Anton Dedaj, njëri prej pjesëtarëve e brezit më të ri të familjes Dedaj, në afërsi të pronës të së cilës gjendet ky varr, thotë se e gjithë familja e tyre, me shekuj, është kujdesur që ky varr të mos dëmtohet, të mos humbet. "Jo vetëm pse na kanë thënë paraardhësit tanë por pse e dimë edhe vetë se sa e rëndësishme është të ruhen varret e të parëve tanë, këtë traditë po e vazhdojmë edhe ne, më të rinjtë. E kishim për nder të veprojmë kështu", ka thënë Antoni, duke shtuar se "Nga gjyshi kam mësuar se varri është i nënës së Hadum Agës. Pas gjyshit, për të, me dekada është kujdesur edhe baba. Shpesh ka shkua dhe e ka rregullua varrin", shpjegon Dedaj. Falë këtij kujdesi, varri i Zojës, nënës së Hadum Agës, është ruajtur tash e rreth 450 vite, ndërsa, kohë ma parë, me iniciativën dhe angazhimin e shoqatës së intelektualëve "Jakova", ky varr, që gjendet i rrethuar me drunj, është meremetua dhe tash ka marrë pamje krejtësisht të re. "Ky varr është edhe një dëshmi shumë e fortë materiale se shqiptarët kanë jetuar gjithnjë në Kosovë dhe forcon tezat për autoktonin shqiptare në këto troje ndërsa hedhë poshtë ato serbe që vazhdimisht kanë pretenduar dhe vazhdojnë të pretendojnë, për fat të mirë pa sukses, se është  ndryshe", ka thënë Masar Rizvanolli.

(Kosova Sot)