Askush nuk kujdeset për Tyrben e Kalanderit

  • 28 August 2016 - 20:32
Askush nuk kujdeset për Tyrben e Kalanderit

Në afërsi të Gjimnazit në Prizren ekziston një objekt i vjetër që njihet si Tyrbja e Kalanderit, por për këtë objekt tani e një kohë të gjatë nuk tregohet përkujdesje. Për njerëzit e mirë të këtyre anëve qarkullojnë histori të ndryshme të veprave që kanë bërë kur ishin gjallë. "Një kujtim i këtillë mbahet mend edhe për Tyrben e Kalanderit", tregon profesor Sylejman Randobrava. Kalanderi ishte një person i përkushtuar në rrugën e Zotit, që kishte hequr dorë nga të mirat e kësaj bote, për t'iu përkushtuar më shumë adhurimit të Zotit. Ai ishte një njeri që ndihmonte njerëzit me halle, kurse kishte ndihmuar edhe në shërimin e njerëzve. Edhe sot e kësaj dite, qytetarët besojnë se objekti që la ai trashëgim ka fuqi shëruese, shkruan gazeta Kosova Sot.

Lënia pas dore e objektit

Profesori Randobrava tregon se sipas asaj që thuhet në popull, sa ishte gjallë Kalanderi, apo baba Kalender, siç e quajnë në këto anë, ka shëruar qindra raste të kokëdhembjeve të mëdha, apo edhe probleme të tjera shëndetësore si dhimbjet e dhëmbit. "Kur dikujt i dhembte dhëmbi, ai thuhet se e ndihmonte me anë të lutjeve dhe i vendoste një pikë uji me çka edhe e shëronte", rrëfen profesori Randobrava, duke shtuar se populli vazhdon të besojë në fuqinë shëruese të tyrbes. "Tyrbja e Kalanderit, tani është në mes të sheshit në afërsi të Gjimnazit, por nuk ka përkujdesje dhe njerëzit më pak çojnë nezra. Dikur ajo konsiderohej tyrbe e fortë, si ajo e Lezit", tregon prof. Sylejman Randobrava. Ai rrëfen edhe traditën që u ushtrua me dekada, ku familjet në nevojë gjenin një lloj shpëtimi. "Aty merrnin pak dhe nga varri i tyrbes dhe e lidhnin rreth koke dhe i shpëtonin kësaj dhimbjeje të migrenës apo edhe dhembjeve të tjera", tregon ai. Tyrbja ka qenë destinacion edhe për të gjitha ato gra që nuk arrin të lindnin. Por, tyrbja që bënte "mrekulli" nuk arriti t'i shpëtojë stuhisë së komunizmit, dhe shpesh ajo është vandalizuar nga policia serbe. Megjithatë, ky objekt i ka shpëtuar dhëmbit të kohës. 

Vizitohen nga turistët e shumtë, por edhe nga besimtarët

Profesori Randobrava shprehet se tani ky objekt vizitohet qoftë nga vizitorë të huaj që janë kureshtarë për objektet e vjetra të kultit, apo edhe besimtarë të cilët ende besojnë në "magjinë" e tyrbes. "Këtu vijnë dhe kërkojnë shërimin dhe këtë pa medikamente e as pa ndonjë harxhim material e financiar", tregon një banor i lagjes, që nuk deshi të identifikohet. Kështu, ekziston edhe shprehja e urimit "Të ruajt tyrbja e Kalander Babës". Sipas banorëve, kjo tyrbe njihet edhe për largimin e shqetësimeve të ndryshme të njerëzve, mënjanonte rreziqet, konfliktet dhe ngatërresat në mes familjeve, shërimin kokëdhembje të mëdha etj. "Aty di se kanë gjetur shërim njerëzit e Prizrenit dhe më gjerë", tregon Musa Halili. Një prej tyre është familja e Ersan Gashit nga Prizreni, të cilët tregojnë se kanë gjetur shërim për një djalë të tyre tash gati burrë, shumë herë të sëmur nga sëmundja e epilepsisë. "Nuk kemi lënë vend e mjekë pa e pasur, së fundi dëgjuam se edhe në këtë tyrbe ku po u bënë mirë rasteve të këtilla. Mora gruan, vajzën dhe e dërgova djalin dy herë në atë tyrbe, tani e një vit asnjëherë nuk është sëmur. Kjo na ka bërë të lumtur gjithë familjen, sepse besoni nuk shkonte gati ditë pa u sëmur si në rrugë, në shkollë", rrëfen Gashi. Derisa në të kaluarën, për këtë tyrbe janë kujdesur familje të caktuara, tani e sa vite për këtë objekt nuk kujdeset askush, e as shteti. Prandaj banorët e zonës kërkojnë që institucionet shtetërore ta marrin atë në mbrojtje. 

(Kosova Sot)