Rugovasit admirojnë guximin dhe dinjitetin e deputetes Kadriu

  • 29 August 2016 - 07:34
Rugovasit admirojnë guximin dhe dinjitetin e deputetes Kadriu

Në protestën e së shtunës, mesazhi kryesor nga protestuesit ishte drejtuar ndaj deputetëve të Parlamentit të Kosovës, që të mos e votojnë vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, sipas Komisionit shtetëror për Demarkacion, të prirë nga Murat Meha. Shallbarrdhët rugovas mallkonin të gjithë ata deputetë të Parlamentit të Kosovës, të cilët do të shkelin mbi betimin që kanë dhënë në Parlament në mbrojtje të Kushtetutës. Në anën tjetër, bekonin ata deputetë të pozitës, të pavarur dhe të opozitës që kundërshtojnë këtë Demarkacion të kufirit me Malin e Zi. Deputetja e pavarur, Margarita Kadriu, para pak ditësh ka bërë publik qëndrimin e saj lidhur me Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke thënë se nuk do të shkelë mbi betimin e dhënë prej deputeteje, dhe se do ta mbrojë integritetin dhe sovranitetin e Republikës se Kosovës. Ajo u ka bërë thirrje edhe deputetëve të tjerë, që të mos shkelin betim e dhënë, shkruan gazeta Kosova Sot.

Lajçi: "Zonja Kadriu dëshmoi se si ruhet dinjiteti i një deputeti"

Shumë nga protestuesit të shtunën në Pejë admiruan vendimin e guximshëm dhe të dinjitetshëm të deputetes së pavarur, Margarita Kadriu, e cila ka kërkuar krijimin e një komisioni të ri për të përcaktuar vijën kufitare me Malin e Zi, dhe ka kërkuar edhe nga deputetët e tjerë që të jenë përfaqësues të popullit. Ali Lajçi, ishdeputet i Parlamentit të Kosovës, dhe njëri ndër më të zëshmit dhe më aktivët në kundërshtimin e Demarkacionit, u shpreh për gazetën se vendimi i Zonjës Kadriu si deputete e pavarur është i drejtë dhe i pavarur i saj, ani pse, sipas tij, mund të ketë pasur tentime për ta bindur që të jetë pro kësaj marrëveshjeje. "Kjo deputete tregoi kurajën e saj, të cilën do të duhej ta kenë lakmi edhe deputetët e tjerë", vlerësoi Lajçi. Tutje Lajçi u shpreh. "Zonja Kadriu dëshmoi se si ruhet dinjiteti i një deputeti dhe obligimi që një deputet e ka ndaj betimit, që e ka bërë, kur e ka pranuar detyrën e deputetit të Kosovës. Unë e përgëzoj për kurajën e saj dhe porosinë që dha edhe ndaj deputetëve të tjerë që ta mbajnë premtimin e dhënë, ani pse mund të kenë presione të ndryshme". Analisti Jeton Kelmendi shprehu admirimin për vendimin autonom të zonjës Kadriu, duke i dëshiruar që të jetë shembull edhe për deputetët e tjerë se si mund të ruhet dinjiteti dhe pavarësia e mendimit dhe bindjes së deputetit, pa marrë parasysh se a ka apo nuk ka ngjyrime politike. "E çmoj një vendim të tillë të deputetes Margarita Kadriu dhe e uroj për kurajën e saj për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës, detyrë parësore që del nga betimi i një deputeti", është shprehur për gazetën analisti Jeton Kelmendi.

"E përgëzoj për vendimin e saj autonom dhe karakterin e fortë"

Sali Lukaj, ish-i burgosur politik dhe kundërshtar i madh i këtij Demarkacioni, është shprehur për deputeten Margarita Kadriu se do të duhej që të shërbente si shembull për deputetët e tjerë, e jo si disa, të cilët interesin e partisë e vënë para interesit të shtetit. "Gjaku nuk është ujë. Margarita është stërmbesë e Rugovës, e fshatit Shkrel, stërgjyshërit dhe gjyshërit e saj e kanë mbrojtur me gjakun e tyre kufirin me Malin e Zi. Edhe pa u deklaruar publikisht për votën e saj, kam qenë i bindur se mbesa e Rugovës nuk do t'i falë Malit të Zi tokë të këtyre Alpeve shqiptare", ka thënë për "Kosova Sot", Sali Luka. Dardane Kastrati, gazetare, thotë se deputeti e ka votën e popullit dhe duhet të votojë sipas interesave të tij. "Këtë e ka kuptuar me kohë dhe shumë drejt zonja Margarita Kadriu dhe unë si femër e përgëzoj për vendimin e saj autonom dhe karakterin e fortë. Ne femrat, jo rrallë po ju dëshmojmë se jemi një hap para meshkujve", është shprehur ajo. Ibër Nikqi, një shqiptaroamerikan, që po e kundërshton fuqishëm Demarkacionin e Komisionit shtetëror të prirë nga Murat Meha, është shprehur i lumtur, siç tha, se bijat e kësaj treve si Margarita Kadriu dhe të tjera po u dalin zot trojeve të Kosovës, duke e ngritur zërin e tyre dhe duke kundërshtuar me fuqinë e votës këtë demarkim. "Bravo Margarita, të lumtë", është shprehur Nikçi. Ndërsa Pren Marashi, nga OVL të UÇK-së, për vendimin e zonjës Kadriu për ta kundërshtuar Demarkacionin në Parlament, ka thënë se në luftën e UÇK-së djem e vajza kanë derdhur gjakun për liri dhe për ta ruajtur atë liri dhe këtë shtet të Kosovës kontribut të pashoq duhet të japin edhe gra e vajza që kemi. Margarita do të jetë shembull bashkë edhe me ato gra e vajza të tjera, që të mbrojnë çdo pëllëmbë të Kosovës që u la me gjakun e bijve dhe bijave më të mira të kombit. Shumë nga ta që thonë se janë burra duhet ta kenë lakmi deputeten Margarita Kadriun", është shprehur Marashi.

(Kosova Sot)