6 vjet heshtje e Prokurorisë për aferën "Pronto"

  • 29 August 2016 - 07:29
6 vjet heshtje e Prokurorisë për aferën

Analistë të politikës dhe fushës së drejtësisë shprehin habinë e tyre se pse iu deshën Prokurorisë së Shtetit që të presë 6 vjet pas kohës së përgjimeve të aferës "Pronto" dhe vetëm pas presionit të fuqishëm publik të vendosin për të filluar hetimet për këtë skandal. Ata shfaqin dyshimin e tyre se këto përgjime më së paku mund të dëmtojnë figurat kryesore politike dhe nëntokës kosovare, pasi prokuroria ka pasur dhe ka edhe përgjime të tjera shumë më të rënda e më kriminale që implikojnë klanin "Ponto", por dhe bizneset oligarkike, prapa të cilave qëndrojnë ata vetë. Thonë se po të mos ishin publikuar këto përgjime në mediet vendëse, sigurisht se edhe këto përgjime do të kalonin në heshtje dhe pa hapur as edhe një rast të vetëm. Për këto përgjime me kohë ishte njoftuar deri në detaje ish-kryeprokurori Ismet Kabashi, i cili përmes po aferave dhe protagonistëve "Pronto" ishte emëruar në krye të Prokurorisë së Shtetit që nga viti 2010". Madje, ka mendime të analistëve se vetë ish-kryeprokurori Kabashi me urdhër të grupit "Pronto" kishte bllokuar e mbyllur hetimet, kundërligjshëm dhe në dëm të interesave të qytetarëve dhe vendit, shkruan gazeta Kosova Sot.

Ata shprehën se edhe Kabashi duhet që të hetohet sa më shpejt nga Prokuroria e Shtetit për këtë rast dhe të gjitha rastet e tjera nga viti 2008-2014, porse ata pak besojnë se do të ndodhë kjo. Analistët janë skeptikë edhe nisjen e hetimeve dhe ngritjen e aktakuzave ndaj politikanëve të lidhur me nëntokën, për të cilët dihet fare mirë se realisht këta mafio-politikanë janë pronarët e vërtetë të disa kompanive super të mëdha oligarkike dhe mbi ligjin, të cilët kanë përfituar qindra miliona euro në kurriz të qytetarëve. Veç saj, ata thonë se nuk pritet që të zbardhet fytyra dhe identiteti i plotë i pronarëve të vërtetë të këtyre mafiooligarkëve dhe mafio-politikanëve, të cilët janë në kontakt të përditshëm me këta të ashtuquajtur biznesmenë, që kanë të gjitha monopolet dhe kanë monopolizuar tregun kosovar. Analistët shprehen se Prokuroria nuk do të ketë guximin që të bëjë aktakuzën e parë kundër mafio-biznesmenëve dhe mafio-politikanëve, figura të nivelit të lartë në Kosovë, të cilët realisht janë pronarët e këtyre bizneseve, që kanë marrë tregun kosovar në të gjithë sektorët më fitimprurës në Kosovë, madje edhe ato raste pa as edhe një investim nga ana e tyre. Gjithashtu analistët janë skeptikë se Prokuroria e Shtetit do t'i kërkojë gjykatës autorizimin për leximin dhe hetimin e të gjitha tabulateve të përmbajtjeve e bisedave telefonike të grupit 'Pronto' që i kanë pasur si zyrtarë të lartë publikë me mafio-oligarkët financiarë për zhvatjet e qindra milionave të shtetit, që nga viti 2007 kur kanë ardhur në pushtet dhe deri më sot. Vetëm një veprim serioz i prokurorisë do t'i detyronte oligarkët e vendit që të përballen me drejtësinë. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të Prokurorisë së Kosovës për këto çështje, gazeta nuk ka marrë përgjigje ditën e diel.

Musa: PSRK-ja ka kuadër dhe guxim të hetojë çdo rast

Avokati Skender Musa u shpreh për "Kosova Sot" se këto përgjime kanë qenë të marra nga një rast tjetër, që në tërësi kanë qenë përgjime të ligjshme dhe prokuroria ka pasur mundësi të sugjerojë hetimet edhe në kohën e hetimit të rastit konkret. "Nuk është për t'u befasuar nga mosreagimi i prokurorisë, sepse në Kosovë është bërë standard që të hetohen dhe gjykohen qytetarët e rëndomtë, por jo edhe politikanët që kanë pozita të larta dhe ndikim në jetën institucionale". Musa shprehet se nuk ka informacione se a ka përgjime më të rënda, mirëpo dyshon se mund të ketë. "Është fakt se kemi shkelje sistematike të të drejtave dhe lirive të njeriut për punësim në institucione shtetërore dhe në ndërmarrje publike, dhe përmes këtyre pozitave shihet qartë se çdo sferë e jetës në Kosovë ka qenë e kontrolluar", është shprehur Musa. Ai shtoi se nëse këto përgjime nuk do të publikoheshin nuk do të kishte hetime, pasi këto përgjime kanë qenë 6 vite në prokurori dhe nuk ka aktakuzë. "Unë nuk kam informacion se a i ka pasur këto përgjime ish-kryeprokurori Kabashi apo jo, mirëpo nuk duhet harruar se këto përgjime me gjasë i ka pasur Prokuroria e EULEX-it, dhe nëse vërtetohet se në këto përgjime ka vepër penale përmes aktgjykimit të formës së prerë nga gjykata, atëherë duhet të hetohen edhe personat zyrtarë, që i kanë fshehur këto përgjime, respektivisht duhet të akuzohen për fshehje të veprës penale". Ai shtoi se PSRK-ja me siguri se do të hetojë në mënyrë të pavarur dhe nuk do të bjerë nën ndikim të të dyshuarve, por as nën ndikimin e opozitës dhe shoqërisë civile, për shkak se vetëm nëse hetimi është në tërësi i pavarur do të ketë hetim profesional. "Unë mendoj se situata ka ndryshuar dhe tani PSRK-ja ka kuadër dhe guxim të hetojë çdo rast, pavarësisht pozitës që mund të ketë i dyshuari në shoqëri. Rasti i përgjimeve ka qenë shqetësues, pasi që autorët në këto përgjime vendosin për të gjitha institucionet. Në bazë të kësaj shihet se ka pasur ndërhyrje, mirëpo shpresoj se PSRK-ja prapë do të arrijë dhe do ta ketë përkrahjen e mjaftueshme për të hetuar rastin në fjalë", u shpreh avokati Skender Musa. Analisti politik Arsim Haziri theksoi për "Kosova Sot" se ajo çka brengos pashmangshëm sistemin prokurorial dhe n? tërësi sistemin gjyqësor është zaptimi i tyre nga politika, dhe ngritja e aktakuzave do të jetë e pamundshme. "Për shkak të këtyre oligarkëve të aferës "Pronto" sot jetojmë në këtë mjerim", u shpreh ai. Tutje ka shtuar: "Sistemi prokurorial do t? mund t? ishte i sukseseshëm dhe efektiv në rast se kompozicionin e tij e përbëjnë njerëz të pandikuar nga politika. "Kjo aferë dëshmon për një prani të lartë të kriminalitetit në organet e shtetit", thotë Haziri. "Në Kosovë vështirë mund të flasësh për ndonjë institucion që vepron konform rregullave dhe kushtetutshmërisë. Mjafton që t'u hedhim një sy përgjimeve të fundit. Ky rast tregon tejskajsh?m për kapjen e shtetit.

Dyshime se Prokuroria e Shtetit mund të jetë e involvuar në aferat korruptive

Analisti politik, Shefqet Dibrani, ndërkaq u shpreh për gazetën "Kosova Sot" se arsyeja pse ka pritur Prokuroria e shtetit 6 vite mund të jetë involvimi eventual i tyre në aferat korruptive ose diktati që mund t'u ketë bërë nga strukturat e politikës, e cila ka prekur të gjitha nivelet e sistemit shtetëror në Kosovë. "Por, bërja publike e përgjimeve dhe pritja e presionit publik dëshmon për nivelin e presonit politik që ka pasur Prokuroria e Shtetit dhe strukturat e tjera të drejtësisë". Dibrani tutje u shpreh: "Sigurisht afera "Pronto" nuk mund të jetë maja e Ajsbergut, por mund të jetë një fillim i mbarë. Sikurse në të gjitha aferat dhe krimet e mëdha ekonomike e politike dhe ato lëvizje të nëntokës, gjithmonë i sakrifikojnë peshqit e vegjël për t'i ruajtur ata më të mëdhenj. Edhe pse Adem Grabovci në dukje ishte kupola e krimit, mendja nuk e përthekon se ai ishte kupola, por se ishte një viktimë e radhës në duart e oligarkëve politikë". Sipas Dibranit, një luftë edhe më e ashpër do të zhvillohet nëse Prokuroria e Shtetit do të ketë guxim të hetojë presidentin, kryeparlamentarin dhe kryeministrin e Kosovës. Sipas Dibranit, jo vetëm ish-prokurori Kabashi, por mund të ketë edhe segmente të tanishme të prokurorisë të involvuara në aferat "Pronto". Ai thotë se gjithmonë kur publikohen aferat e tilla duhet të shikohet cila thikë pas shpine po i bie vendit tonë, a ka lidhje të drejtpërdrejtë me miratimin e demarkacionit, i cili duhet të kalojë më 1 shtator, ndërsa turpin historik gjatë tërë jetës së tyre do ta bartin deputetet, të cilët mund ta kalojnë. "Vetë fakti se këto përgjime kanë qenë tek prokurori i Eulex-it dhe bëhen publike në këtë kohë tensionesh, qytetarët dhe deputetet duhet të vetëdijesohen për lakun që po u përgatitet". Ai shtoi se jo vetëm ish-kryeprokurori, por të gjitha segmentet e drejtësisë e të sigurisë që i kanë fshehur dhe prolonguar rastet, duhet të hetohen dhe dënohen bashkë me bosët e krimit, të cilët jo rrallë as nuk janë të vetëdijshëm për krimet që ia kanë bërë vendit, pasi disa sish mund ta kenë bartur vetëm kambanën që ua kanë rrahur oligarkët politikë, të cilët në rastin e gjykimeve mund t'i braktisin dhe t'ua lënë pataten e nxehtë në duart e tyre të pasprovuara. Me një fjalë, kemi luftë klanesh dhe intriga të pashembullta, nga të cilat nuk mund të shpëtojnë të gjithë". Dibrani shprehet se nëse do të kishim prokurori të pavarur, e cila do të punonte dhe gjykonte sipas ligjit, kurrë nuk do të bëheshin president, kryeparlamentar dhe kryeministër treshja e akuzuar për dëmin kolosal që ia kanë sjellë vendit tonë në të gjitha sferat e jetës. "Hëpërhë edhe Prokurori i Shtetit do të orkestrojë gjykime, të cilat për gjendjen në Kosovë duken vetëm spektakle, por jo një veprim juridik, për të cilin ka shumë nevojë Kosova e tanishme. Fytyra e vërtetë e politikanëve kosovarë dihet dhe këtë duhet thënë se është treshja kryesore, ku të afërm dhe familjarë të tyre menaxhojnë krimin e madh ekonomik në Kosovë, prandaj në këtë fazë të hetimeve as të mos shpresojmë se do të kemi gjykime të drejta e të dinjitetshme. Por, nëse do të ketë gjykime të tilla ne të gjithë duhet t'u gëzohemi këtyre nismave, pasi para ligjit do të jemi të gjithë të barabartë, megjithatë duke e njohur shtrirjen e rrjetit dhe funksionet e tyre politike, hëpërhë kjo drejtësi dhe hetime krejtësisht të pavarura nuk do të ndodhin", është shprehur Dibrani. Ai thotë se Prokuroria e Shtetit nuk mund të ngritë akuza dhe të nisë hetime kundër presidentit, kryeparlamentarit dhe kryeministrit, pa ndodhur reforma brenda partive politike, pa pasur ndryshime në sistemin udhëheqës të partive dhe pa ndodhur zgjedhje të jashtëzakonshme, ku do të pastroheshin listat nga këto banda dhe individë të inkriminuar në krim e kontrabandë. "Prokurori nuk urdhëron as tashti, sikurse nuk ka urdhëruar që prej 6 vitesh kur janë përgjuar, sepse nën këtë aferë duhet të kryhet edhe ndonjë mision i dhembshëm për Kosovën".

Prokuroria po blen kohë, nuk e ka seriozisht

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni aktual, Adem Salihaj, u shpreh për "Kosova Sot" se Prokuroria nuk do të ndërmerrte asnjë veprim, po mos të ishte presioni i madh medial që është bërë, sepse këto përgjime tregojnë për skandalet që i kanë bërë eksponentët kryesorë të shtetit për punësime të të llojllojshme dhe në vende kyçe tepër të rëndësishme për asetet publike dhe qytetare. "Prokuroria e Kosovës hezitoi shumë me arsyetimin se Eulex-i i trajtoi këto çështje dhe nuk gjeti shkelje të veprave penale, por megjithatë filloi diçka". Sipas tij, me këto veprime Prokuroria e Kosovës po blen kohë dhe nuk e ka seriozisht që të ndërmarrë veprime. "Vlerësimet që janë bërë publike nga kjo aferë janë më e pakta dhe shumë sipërfaqësore krahasuar me çështje tepër të mëdha dhe çështje kriminale, me të cilat janë ndërmarrë këta eksponentë", u shpreh ai. "Prokuroria e Kosovës i ka hedhur në opinion qëllimisht vetëm një pjesë të kësaj afere, që nuk janë shumë të rëndësishme dhe që nuk i involvojnë liderët më të lartë të shtetit në aspektet e mëdha kriminale". Sipas Salihajt, Prokuroria e Kosovës ka edhe përgjime të tjera, në të cilat fshihen përgjime shumë më kriminale përfshirë edhe kriminalitetin ekonomik, oligarkët ekonomikë, si dhe aspekte të tjera të krimit të organizuar. "Ndonëse për momentin këto incizime nuk po publikohen, jam i bindur se në një ditë shumë të afërt ato do të dalin e bashkë me to edhe ato krime të rënda do të publikohen në tërësi si një pasqyrë e vërtetë e krimit të organizuar në Kosovë, ku ka dyshime se janë të involvuar edhe krerët e shtetit të Kosovës". Edhe deputeti Salihaj thotë se për këto afera ka qenë në dijeni edhe ish-kryeprokurori Ismet Kabashi, i cili vjen nga aferat e tilla si ajo "Pronto". "Nuk dyshon se ka mundur që të ndodhë kjo, sepse këto emërime janë bërë nga njerëzit e aferave të "Prontos" dhe tash ata u përgjigjen atyre dhe të njëjtit edhe mund të shkarkohen nga ato poste nga njerëzit e "Prontos", të cilët kontrollohen në mënyrë strikte dhe ata prokurorë duhet t'u shërbejnë atyre e jo interesave të qytetarëve tanë. Ai tha se do të duhej të niseshin hetime edhe ndaj ish-kryeprokurorit Ismet Kabashi dhe personave të tjerë, nëse do të kishte rend. "Por, ne kemi shtet ku nuk sundon ligji por oligarkët dhe mafia. Ata janë në krye të shtetit. Nëse një prokuror do ta fillonte një hetim, ai do shkarkohej menjëherë. Mendoj se nuk do të ketë hetime ndaj tyre.  

(Kosova Sot)