Ja sa të zhdukur janë në Kosovë sipas Kryqit të Kuq

  • 30 August 2016 - 10:34
Ja sa të zhdukur janë në Kosovë sipas Kryqit të Kuq

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tregon se pas 17 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, vazhdojnë të mbesin të zhdukur 1,666 persona.

Si pasojë e konfliktit të armatosur të viteve 1998-1999 në Kosovë, 6,049 persona i janë raportuar Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) si të zhdukur. 

Përderisa kërkimi për përgjigje ka dhënë rezultate duke ia mundësuar familjeve të 4,383 personave që të gjejnë prehje, ky është një ngushëllim i vogël për familjet e 1,666 personave të zhdukur, të cilat ende jetojnë në paqartësi.

Shqetësimi më i madh është se numri i rasteve të zgjidhura ka rënë në masë të madhe viteve të fundit. Pengesë kryesore për një progres më të shpejtë është mungesa e informacioneve që do të çonin në zbulimin e vend varrezave të reja.

Sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare, ish-palët ndërluftuese në konflikt mbartin përgjegjësinë kryesore për të ofruar përgjigje mbi fatin dhe vendndodhjen e personave të cilët ishin zhdukur në territorin nën kontrollin e tyre.

Konfliktet e armatosura të viteve të nëntëdhjeta në Ballkanin Perëndimor shkaktuan zhdukjen e rreth 35,000 personave. Sot, fati i 10,653 personave mbetet i pasqaruar: 6,874 në lidhje me konfliktin në Bosnje dhe Hercegovinë, 2,113 në lidhje me konfliktin në Kroaci dhe 1,666 në lidhje me konfliktin në Kosovë.

(Kosova Sot)