Prokuroria: Kemi prova se aktivistët e VV-së sulmuan Kuvendin

  • 30 August 2016 - 14:37
Prokuroria: Kemi prova se aktivistët e VV-së sulmuan Kuvendin

Policia e Kosovës përmes një konference për media ka zbuluar detajet lidhur me arrestimin e gjashtë aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje sot në orët e mëngjesit.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Abdurrahman Islami, ka folur për arrestimin e gjashtë aktivistëve të VV’së, të cilët dyshohen se e kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës më 4 gusht të këtij viti.

Ai ka thënë se arrestimi i tyre ka ardhur pas shumë veprimeve ligjore, përfshirë këtu edhe përgjimin e telefonatave të aktivistëve që nga nata e sulmit.

“Përmes përgjimeve i kemi vërtetuar dyshimet të cilat janë mbledhur më herët nga ana e Policisë dhe prokuroria ka ardhur në përfundim dhe ka urdhëruar edhe bastisje ku janë gjetur edhe armë dhe kemi ardh deri te dyshimi i arsyeshëm se këta 6 të dyshuar për të cilët këta të dyshuar kanë kryer vepër penale”, ka thënë Islami.

Ai ka njoftuar se do të parashtrojnë edhe kërkesën për masën e paraburgimit në Gjykatë.

Ndërsa, Luan Keka nga drejtoria e antiterrotit në Policinë e Kosovës, ka thënë se më datën 4 gusht kur ka ndodhur edhe sulmi ndaj Kuvendit të Kosovës, në vendin e ngjarjes janë gjetur dëshmi relevante që na kanë ndihmuar të vazhdojmë më hetimet.

Keka ka thënë se tek personat e arrestuar janë arrestuar janë gjetur armë për të cilët personat nuk kanë pasur leje për mbajtjen e tyre si dhe prova të mjaftueshme relevante të cilat dëshmojnë se personat në fjalë kanë qenë të përfshirë në sulmin ndaj Kuvendit.

Ndryshe, Policia e Kosovës sot në mëngjes në një aksion të përbashkët të Prokurorisë Speciale, ka arrestuar gjashtë aktivistë të Vetëvendosjes (Atdhe Arifi, Astrit Dehari, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi) pas një hetimi intensiv lidhur me sulmin në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të kryer më 4 gusht 2016.

(Kosova Sot)