Gashi: Organet e drejtësisë duhen të merren me dëmet e luftës

  • 30 August 2016 - 15:35
Gashi: Organet e drejtësisë duhen të merren me dëmet e luftës

Avokati Tomë Gashi thotë se menjëherë pas luftës në Kosovë, konkretisht pas përfundimit më 12 qershor të vitit 1999, kur edhe kishte filluar konsolidimi apo funksionalizimi i sistemit të ri juridik të Kosovës, sipas tij, qysh atëherë ishte bërë gabimi fillestar dhe më i madh që ishte filluar me seleksionimin negativ të kuadrove.

"Menjëherë pas luftës ne kemi pasur një pjesë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që kanë punuar në sistemin e kaluar, që kanë punuar edhe në kohën e Serbisë dhe ata njerëz nuk kanë qenë në gjendje, duke mos pasur as forcë morale e as njohuri që t'i qasen ndjekjes së kriminelëve serbë, por edhe padisë kundër Serbisë si shtet për gjenocidin dhe për shkatërrimet, të cilat i ka bërë në Kosovë".

Më tej ai ka nënvizuar se të gjithë ata që kanë qenë në funksionet juridike relevante në Kosovë, janë thirrur se me këtë çështje duhej të merrej UNMIK-u dhe drejtësia ndërkombëtare, gjë që, sipas Gashit, nuk ka qenë e vërtetë , pasi siç tha edhe këta kanë mundur të merreshin me ato çështje, derisa kanë mundur po ashtu edhe të ngritin akuza dhe të bëjnë padi për të gjitha shkatërrimet që janë bërë në Kosovë. "Pas shkuarjes së UNMIK-ut ka ardhur EULEX-i, por në ndërkohë është shpallur edhe pavarësia e Kosovës, kështu që posaçërisht pas pavarësisë së Kosovës askush nuk ka të drejtë as morale që të thirret se bashkësia ndërkombëtare ka qenë e vetmja kompetente për këto çështje dhe tanimë është e qartë se kemi të bëjmë me neglizhencë totale të shtetit juridik të Kosovës.

Mendoj se këtu ka të bëjë çështja e faktorit njeri e jo mangësia e ligjeve apo provave, të cilat do ta vërtetonin gjenocidin e Serbisë së kryer ndaj qytetarëve të Kosovës vetëm për shkak të përkatësisë etnike shqiptare dhe ka prova të mjaftueshme në këtë drejtim për ta paditur Serbinë si shtet për shkatërrimet, që i ka bërë gjatë luftës në Kosovë. Kjo është detyrë e organeve të drejtësisë dhe nuk mund të lihet në persona apo në individë të caktuar, të cilët kanë viktima në familjet e tyre dhe të cilëve u është shkatërruar prona deri në djegien e gjithë infrastrukturës, duke filluar prej shtëpive, të mirave materiale që janë shkatërruar ku së paku i kemi mbi 120 mijë shtëpi të banuara, të cilat janë djegur e shkatërruar gjatë luftës nga serbët në Kosovë dhe të cilat janë të identifikueshme", theksoi ai

(Kosova Sot)