Thaçi e quan terrorist sulmin në objektin e Kuvendit

  • 30 August 2016 - 18:08
Thaçi e quan terrorist sulmin në objektin e Kuvendit

Presidenti i vendit Hashim Thaçi përmes një komunikate për media ka theksuar se sulmi kundër institucionit më të lartë politik në vend, Kuvendit të Republikës së Kosovës ishte një sulm terrorist, dhe sipas tij kjo formë e veprimit politik është e papranueshme dhe e patolerueshme.

Thaçi gjithashtu ka theksuar se dhuna politike nuk do të ketë vend në shoqërinë dhe Kosovën tonë të re, të cilën me shumë sakrificë e kemi ndërtuar.

“I mbështes organet e rendit që të jenë të pakompromis në ndjekjen e të gjithë atyre që cenojnë në çfarëdo forme shtetin e Kosovës. Për punën e tyre ato meritojnë mirënjohje nga të gjithë ne”, thuhet ndër të tjerash nga presidenti Thaçi.

Po ashtu sipas tij qytetarët e Kosovës meritojnë vlerësim të lartë për pjekurinë e treguar, sepse ata vazhdimisht kanë kundërshtuar dhunën si formë të veprimit politik.

Gjithashtu, Thaçi ka ftuar të gjitha subjektet politike që të mos bëhen pjesë e retorikës së dhunës dhe t’i lënë interesat e ngushta politike, por të bashkohen për të mirën e përgjithshme të Republikës së Kosovës.

(Kosova Sot)