LDK thirrje VV-së: Hiqni dorë nga dhuna dhe veprimet anarkike

  • 30 August 2016 - 18:30
LDK thirrje VV-së: Hiqni dorë nga dhuna dhe veprimet anarkike

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të heq dorë nga dhuna dhe veprimet që LDK-ja i quan anarkike të cilat kanë për qëllim futjen e vendit në cikël dhune me pasoja të paparashikueshme.

LDK përmes një njoftimi për media ka thënë se shpreh shqetësimin e saj lidhur me zhvillimet e fundit, si dhe njëkohësisht shpreh mbështetje për organet kompetente shtetërore që të marrin të gjitha masat për garantimin e një ambienti të sigurt për qytetarët dhe për nxjerrjen para drejtësisë të kryerësve të veprave penale.

Njoftimi i plotë:

Lidhja Demokratike e Kosovës, në këto momente të rëndësishme për vendin, fton të gjithë qytetarët që të vazhdojnë kontributin dhe vendosmërinë e tyre për ndërtimin e shtetit, për avancimin e proceseve euroatlantike, për fuqizimin e partneritetit me SHBA-në dhe hapjen e perspektivës së gjithanshëm për vendin.

Në këtë kontekst, LDK vlerëson qëndrimin dhe vizionin e qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk po bien pre e veprimeve, planeve dhe skenarëve që kanë për qëllim destabilizimin dhe zhytjen e vendit në kaos dhe anarki, për përfitime politike të një partie opozitare.

Lidhur me zhvillimet e fundit dhe nxjerrjen në dritë të fakteve që implikojnë përfaqësuesit e një subjekti politik në veprimet të dhunshme kundër institucioneve, LDK shpreh shqetësimin e saj dhe njëkohësisht shpreh mbështetje për organet kompetente shtetërore që të marrin të gjitha masat për garantimin e një ambienti të sigurt për qytetarët dhe për nxjerrjen para drejtësisë të kryerësve të veprave penale.

LDK i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të heq dorë nga dhuna dhe veprimet anarkike të cilat kanë për synim futjen e vendit në cikël dhune me pasoja të paparashikueshme, dështimin e liberalizimit të vizave, cenon partneritetin strategjik me SHBA-të dhe stagnon të gjitha proceset shtetndërtuese dhe integruese euroatlantike.

Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh përkushtimin dhe besimin e plotë se Republika e Kosovës me mbështetjen e qytetarëve të vendit dhe më përkrahjen e miqve ndërkombëtar, SHBA-ve dhe vendeve evropiane, do të vazhdojë progresin dhe fuqizimin e shtetësisë dhe të zhvillimin e gjithanshëm të saj.

(Kosova Sot)