Vetingu, Rama: Drejtësia është kthyer në mall që blihet dhe shitet

  • 30 August 2016 - 18:40
Vetingu, Rama: Drejtësia është kthyer në mall që blihet dhe shitet

Kryeministri Edi Rama është shprehur se drejtësia është kthyer në mall që blihet dhe shitet. Duke folur nga foltorja e Kuvendit në seancën e jashtëzakonshme për kalimin e projektligjit të Vetingut, Rama tha se të gjithë e dinë se kush e ka penguar reformën.

“Ata që i kundërvihen reformës në drejtësi, janë ata që kanë probleme me drejtësinë. Ata që bëjnë çmos për të penguar procesin e pandalshëm të kësaj reforme, janë ata që me të drejtë ndjejnë çfarë vjen pas nga kjo reformë. Ata të cilët u detyruan ti bashkohen konsensusit në këtë sallë për arsye se presioni popullor dhe i partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë ishte kolosal dhe faktikisht muri i 94 votave u shemb mu përpara derës së SHQUP-it. Habitem pse nuk festojnë me ne një fitore tjetër, ne jemi gati të festojmë njësoj si atë natë”, tha kreu i qeverisë.

Sipas tij nuk është koha që të thuhet se kush e do më shumë reformën apo demokracinë. “Këtu ka vetëm një gjë, të votohet ky ligj kaq i rëndësishëm. Ne i bëmë të gjitha përpjekjet për të pasur konsensus, por jo konsensus që bie ndesh me ndërkombëtarët, presioni i tyre ishte kolosal”, u shpreh Rama.

Ai tha se ne nuk jemi sovran të zgjedhim çfarë të duam nga familja europiane. “Duhet t’u përshtatemi rregullave që ka familja europiane”, shtoi kryeministri.

Më pas Rama vijoi: “Jemi i pari koalicion qeverisës që e kemi shkruar në program reformën në drejtësi, ku këtu janë bërë shumë përqeshje se si mund ta shkruanim atë në programin tonë, ku duheshin 94 vota. Por ne fituam pasi u dhanë 140 vota”.

“Prandaj them, për të mos ta zgjatur më shumë që ta votojmë këtë ligj si shumicë duke vazhduar të mbrojmë themelet e programit tonë qeverisës, të mbrojmë zotimet tona para shqiptarëve”, tha ai.

Sipas kryeministrit, shqiptarët sot duhet ta kenë të qartë që ka një shumicë që u përgjigjet dhe se votimi është detyrim ndaj vullnetit të popullit për të bërë reformën.

(Kosova Sot)