Shtetin nuk e shkapin ata që e thelluan kapjen

  • 30 August 2016 - 07:35
Shtetin nuk e shkapin ata që e thelluan kapjen

Deklarata e kryeministrit të vendit që e bëri ditë më parë me postimin në "Facebook", përmes të cilës ai u drejtohet për ndihmë qytetarëve të vendit tonë për shkapje shteti, nga njohësit e kësaj fushe është vlerësuar të jetë një prononcim mjaft kontrovers dhe tejet paradoksal. Sipas analistëve dhe opozitës, në asnjë mënyrë kryeministri i vendit, Isa Mustafa, nuk mund të bëjë shkapjen e shtetit, sepse, sipas analistëve, vetë LDK-ja dhe lideri i saj janë bërë pjesë e interesit dhe mafiozitetit, shkruan gazeta Kosova Sot.

Sipas analistëve, thuhet se kontribut për degradimin dhe shpërfilljen e shtetit ka dhënë edhe kryeministri Isa Mustafa. Analisti politik, Blerim Burjani tha për "Kosova Sot", se Isa Mustafa në asnjë mënyrë nuk mund ta bëjë shkapjen e shtetit, sepse edhe LDK-ja është bërë pjesë e interesave. Burjani thotë se,"edhe LDK-ja ka qenë e përfshirë gjithashtu në punësimet partiake jo vetëm derisa ishte në pushtet në Komunën e Prishtinës".

Punësimet abuzive

Sipas Burjanit, LDK-ja ka bërë edhe punësime nëpër ambasadat tona, duke dërguar njerëz pa profil adekuat edhe kjo quhet keqpërdorim i pushtetit, punësim pa kurrfarë kriteresh dhe profesion adekuat, duke shfrytëzuar pushtetin për punësim nëpër ambasadat e Kosovës. "Dihet që janë dy ambasadorë, që janë dërguar nga radhët e LDK-së pa plotësuar asnjë kusht dhe as kriter, ndonëse PDK-ja prin larg me punësimet partiake, pastaj vjen LDK-ja", tha ai. Burjani thotë se kur të flasë Isa Mustafa për shkapje të shtetit, duhet ta kujtojë Komunën e Prishtinës si dhe punësimet nga radhët e LDK- së me dy ambasadorë. Analisti Burjani porositi që Isa Mustafa le të bëjë fillimisht revokimin e punësimit në cilësinë e ambasadorit jashtë shtetit e më pastaj le të flasë për kapje apo edhe shkapje të shtetit. Sipas Burjanit, institucionet e Komunës së Prishtinës kanë qenë të stërmbushura me militantë që vinin të gjithë të punësuarit nga treva e Llapit e Gollakut.

Lideri manipulativ

Ndërkaq, analisti politik, Arsim Haziri tha se deklarata e kryeministrit të vendit është mjaft kontroverse dhe tejet paradoksale dhe pritshmëria e tij se mund të ketë një mbështetje publike ndërlidhur me shkapjen e shtetit është joserioze. "Unë konsideroj se janë pa bazë logjike. Qytetarët,gradualisht janë duke e parë seriozitetin dhe angazhimin që ai ka drejtuar në kuptimin e nivelit qeverisës dhe në këtë frymë është përpiluar dukshëm mendimi qytetarë, që në asnjë moment nuk do të jetë pjesë e mbështetjes. Kontribut për degradimin dhe shpërfilljen e shtetit ka dhënë edhe kreu i saj, Isa Mustafa, sidomos koha ose veprimi që akuzon më shumë është periudha kur ai ia mundësoi subjektit që dikur kundërshtonte formimin e qeverisë, duke u nxjerrë vetë si kryeministër", theksoi ai. Analisti Haziri tha se tashmë potencimet se shteti ndjehet i kapur dhe si të tillë duhet shkapur me ndihmën e qytetarëve, janë një absurd i llojit të vet, pasi pjesë e kapjes së shtetit është edhe ky subjekt dhe qytetarët assesi s'mund të bien në këtë grackë politike. Sipas Hazirit, logjikisht çdo mendje mund të bjerë në kontradiktë nëse e mendon se vërtet subjekti i LDK-së s'ka qenë pjesë e kësaj agjende degraduese për shtetin. "Sot, vështirë është të gjesh shtetin si? do të duhej të ishte, pra shtetin kushtetues e ligjore, por ajo ?farë rrjedhshëm gjen është pushteti i shtrirë politike në çdo institucion dhe duke shtrirë ndikimin e saj në ?do skaj ka krijuar këtë situatë të paekonomizuar", potencon ai.

Partitë e mëdha e ndanë hisen

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga tabori i opozitës, Enver Hoti (Nisma për Kosovën) ka thënë se deklaratat e Isa Mustafës që po e kërkon ndihmën e qytetarëve tanë për shkapjen e shtetit nuk janë asgjë tjetër vetëm se një farsë e kryeministrit të dështuar të vendit tonë. "Kur e them këtë vlerësim bazohem në fakte se nuk mund ta shkapin shtetin në asnjë mënyrë ata liderë politikë e shtetërorë që e kanë kapur vetë shtetin", tha ai. Opozitari Hoti thotë se partneri i koalicionit të elefantëve PDK-ja, që është partneri i Mustafës në koalicion edhe sipas aferave "pronto" po tregon se edhe LDK-ja ka shërbyer për një kapje të shtetit në secilën sferë dhe qelizë të shtetit. Ndaj deputeti Hoti i quan absurde kërkesat e Mustafës për shkapje shteti kur tashmë botërisht po dihet se partia e Isa Mustafës është bërë pjesë e valles në kapjen shtetit. Ndërsa zyrtarë të Lëvizjes "Vetëvendosje!", nëpërmes zëdhënësit Frashër Krasniqi, thonë se kryeministri, i cili ka ardhur në pushtet përmes kapjes së shtetit, duke e ndarë hisen me PDK-në dhe Listën Serbe pa bërë asnjë ndarje programore të udhëheqjes, nuk mund të bëjë deklarata të tilla pa u quajtur hipokrit. "Ai kishte punësuar vetëm militantë e familjarë të LDK-së në Komunë. Për më keq, djemve të tij u janë dhënë tenderë nga kjo qeverisje", theksoi ai. 

(Kosova Sot)