BuzzFeed: Kështu zhduken fëmijët shqiptarë në Britaninë e Madhe

  • 30 August 2016 - 20:06
BuzzFeed: Kështu zhduken fëmijët shqiptarë në Britaninë e Madhe

Portali “BuzzFeed News” me seli në Nju Jork ka zbuluar se shumë prej të rinjve shqiptarë që mbërrijnë në Britani të Madhe si refugjatë, janë zhdukur.

Një hetim i këtij portali tregon se numri i fëmijëve shqiptarë të zhdukur në Britani është dyfishuar në mes të vitit 2014 dhe 2015. Këta fëmijë janë në rrezik nga trafikantët, kurse ata të moshës rreth 15 vjeç shfrytëzohen për punë në ndërtim dhe vende të rrezikshme, transmeton Syri.net.

“BuzzFeed News” ka biseduar me një të ri shqiptar, të quajtur Bekim(emri jo i vërtetë).

“Bekimi u largua nga Shqipëria kur ishte adoleshent. Ai u detyrua të largohej pasi mafia lokale u përpoq që të vriste babanë e tij, thotë ai. Bekimi udhëtoi në Spanjë dhe aty u takua me kontrabandistët duke i premtuar një jetë të re në Mbretërinë e Bashkuar”, shkruan portali amerikan.

Sipas shqiptarit, kontrabandistët duhet të paguhen rreth 6 mijë Pound. “Nëse nuk keni para, mund ta shlyeni pagesën duke punuar për ta sapo të jeni në Mbretërinë e Bashkuar. Trafikantët më thanë se do të kem një jetë më të mirë në Mbretërinë e Bashkuar. Ata më thanë se mund të punoj për ta dhe t’i ndihmoj të shesin gjëra. Unë u besova”, rrëfen Bekimi.

Kur Bekimi mbërriti në Britani, Shërbimi Social kuptoi se ai mund të ishte në rrezik shfrytëzimi dhe u kujdes për të. Bekimi thotë se vetëm atëherë e kuptoi rrezikun që i kanosej. Por, ai ishte njëri prej atyre personave me fat.

Vetëm vitin e kaluar sipas këtij portali, në Britaninë e Madhe kanë arritur mbi 450 fëmijë të vetmuar. Arsyeja më e shpeshtë e tyre për kërkesën e azilit, është gjakmarrja në familjen e tyre, transmeton lajmi.net

BuzzFeed shkruan se vitin e kaluar 209 fëmijë shqiptarë janë referuar te autoritetet si të rrezikuar nga trafikantët. Numri i tyre nga 56 më 2013, ka shkuar në 117 më 2014.

(Kosova Sot)