Të rinjtë gjakovarë u kthehen profesioneve prodhuese

  • 30 August 2016 - 20:33
Të rinjtë gjakovarë u kthehen profesioneve prodhuese

Në një kohë tjetër, atëherë kur ekonomia kosovare ka qenë relativisht e zhvilluar, në ato mjedise ku kishte ndërmarrje të forta ekonomike, siç ishte rasti edhe me Gjakovën, dikur njërës prej qendrave kryesore industriale në Kosovë, shkollimi i mesëm në shkollat profesionale, ishte mjaft joshës për ata që kryenin shkollën fillore,shkruan Gazeta Kosova Sot. Mbase mundësia më e lehtë që të punësohen pas përfundimit të shkollimit të mesëm, të gjithë ata që nuk planifikonin të studiojnë nëpër fakultete të ndryshme, i nxiste që të përcaktohen për shkollat profesionale. Në këtë drejtim sigurisht se kontribuonte shumë edhe lidhja, respektivisht bashkëpunimi, që organizatat punuese e kishin me zyrtarët e arsimit respektivisht me ata të shkollave profesionale. "Jam në dijeni se dikur, kolektivet punuese të Gjakovës, dërgonin listën e profileve prodhuese që u nevojiteshin për punën e tyre. Në këtë mënyrë ata që shkolloheshin për ato profesione, thuajse e kishin të garantuar punësimin. E tash? Kjo as që mund të paramendohet", është i mendimit Agim Mulliqi, njohës i mirë i rrjedhave në arsim.

Dikur rrezikonte të mbyllej, e tash...?

Kjo ka bërë që të rinjtë gjakovar, ata që e kryejnë shkollimin fillor, tash e shumë vite, me mjaft vështirësi të përcaktohen për shkollim në shkollat e mesme profesionale, të cilat veprojnë në këtë mjedis. Thuajse të gjithë ata me më tepër dëshirë përcaktohen për "profesione të zyrës", kështu që numri i të interesuarave për tu regjistruar në shkollën e këtushme të mesme teknike "Nexhmedin Nixha" sa vinte e zvogëlohej! "Shikoni sa juristë apo ekonomistë janë të papunë? Gati asnjë! Në ndërkohë janë me qindra inxhinier që kërkojnë punë e nuk gjejnë! Nëse kësaj i shtohet fakti se ata juristë apo ekonomistë që punojnë në institucionet publike paguhen shumë më mirë se inxhinierët që punojnë tek privatët, atëherë bëhet e qartë pse të rinjtë tanë ngarendin drejtë profesioneve të zyrës", e ka shprehur qëndrimin e tij i riu gjakovar Alban Morina. Mu kjo kishte bë që shkollës teknike në Gjakovë, madje t'i rrezikohej dhe veprimtaria e rregullt, pasi për mungesë të numrit të duhur të nxënësve që dëshirojnë të ndjekin mësimet në këtë shkollë, rrezikonte mbylljen e disa profileve. Kur paralajmërohej se kështu do të jetë edhe sivjet, duket se diçka ka ndryshuar për të mirë në këtë shkollë. Numri i nxënësve që sivjet është regjistruar në 10 profilet e 4 drejtimeve të kësaj shkolle është më i madhi i shënuar në 10 vitet e fundit! Nuk ka ndonjë analizë se a është kjo fryt i ndryshimit të qasjes së të rinjve gjakovarë karshi profesioneve prodhuese apo i mungesës së alternativave të tjera, por dihet se zyrtarët e kësaj shkolle, sivjet, e ndiejnë vetën mirë.

Gjatë kampanjës janë kontaktuar 1.000 gjysmëmaturantë

"Në afatin e parë të regjistrimit në shkollën tonë, ishin regjistruar 144 gjysmë maturant. Atyre, në afatin e dytë, në gusht, iu janë shtuar edhe 56 të tjerë kështu që kemi arrit në shifrën e 200 nxënësve, në ç'mënyrë është mundësuar formimi i 10 paraleleve që janë parapa të hapen sivjet", ka thënë Neshet Këpuska, drejtor i shkollës së mesme teknike në Gjakovë. Në fjalët e drejtorit Këpuska vërehej një kënaqësi dhe mburrje që sivjet situata është më e mirë se që ka qenë shumë vite të fundit. Ai këmbëngul se tërë kjo nuk ka ardhur vetvetiu, por është rezultat i një kampanje të organizuar që e kanë zhvilluar zyrtarët e kësaj shkolle për joshjen e nxënësve të ri. "Qysh në muajin maj kemi filluar me njoftimin e atyre që kryenin shkollën fillore për profilet që ne i ofrojmë dhe përparësitë që ofrojnë ato. Në këtë fushatë, profesorët tanë kanë kontaktuar rreth 1.000 gjysmë maturantë, 200 prej të cilëve janë përcaktuar për shkollën tonë. Siç shihet tash, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, kjo kampanjë ka dhënë rezultate dhe sinqerisht jam i bindur se interesimi për shkollën tonë do të rritët nga viti në vit. Tash ngel detyrë e jona që nxënësit të mos i joshim vetëm përmes kampanjave dhe fjalëve, por edhe me punë profesionale, duke shfrytëzuar maksimalisht të gjitha kabinetet profesionale që i kemi në dispozicion në shkollë", ka thënë Këpuska, duke shtuar se për ndërrimin e qasjes së të rinjve gjakovarë ndaj shkollimit profesional, ndihmesë të rëndësishme mund të japin kompanitë e ndryshme, duke punësuar ata që kryejnë këtë shkollim.

(Kosova Sot)