Të jetosh plot ankth e frikë në shoqërinë e gjarpërinjve

  • 18 September 2016 - 08:11
Të jetosh plot ankth e frikë në shoqërinë e gjarpërinjve

Në një shtëpi prej guri, të ndërtuar para 50 vitesh ku i mungojnë disa dyer e dritare, me të qara nga të gjitha anët, bën jetë familja Ademi nga fshati Karaqë, komuna e Vushtrrisë,shkruan gazeta Kosova Sot. Shtëpia e vogël kishte lagështi, aty shpesh “vallëzonin “ gjarpërinjtë e gjallesat e tjera. Dukej se çdo kishte ndalur në këtë familje. Për më keq, i zoti i kësaj shtëpie Remzi Ademi ishte  sëmurë dhe i paaftë për punë nga lëndimet që i kishte pësuar kohë më parë.  Ai si i paftë për punë tani kishte mbetur nën mëshirën e një ndihme sociale në vlerë prej 100 eurosh.  “Unë jam i sëmurë dhe i paftë për punë. Kam pasur një plagosje me armë dhe tani që nga ajo kohë jam keq me shëndet sa i përket njërës këmbë. Kjo sëmundje ma ka kufizuar edhe mundësinë të merrem me punë fizike. Familja po më heqin keq, po jetojmë me gjarpërinjtë, të cilët janë prezentë shumë shpesh brenda shtëpisë sonë”, është shprehur nder të tjera ai. Tregon edhe vendet kah kanë itinerarin gjarpërinjtë.

Tymosin shtëpinë për të larguar gjallesat e padëshiruara

Por, përveç gjarpërinjve, në tavanin e kësaj shtëpie kishin zënë vend me foletë e tyre edhe shpezë të ndryshme, pëllumba, sorra etj. Për të larguar prezencën e tyre, i zoti i shtëpisë thotë se shpesh edhe gjatë verës ndezin shportetin e druve dhe tymosin shtëpinë për të larguar shpezët, gjarpërinjtë dhe gjallesat e tjera, por me kot. Thekson se po sa të largohen pas një dite kur nuk ka tym, “mysafirët” e padëshiruar shihen se zënë vendet e tyre dhe kjo është tmerruese për familjarët. ”E ndezim shportein dhe e lëmë të tymoset tavani me qëllim që të ikin shpezët dhe gjarpërinjtë, por  kot. Ata  po kthehen sërish. Jemi në hall  dhe vërtetë po tmerrohemi, kur po i shohim gjarpërinjtë duke dal nga një mur në tjetrin. Po si të mos dalin e shihni e gjithë shtëpia është nga balta dhe gurët”, u shpreh ai për gazetën “Kosova Sot” . Ai madje na këshillon edhe neve që gjatë qëndrimit në këto hapësira të kemi kujdes nga gjarpërinjtë. “Ju mund të frikësoheni nga ata, kurse ne jemi mësuar me këtë jetë. Unë për vete jam mësuar, por e kam hallin edhe të bashkëshortes dhe të katër fëmijëve”, është shprehur ai. Ndryshe, Remziu ka njoftuar gjithashtu se  shpesh kujdestaron gjatë natës për të mbrojtur familjen. Fjalët janë të pakta për ta përshkruar këtë ambient ku jeton kjo familje. Familjarët bëjnë jetë plot ankth e frikë duke rrezikuar jetën në çdo çast. Vërtet një dramë e paparë. Kjo lloj jete nuk mund të mendohet në këtë kohë, por ja që ka familje që rropaten përditë me këso kushtesh.

"Na duhet një kulm i ri mbi kokë ku fëmijët të flenë rehat"

Tmerrin e kësaj jete po e përjetonte nëna e katër fëmijëve, Nefise Ademi. Ajo ankohej për fatin e fëmijëve të saj. "Unë i rrita deri këtu, tani kam hallin se mos po më helmohen fëmijët nga kafshimi i gjarpërinjve. Nuk di çka t'ju them tjetër vetëm se jeta na është mërzitur në këto kushte. Vërtet po përjetojmë diçka të keqe", u shpreh ajo. Nefisja lutet që dikush t'u dalë në ndihmë. "Unë isha një ditë duke bërë bukën këtu tek ky shporet dhe pashë se në murin tjetër po kalonte nga gurët një gjarpër. I lashë të gjitha e u largova jashtë duke bërtitur. I lajmërova edhe tjerët. Ai nuk doli jashtë hyri brenda mureve dhe nuk e pash më", u shpreh ajo. Gjithçka që do Nefisja është të ketë një kulm mbi kojë të sigurt, ku fëmijët flenë rehat. "Disi po bëhemi idare se komuna na ka dhenë një lopë dhe me kopshtije po mbijetojmë, por për shtëpi jemi më së keqi", është shprehur Nefisja për gazetën. Kjo shtëpi ishte pa kurrfarë kushtesh për jetë. Nuk kishte as shtrojë e mbulojë dhe me vrima në shtëpi nga të gjitha anët. Drita depërtonte fare lehtë nga të qarat, dhe ku shiu e bora nuk e kishte lehtë të depërtonte. Familja apelon për ndihmë, të paktën në sigurimin e një dhome të vogël ku mund ta bëjnë gjumin rehat. Ata kanë bërë kërkesë në komunën e Vushtrrisë por më kot. "Apeli ynë për ndihmë nuk ka munguar në komunë për vite me radhë. Nuk ju kam kërkuar miell, sepse një dashamir ma ka mbjell tokën dhe e kam siguruar miellin për këtë vit, por për një kulm mbi kokë, para se të ndodh e keqja", ka thënë Remzi Ademi. Ai hallin më të madh e ka se si të hyjë në jetë, kur shtëpia është gati e rrënuar. "Apeloj tek njerëzit bamirës, por edhe tek zyrtarët e komunës së Vushtrrisë të më ndihmojnë. Vetë nuk kam mundësi të ndërtoj shtëpi të re", thoshte ai. Prandaj për të gjithë ata të cilët kanë mundësi t'i ndihmojnë kësaj familjeje këtë mund ta bëjnë duke thirrur në numrin direkt të familjes që është 044 332 537.

(Kosova Sot)

 

Image
Image
Image
Image
Image