50-vjeçari mban familjen duke shitur gjakun e tij

  • 25 September 2016 - 08:17
50-vjeçari mban familjen duke shitur gjakun e tij

FAMILJA E FATLUM XHEMALJIT KA MBETUR PA STREHË MBI KOKË

"Nuk mund të jetohet me ndihma e as me vitra të Ramazanit. Kam dy fëmijë si molla, nxënës të shkëlqyeshëm dhe po frikësohem për të ardhmen e tyre", shprehet bashkëshortja e Fatlumit- Samilja
Fatlumi: Prejse ngela pa punë, kam dhënë gjak 25 herë pas luftës

"Jam Fatlum Xhemajli. Por, emri Fatlum kishte qenë i gabuar sado që prindërit e mi kishin dashur që të jem i tillë kur ma lanë ketë emër. Jeta ime ka shkuar për të keq", shprehet për gazetën "Kosova Sot" Fatlumi, të cilin nga janari i janari i këtij viti Adnan Hyseni së bashku me këngë- tarin Labi e sollën në një banesë për të pasur një strehë të përkohshme. "Ditë më parë Adnani më tha se pronari i banesës ka kërkuar t'ia lirojë banesën, dhe se më datën 28 shtator banesa duhet të jetë e lire", rrëfen ky hallexhinj, të cilit e tërë periudha e pasluftës i ka shkuar në shtëpitë e huaja nga një derë në tjetrën dhe nga një lagje në tjetrën. "Kjo është shtëpia apo banesa e dymbëdhjetë që nga paslufta. M'u ka mërzitur shpirti, duke dalë nga shtëpia në shtëpi me këta dy fëmijë ", thotë bashkëshortja e Fatlumit - Samilja dhe shton se i janë shumë mirënjohës edhe pronarit edhe Adnanit, që i sollën këtu dhe ua siguruan për nëntë muaj strehën mbi kokë, shkruan gazeta Kosova Sot.

Kryetari Muhaxheri nuk ua bën çarenë, por i lutet Zotit ta ndihmojë këtë familje

Samilja tani nuk di nga t'ia mbajë. "Kemi vajzën 17-vjeçare, nxënëse e shkëlqyer në Gjimnazin 'Bedri Pejani' dhe djalin 13-vjeçar në klasën e shtatë, të dy nxënës të shkëlqyer. I kemi rritur në shtëpi të huaja dhe si t'u dal tani parasysh e t'u them se duhet të largohen edhe nga ky vendbanim", shprehet ajo. Ndërsa Fatlumi thotë se ishin së bashku me bashkëshorten e tij te kryetari i komunës, Gazmend Muhaxheri, duke i kërkuar që t'ua bëjnë një zgjidhje, ose së paku t'ia paguajë komuna qiranë, sepse jemi në prag të dimrit. "As unë e as shoqja nuk kemi punë dhe jetojmë nga ndihma sociale prej 65 eurove dhe nga ndonjë punë që mund ta gjej unë apo shoqja. Po të isha në punë nuk do të kërkoja asgjë, por kryetari Muhaxheri më tha se nuk ka mjete dhe u lut për mua, duke më thënë "Zoti ta bëftë çarenë", shpjegon Fatlumi. Ai tutje shton: "Kjo është e tëra që kryetari Muhaxheri bëri për mua, për fëmijët e mi", thekson Fatlumi për gazetën "Kosova Sot". "Kryetari ishte dashur të më ndihmojë për të bërë ndonjë zgjidhje për familjen time, dhe se nuk ka nevojë që ai t'i lutet Zotit për mua, këtë mund ta bëjë vetë", shprehet ai. "Nuk kam lënë derë pa trokitur për të gjetur ndonjë punë për ta mbajtur familjen, por as pushteti i mëparshëm e as ky i tanishmi nuk më kanë bërë ndonjë zgjidhje për të ma gjetur ndonjë vend pune. Kam 50 vite moshë dhe punëdhënësit privatë po hezitojnë që të më marrin në punë, kur e kanë tërë këtë armatë të rinjsh të papunë, nga të cilët mund të zgjedhin më të mirët. Kujt i duhem unë në moshën 50-vjeçare", ankohet Fatlumi.

"Jetë i thënçin kësaj, as armiku mos e provoftë"

Fatlumi shprehet se ka dhënë gjak 25 herë pas luftës prejse ngeli pa punë dhe në të shumtën e rasteve e ka shitur gjakun për të mbajtur familjen. "Ka pasur edhe raste që atyre që u kam dhuruar gjak të më kenë ndihmuar me të mira materiale, kur e kanë kuptuar gjendjen time të rëndë", thotë i dëshpëruar Fatlum Xhemajli, 50-vjeçari nga Peja. Sylë Dreshaj nga Nabërxhani i Pejës, të cilin e takova bashkë më Fatlumin, tha se kohë pas kohe e ndihmon atë dhe familjen e tij me ndonjë thes të miellit, me perime dhe zarzavate nga kopshti i tij dhe shpjegon se më parë nuk e dinte hallin kaq të madh që e kishte ai. Edhe sekretari i Kryqit të Kuq, Agron Kelmendi, shprehet se kohë pas kohe kur ka mundësi e ndihmon edhe këtë familje me artikuj ushqimorë dhe të higjienës, por nuk ia del gjithmonë të ndihmojë të gjithë hallexhinjtë e kësaj komune, numri i të cilëve kalon mbi 500. "Nuk mund të jetohet me ndihma e as me vitra të Ramazanit. Kam dy fëmijë si molla, nxënës të shkëlqyeshëm dhe po frikësohem për të ardhmen e tyre", shton bashkëshortja e Fatlumit. "Jetë i thënçin kësaj as armiku mos provoftë", ankohet ajo. Të gjithë ata që kanë mundësi ta ndihmojnë këtë familje së paku për ta ndihmuar ta gjejë një strehë mbi kokë, këtë mund ta bëjë duke thirrur në numrin e telefonit të familjes që është 049413063. Agron Kelmendi thotë se nuk mund të paramendohet se dikush në ditët e sotme duhet të shesë gjakun për të mbajtur familjen. Kelmendi thekson se e gazeta e "Kosova Sot" ka publikuar dhe po publikon me përkushtim vështirësitë e hallexhinjve kosovarë anekënd Kosovës, andaj shpreson se dikush do ta ndihmojë këtë familje. 

(Kosova Sot)