Politikanët ‘shurdhmemecë’ nuk kërkojnë dëmshpërblimet e luftës

  • 25 September 2016 - 08:04
Politikanët ‘shurdhmemecë’ nuk kërkojnë dëmshpërblimet e luftës

PESË VJET BISEDIME ME SERBINË, DELEGACIONI KOSOVAR NUK DISKUTOI PËR DËMET E LUFTËS GJENOCIDIALE

Zeqa: Beogradi e Brukseli i servuan delegacionit të Kosovës "gjellë të gatshme"

"Përderisa pala serbe për një kishë që është dëmtuar për synime politike hegjemoniste e ngre çështjen deri në nivelin e OKB-së, këta tanët sikurse të ishin shurdhmemecë nuk i dëgjojnë hallet e popullit dhe janë tepër inferiorë, inertë e anemikë. Ata si duket nuk kanë kapacitete për të vepruar ashtu si do të duhej të vepronte ta zëmë 'burri i shtetit' në dialogun me Serbinë, për të kërkuar dëmshpërblim për dëmet e luftës", ka theksuar profesor Riza Smaka për gazetën "Kosova Sot".
P avarësisht asaj se së paku 120 mijë shtëpi të banuara ishin djegur e shkatërruar gjatë luftës nga serbët në Kosovë, por edhe ishin shkaktuar shumë dëme të tjera materiale nga Serbia gjenocidale, akoma 17 vjet pas luftës pushtetarët tanë nuk kanë arritur që të bëjnë adresimin dhe gjykimin e krimeve të luftës. Është për t'u habitur se si pas tërë kësaj kohe nga shkatërrimet, bombardimet dhe djegiet e shtetit serb me Milosheviqin në krye, politikanët kosovarë nuk denjuan të kërkojnë dëmshpërblimet nga shteti serb, edhe përkundër faktit se janë vazhdimisht në bisedime me Beogradin, shkruan gazeta Kosova Sot.

Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet, nga LDK-ja, Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se, për fatin e keq të Kosovës, lidershipi i saj në bisedimet me Serbinë është i fokusuar vetëm në dhënien e koncesioneve të shumta Serbisë dhe serbëve të Kosovës, por jo edhe në mbrojtjen e interesave të Kosovës. Së këndejmi, sipas tij, udhëheqësit e Kosovës as nuk kanë arritur ndonjë sukses në mbrojtjen e interesave të Kosovës, madje as nuk e kanë shtruar me seriozitet ndonjë çështje."Çështja e kompensimit të dëmeve të luftës është komplekse dhe duhet të përgatitemi seriozisht për këtë. Problemi i tashëm është në faktin se qeveritë e Kosovës, të cilat kanë qenë njëra pas tjetrës, as nuk e kanë bërë një evidencë të mirëfilltë e të faktuar mirë të dëmeve të shumta në njerëz dhe prona. Ndërsa, të gjitha bisedimet e deritashme kanë pasur në fokus realizimin e interesave të Serbisë në Kosovë dhe jo interesat e Kosovës", është shprehur Salihaj.

Smaka: Pala serbe për një kishë te UP-ja e ngre çështjen në OKB

Ndërkaq, profesori i së drejtës, Riza Smaka, thotë se gjithsesi faji është yni në këtë aspekt dhe kurdoherë fajin, siç tha, duhet kërkuar fillimisht tek vetvetja e më pastaj tek tjetri. Ai më tej ka rikujtuar se në vitin 2008, në kohën kur ishte deputet, këtë çështje e kishte ngritur në Kuvendin e Kosovës, duke ia adresuar qeverisë asokohe, duke pyetur se përse Qeveria nuk e merr këtë akt, i cili si i tillë është edhe juridik, politik, etik, pastaj i arsyeshëm, i nevojshëm e mbi të gjitha i domosdoshëm. Sipas tij, çdoherë pala e dëmtuar ka të drejtë në rimbursimin e dëmit moral, por edhe atij material. "Tek ne, populli ynë është dëmtuar në pikëpamje, si morale ashtu edhe materiale, dhe në mënyrën më drastike, ndërsa Qeveria jonë, për shkak të neglizhencës, mungesës së përgjegjësisë shtetërore, nuk e ka marrë asnjëherë seriozisht këtë çështje. Andaj, faji u takon të gjitha qeverive, përfshirë edhe këtë aktualen, që është përgjegjëse, e cila nuk e realizon këtë akt të nevojshëm, shumë të domosdoshëm, pasi ishte dashur ta kapitalizonte në maksimum edhe në sferën politike. Kjo pasi përderisa pala serbe për një kishë që është dëmtuar për synime politike hegjemoniste e ngrit çështjen deri në nivelin e OKB-së, ndërsa këta tanët thjesht sikurse të ishin shurdhmemecë dhe janë tepër inferior, inert e anemik, pasi nuk kanë kapacitet për të vepruar ashtu si do duhej të vepronte ta zëmë 'burri i shtetit'", ka theksuar profesori Riza Smaka për gazetën "Kosova Sot".

"Dialoguesit kosovarë në Bruksel e kanë 'bishtin e zënë me derë'"

Ndërsa, analisti Florim Zeqa ka bërë me dije për gazetën "Kosova Sot" se vetë fakti se kanë kaluar 17 vjet nga bombardimet, shkatërrimtare dhe djegiet masive të shtëpive e pronave të shqiptarëve nga barbarët serbë dhe nuk pasoi asnjë padi institucionale dhe kërkim i dëmshpërblimit ndaj shtetit serb, kjo flet për gjendjen mjeruese të politikës kosovare."Edhe përkundër faktit që është viti i pestë i bisedimeve të pandërprera me palën serbe në Bruksel, pala kosovare nuk e pati kurajën të ngre asnjë çështje të rëndësishme për vendin, e lërë më të kërkojnë dëmshpërblim për dëmet e luftës. Sipas mendimit tim, janë disa arsye se përse pala kosovare nuk e ka ngrit asnjëherë çështjen e dëmeve të luftës. E para, është fakti se në bisedimet e Brukselit lufta në Kosovë nuk trajtohet si luftë çlirimtare, por vetëm si konflikt ndëretnik, gjë e cila përveç terminologjisë denigruese të luftës çlirimtare bart me vete edhe pasoja të shumëfishta politike dhe e dyta, është arsyeja tjetër, sepse dialoguesit kosovarë në Bruksel e kanë 'bishtin e zënë me derë' për vepra kriminale dhe korruptive, andaj janë të detyruar të heshtin dhe të pranojnë çdo gjë që u servohet në tavolinën e bisedimeve. Me një fjalë, palës kosovare në bisedime u sollën "gjellë të gatshme" nga Beogradi dhe Brukseli, ua pati ëndja ose jo, dhe u duhet ta gëlltitin patjetër, në të kundërtën i pret fati i keq, i ngritjes së menjëhershme të akuzave për veprimtari korruptive dhe kriminale. Përfundimisht, përderisa në qeverisjen e vendit ta kemi një klasë të korruptuar dhe të kriminalizuar kusarësh politik, është iluzive të pritet ngritja e ndonjë aktpadie apo llogaridhënie nga Serbia për dëmet e shkaktuara nga lufta e fundit në Kosovë", ka spikatur Zeqa.

Gashi: Neglizhencë totale e shtetit juridik të Kosovës

Kurse, profesori i së drejtës, Mazllum Baraliu, mendon se për këtë gjendje përgjegjësia në radhë të parë është e institucioneve vendore, por jo më pak, siç tha, edhe atyre ndërkombëtare, përfshirë edhe misionet teknike, siç është EULEX-i që nga 2008-ta e deri më sot. Kjo ngase, sipas tij, përpjekjet e tyre asnjëherë për kaq vite nuk e kanë arritur cakun e duhur që ta ngrenë në nivel të seriozitetit e gatishmërisë për të vepruar, po edhe përgjegjësisë për të marrë përsipër si faktori ndërkombëtar dhe ai vendor, ashtu edhe qeveritë e njëpasnjëshme të Kosovës që ta konsolidojnë sistemin e drejtësisë. "Andaj ky është shkaku dhe faktori kryesor që ne sot të mos mund të kemi një gjyqësor dhe drejtësi efikase e të përgjegjshme, por të korruptuar e jo profesionale, që anon etj., e sidomos me theks të veçantë sa u përket krimeve të gjenocidit serb në Kosovë, e që kjo është e papranueshme, por edhe për të ardhur keq kur dihet se kriminelët si në Serbi, por edhe brenda Kosovës, se ka prej tyre sipas perceptimeve dhe dëshmive të qytetarëve të Kosovës që akoma enden lirshëm, derisa as EULEX-i e as faktori ndërkombëtar, por as gjyqësia vendore, nuk kanë marrë asnjëherë masa për t'u dënuar bartësit e gjenocidit dhe holokaustit në Kosovë", ka potencuar për gazetën "Kosova Sot" Baraliu. E avokati Tomë Gashi ka nënvizuar se menjëherë pas luftës janë inkuadruar një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kishin punuar në sistemin e kaluar, në kohën e Serbisë, derisa, sipas tij, të njëjtit nuk kanë qenë në gjendje, duke mos pasur forcë morale, por as njohuri, që t'i qaseshin ndjekjes së kriminelëve serbë, por edhe padisë kundër Serbisë si shtet për gjenocidin dhe për shkatërrimet që i kishte bërë në Kosovë. Më tej ai ka nënvizuar se në këtë drejtim kemi të bëjmë me neglizhencë totale të shtetit juridik të Kosovës, ngase, siç tha, këtu ka të bëjë çështja e faktorit njeri dhe jo mangësia e ligjeve apo provave, të cilat do ta vërtetonin gjenocidin e Serbisë së kryer ndaj qytetarëve të Kosovës. "Andaj ka prova të mjaftueshme për ta paditur Serbinë si shtet për shkatërrimet të cilat i ka bërë gjatë luftës në Kosovë, derisa kjo është detyrë e organeve të drejtësisë dhe nuk mund të lihet në persona apo në individë të caktuar, të cilët kanë viktima në familjet e tyre, po edhe të cilëve u është shkatërruar prona deri në djegien e gjithë infrastrukturës dhe për të gjitha këto ka fakte të mjaftueshme që të paditet Serbia, e që këtë duhet ta bëjnë prokurorët, si dhe ata që e kanë sjellë këtu këtë çështje", ka deklaruar avokati Tomë Gashi për gazetën "Kosova Sot". Në anën tjetër, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka shprehur habinë e tij duke thënë se kjo është e pakuptueshme se pse deri tani nuk është bërë një padi në gjykatën ndërkombëtare, në mënyrë që t'i kryejë obligimet e dëmshpërblimit Serbia. "Ne kemi deklaruar qysh në fillim se në bisedimet me Serbinë duhet të hyhet vetëm atëherë kur janë tema të cilat kanë të bëjnë me kërkimfaljen, me dëmshpërblimet dhe me të gjitha ato që Serbia i obligohet Kosovës. Unë e di se në fillim të qeverisjes në Kosovë është formuar një komision në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku janë mbledhur materiale, të cilat kanë qenë të deponuara për t'u ngritur një padi ndaj Serbisë, por një gjë e tillë asnjëherë nuk ka ndodhur", ka potencuar për gazetën "Kosova Sot" nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi. 

(Kosova Sot)