Heshtja e Prokurorisë Speciale për krimet në Mushtisht

  • 25 September 2016 - 20:29
Heshtja e Prokurorisë Speciale për krimet në Mushtisht

 

Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila që nga viti 2014 ka marrë kompetencën e hetimit të krimeve të luftës, nuk ka asnjë hetim të hapur për ato çfarë ndodhën në këtë fshat gjatë dhe pas luftës.

Thirrjet e protestat e banorëve të Mushtishtit për t’u hetuar krimet e luftës të cilat ndodhën në këtë fshat kanë hasur në veshë të shurdhër të Prokurorisë së Shtetit.

Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila që nga viti 2014 ka marrë kompetencën e hetimit të krimeve të luftës, nuk ka asnjë hetim të hapur për ato çfarë ndodhën në këtë fshat.

Të dhënat tregojnë për 17 shqiptarë dhe 2 serbë të vrarë e po ashtu 16 serbë dhe 12 shqiptarë të zhdukur në këtë fshat gjatë dhe pas luftës.

Por, përkundër krimeve të kryera, në Prokurorinë Speciale nuk ka asnjë hetim të hapur për ngjarjen.

Banorët e fshatit ankohen se 17 vite pas luftës nuk janë intervistuar nga askush për ato çfarë ndodhën.

Banorët synojnë që duke bllokuar kthimin e serbëve në fshat të tërheqin vëmendjen e Prokurorisë për të nisur një hetim

“I bëjmë thirrje Prokurorisë së Shtetit le të vjen edhe të bën hulumtime në Mushtisht. Ka argumente faktike, duke u bazuar edhe ne fotot që posedojmë pranë nesh dhe atëherë le të fillon dënim dhe në hapet e mëtutjeshme shohim a janë relevante për kthimin e tyre a jo”, thotë Bislim Ibrahimi banor i fshatit.

Kërkesë për hetime ka edhe Xhemajli Muharremi, dy prindërit e të cilit konsiderohen të zhdukur që nga viti 1999. “Ata unë s’un i nali me ardhë, po prindërit e mi ku janë? Ku i kanë lanë ata ushtria, le të kallxojnë ku i kanë lanë, tani nëse vijnë prindërit e mi gjallë, tani edhe ata tjerët që janë të zhdukur le të vinë”, thotë Muharremi.

Për fshatin me 19 të vrarë, përfshirë 17 shqiptarë dhe 2 serbë, dhe 28 të zhdukur, përfshirë 16 serbë dhe 12 shqiptarë, nuk ka hetime të hapura.

Zëdhënsja e Prokurorsië Speciale, Liridona Kozmaqi, thotë për KALLXO.com se Prokuroria ka të regjisturara vetëm dy raste për këtë rast, të cilat figurojnë të mbyllura pasi kallëzimet penale janë hedhur poshtë.

Ndërsa, Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thotë se kundërshtimi i banoreve shqiptarë të fshatit Mushtisht është i arsyeshëm.

“Është i arsyeshëm mllefi i tyre sepse kanë kaluar 17 vite prej luftës, ku sipas të dhënave që ne i posedojmë vetëm në fshatin Mushtisht 16 shqiptarë janë vrarë apo janë zhdukur, ka pasur vrasje makabre dhe nuk kanë pa drejtësi këto familje”, thotë Blakaj.

Debati për krimet e luftës në Mushtisht rinisi gjatë tentativës për të rikthyer serbët e fshatit.

Në kundërshtim të kthimit të serbëve pati edhe një protestë më 28 gusht. Banorët e Mushtishtit thanë se nuk ka kthim të serbëve pa u hetuar krimet e luftës dhe pa u dënuar kriminelet.
Para kësaj proteste, më 21 gusht disa të rinj nga ky fshat vendosën një pllakat në qendër të Mushtishtit. Në këtë pllakat janë emrat e shqiptarëve të vrarë dhe fotografitë e shtëpive të djegura e të shkatërruara, sipas tyre, nga ish-bashkëfshatarët e tyre bashkë me policinë dhe ushtrinë serbe.

Në protestën e 28 gushtit pati përleshje mes protestuesve dhe policisë, me ç’rast pat të lënduar e të arrestuar. E serbët që tentuan të vizitonin pronat e tyre u kthyen mbrapshtë pa e realizuar një synim të tillë.

Për pjesmarrësit e protestës kanë nisur hetimet nga Prokuroria e Prizrenit.

Ngjarjet gjatë protestës së 28 gushtit i pati dënuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

(Kosov Sot)