Kryhet referendumi kontrovers në Republika Srpska

  • 25 September 2016 - 21:05
Kryhet referendumi kontrovers në Republika Srpska

Në Republikën Srpska janë mbyllur vendvotimet e referendumit për 9 janarin si ditën e këtij entiteti, të cilin e ka kontestuar si kundër kushtetues Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Kryetari i Komisionit për mbajtjen e referendumit, Sinisha Karan, thotë se tashmë mund të thuhet se referendumi ishte i plotfuqishëm, marrë parasysh se deri në ora 17 dalja e qytetarëve në referendum ishte më e madhe se 50 për qind nga numri i përgjithshëm i të regjistruarve në listat e votuesve.

Deri në ora 17 në referendum kanë marrë pjesë 51.17 për qind e votuesve të regjistruar.

Me ligj është e paraparë që referendum është i plotfuqishëm nëse deklarohet më shumë se gjysma e shumicës së qytetarëve që kanë të drejtë vote dhe që janë të regjistruar në listë votuese.

Por përfaqësuesi i lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Valentin Inzko, më herët ka deklaruar se askush nuk e konteston të drejtën e “Republikës Serbe që të shënoj ditën e saj, por duhet që njëkohësisht, vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës i nëntorit të vitit 2015, të zbatohet deri sa referendumi është i papranueshëm dhe nuk ka fuqinë kushtetuese dhe ligjore”

Zyrtarët boshnjakë janë kundër referendumit, sepse konsiderojnë se është anti-Dayton dhe një akt kundër kushtetues.

Kundër referendumit janë edhe Këshilli Drejtues për zbatimin e paqes (PIC), Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Ambasada e SHBA-së, Bashkimi Evropian dhe vendet fqinje Kroacia e Serbia,percjell rel.

Presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, tha se nuk “frikësohet nga sanksionet eventuale”.