Monopolet e interesat mbajtën peng mosfiskalizimin e derivateve

  • 26 September 2016 - 16:24
Monopolet e interesat mbajtën peng mosfiskalizimin e derivateve

Qindra miliona euro shmangie e tatimit nga kompanitë e shtijes së naftës e benzinës

Hoti: "Shumica e naftëtarëve nuk po japin kuponë të arkave fiskale"

Interesat e individëve të fuqishëm shtetërorë e politikë janë rrjetëzuar me biznesin e derivateve të naftës, e këtu dëshmohet edhe mosdhënia e kuponëve fiskalë. Askush nuk flet për nivelin, për shumën e dëmtimit të qytetarit konsumator, taksapagues", shprehet Selatin Kaçaniku nga "Konsumatori" 

Naftëtarët kosovarë ka disa vjet që po vazhdojnë të bëjnë evazion fiskal në dëm të shtetit, duke punuar pa arka fiskale me arsyetimet se arkat janë të shtrenjta. Ata shesin me mijëra tonelata derivate nafte në një ditë dhe bëjnë evazion fiskal. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të MTIsë, ATK-së dhe MF-së, asnjëri nga këto tri institucione nuk kanë dhënë përgjigje se kur do të ndërpritet evazioni fiskal nga ana e naftëtarëve të Kosovës. Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini i ka sugjeruar gazetës që për këtë çështje të kërkohet përgjigje në Administratën Tatimore të Kosovës. Deputeti opozitar, Enver Hoti (Nisma për Kosovën), thotë se është mjeruese për pushtetin që lejon këtë evazion të madh fiskal te naftëtarët, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

"Mosfiskalizimi po bëhet me bekimin e kësaj Qeverie"

Hoti shprehet se e ulja e çmimeve të arkave fiskale ishte dhe mbetet vetëm pretekst për të mos paguar tatimet. "Shumica e naftëtarëve nuk po japin kuponë të arkave fiskale, ndonëse dihet se në fakt ata shesin me mijëra tonelata derivate nafte gjatë një dite", është shprehur ai. Shton se dora e shtetit nuk duket askund. Ai shfaq dyshimin se mosfiskalizimi po bëhet me bekimin e kësaj Qeverie. "Bëhet fjalë për një evazion të hapur fiskal përfshirë këtu edhe sasitë dhe maunat që vijnë nga kontrabanda e derivateve të naftës që dihet botërisht se bëhet në Veriun e Kosovës", u shpreh Hoti. Për problemin e pajisjes me arka fiskale, Kestrin Kumnova, zëdhënës i Shoqatës së operatorëve për shitjen e pajisjeve fiskale, thekson se kompanitë e fiskalizimit pas gjetjes se zgjidhjeve të reja teknike kanë zbritur arkat fiskale dhe çmimi i tyre është 3450 euro, pavarësisht sa dispanserë posedon pompa. " Ne nuk shohim arsye që naftëtarët t'i shmangen edhe me tutje fiskalizimit dhe presim që gjatë javës së ardhshme ky proces të përfundojë". Sipas tij, nëse pas një jave lejon ATK-ja të punohet pa arka, atëherë duhet kërkuar përgjegjësi. " Gjatë tre vjetëve të kaluar ka pasur një stopim total të procesit të fiskalizimit. Ndërkohë, këto tre vjet, buxhetit të shteti i është shkaktuar dëm qindra milionësh nga evazioni fiskal", u shpreh Kumnova.

Agjenda politike ka ndikuar në mosfiskalizim

Ndërsa, eksperti i ekonomisë Dr. Haki Shatri procesin e fiskalizimit e cilëson si dështim. Sipas tij, proceset politike kanë dominuar dy vjetëve të fundit. Shatri ka kërkuar nga institucionet qeveritare që të bëjnë presion ndaj kompanive që të pajisen me arka fiskale. "Agjenda politike është duke dominuar tek Qeveria, duke u anashkaluar kështu edhe agjenda ekonomike dhe se këto agjenda kanë ndikuar edhe në procesin e fiskalizimit të biznesit", është shprehur ai. Selatin Kaçaniku,(Konsumatori) u shpreh për "Kosova Sot", se interesat e individëve të fuqishëm shtetërorë e politikë janë rrjetëzuar me biznesin e derivateve të naftës, e këtu dëshmohet edhe mosdhënia e kuponëve fiskalë. "Askush nuk flet për nivelin, për shumën e dëmtimit të qytetarit konsumator taksapagues që i bëhet duke ia mohuar rimbursimin e tatimit nga konsumimi i derivateve të naftës, por edhe i shërbimeve publike, të ndërmarrjeve publike". Kaçaniku shtoi se rezultatet e " kontrollit " të paralajmëruar të 3 - 4 pikave të distribuimit të derivateve të naftës, në muajin gusht ( nga mbi 700 sosh gjithsej ) akoma nuk i janë dhënë publikut. "Zvarritja e fiskalizimit ishte lojë e qëllimshme e fshehjes së tatimeve, taksave e të akcizës në një sektor, i cili hëpërhë grumbullon nga qytetari konsumator taksapagues afro 20 për qind të buxhetit të Republikës së Kosovës", u shpreh Kaçaniku. Ai shton se kontrabanda e derivateve është akoma jashtëzakonisht e madhe. Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, për "Kosova Sot" u shpreh se çdo kompani që merret me shitjen e derivateve të naftës ka një përgjegjësi personale e me këto duhet që të merret MTI-ja, ATK-ja dhe Prokuroria e Kosovës. Ai tha se naftëtarët janë të fiskalizuar të parët qysh nga viti 2010. " Me rifiskalizimin e avancuar që 4 vjet kemi kundërshtuar një monopol dhe çmimet enorme të larta të arkave fiskale ku me trysninë e naftëtarëve, operatori që merrej me shitjen e arkave fiskale për naftëtarët i ka ulur çmimet e tyre prej 18500-euro në 3450 -euro", u shpreh ai. Ai tha se monopolet e mbajtën peng mosfiskalizimin. Berjani vlerëson se kjo është një fitore për bizneset e naftës që mund ta zgjedhin operatorin me çmime si në regjion dhe naftëtarët nuk kanë më arsye për mosrifiskalizim. 

(Kosova Sot)