Nëntë anëtarë jetojnë në varfëri të tmerrshme

  • 26 September 2016 - 17:58
Nëntë anëtarë jetojnë në varfëri të tmerrshme

Muhamet Dobruna nga Zahaqi i Pejës i frikësohet dimrit që po troket në derë

Marrin vetëm 125 euro ndihmë sociale

“Jemi në prag të dimrit dhe nuk e kam asnjë copë dru. Kemi shtatë fëmijë dhe jetojmë me 125 euro që i marrë si viktimë civile e luftës, jam i plagosur me thikë nga paramilitarët serbë dhe kam humbur njërin sy”, thotë për gazetën Muhamet Dobruna nga fshati Llozicë, i cili së bashku me  vëllezërit kishin ardhur në fshatin Zahaq të Pejës në vitin 1967, ku jetojnë edhe sot

Moti ka nisur të ftohet në fund të këtij shtatori, sidomos natën, kështu që fëmijët e Muhamet Dorbrunës, që jetojnë në shtëpinë e shkatërruar, po mërdhijnë. Ata bien herët dhe futen nën jorgan sa për t’u ngrohur. “Jemi në prag të dimrit dhe nuk e kam asnjë copë dru. Kemi shtatë fëmijë dhe jetojmë me 125 euro  që i marrë si viktimë   civile e luftës, jam i plagosur me thikë nga paramilitarët serbë dhe kam humbur njërin sy”, thotë për gazetën Muhamet Dobruna nga fshati Llozicë, i cili së bashku me  vëllezërit  kishin ardhur në fshatin Zahaq të Pejës në vitin 1967, ku jetojnë edhe sot. “U afruam afër qytetit me shpresë se do të kemi një jetë më të mirë , por edhe këtu po rropatem me kushte të rënda për jetë”, thotë  Muhameti, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Image

 

“Pesë fëmijë i kam në shkollë”

Muhameti falënderon gazetën “Kosova Sot” që është e përkushtuar të pasqyrojë jetën e vështirë të shumë hallexhinjve kosovarë. “Sa herë që diçka të tillë kam lexuar jam ndier mirë, se dikush për neve po menduaka. Nuk e kam menduar se edhe unë mund të jem një ditë në faqet e gazetës. Zoti ua shpërbleftë që po interesoheni për neve”, thotë  Muhameti dhe fillon t’i qajë hallet e veta. Muhamet Dobruna ishte nga fshati Llozicë i komunës së Malishevës, por Zahaqi i Pejës, ku erdhi për të jetuar, nuk e ndryshoi jetën e tij. “Pesë fëmijë i kam në shkollë”, thotë Muhameti dhe shton se dy fëmijë për momentin i ka dërguar bashkëshortja e tij te mjeku, ngase kanë marrë të ftohtë. “Janë fëmijë e nuk dinë të ruhen nga të ftohtët. Një tjetër fëmijë e kam dërguar te familja e bashkëshortes që së paku këto ditë të para të mbrëmjeve të ftohta t’i kalojë në ambiente më të mira”, është shprehur ai. Ai i falënderohet dajës së tij që i ka falur një lopë për të njomë kafshatën e gojës fëmijët e tij.  “Kam punuar  nga pak këtu nëpër fshat kur më kanë thirrur bashkëfshatarët për t’u ndihmuar në punë të fushës,  por kjo po ndodh rrallë  dhe pamjaftueshëm. Këto ditë po pres mos ndokush nga bashkëfshatarët do të presë ndonjë mezhdë për të shkuar të mbledhë disa rrema dhe mbetje të druve, për të siguruar ndonjë copë dru për ketë dimër”, është shprehur Muhameti.

Image

 

Shtëpia ka mbetur e pameremetuar  që nga paslufta

Muhameti thotë se nga Kryqi i Kuq i kanë sjellë rroba dhe mbathje për fëmijët, e po kështu edhe për atë e bashkëshorten. Shton se ndonjë nga familjarët kohë pas kohe i sjellin nga një thes miell, sepse me ndihmat që po i merr në vlerë prej 125 eurove nuk ia del të mbijetojë. Muhameti thotë se hallin më të madh e ka se si t’i sigurojë drutë për këtë dimër që fëmijët të mos mërdhijnë. Abedin Alijaj, njëri nga 300 vullnetarët ë Kryqit të Kuq në Pejë, shprehet se kjo familje është në gjendje të rëndë. Ai thotë se kjo familje jeton në një shtëpi që vëllezërit  ia kanë mbarur Muhametit para lufte, por e cila edhe sot e kësaj dite ka ngelur e pameremetuar si duhet dhe tani ka filluar edhe shkatërrohet. Sipas tij, kjo familje jeton në gjendje të rëndë materiale e shëndetësore. Ai thotë se disa ditë më parë, si vullnetar i Kryqit të Kuq kishte mbajtur një trajnim dyditor me këta familjarë për mirëmbajtjen e higjienës dhe u kishte dërguar dy pako material higjienik për mirëmbajtje të higjienës trupore dhe për pastrimin e rrobave dhe orendive. “Kur të rrokë skamja nuk di as higjienën e trupit ta mbash”, shprehet Abedini për “Kosova Sot”.

“Kam punuar nga pak këtu nëpër fshat, kur më kanë thirrur bashkëfshatarët për t’u ndihmuar në punë të fushës, por kjo po ndodh rrallë dhe pamjaftueshëm. Këto ditë po pres mos ndokush nga bashkëfshatarët  do të pres ndonjë mezhdë për të shkuar të mbledh disa rrema dhe mbetje të druve për të siguruar ndonjë copë dru për ketë dimër”, është shprehur Muhameti

“Sa herë që diçka të tillë kam lexuar, jam ndier mirë se dikush për neve po menduaka. Nuk e kam menduar se edhe unë mund të jem një ditë në faqet e gazetës. Zoti ua shpërbleftë që po interesoheni për neve”, thotë Muhameti

(Kosova Sot)