Komuna e Gjakovës ngec me funksionalizimin e konviktit

  • 26 September 2016 - 19:10
Komuna e Gjakovës ngec me funksionalizimin e konviktit

U kushton shtrenjtë akomodimi në shtëpi private.

Katër muaj më parë, në konviktin e nxënësve dhe studentëve "Sadik Stavileci" në Gjakovë, nga ushqimi ishin helmuar rreth 40 banues, dhe pasojat e këtij skandali vazhdojnë të ndihen ende, pasi konvikti nuk i ka rihapur dyert, edhe pse po bëhet një muaj që ka filluar viti i ri shkollor,raporton Gazeta Kosova Sot

Katër muaj më parë, më 24 maj, në konviktin e nxënësve dhe studentëve "Sadik Stavileci" në Gjakovë, pati ndodh një skandal i vërtetë. Dyzet banues të këtij konvikti, për shkak të simptomave të helmimit, patën kërkuar ndihmë mjekësore. Analizat profesionale mjekësore që ishin bërë tek ata që ankoheshin me simptoma të helmimit, kanë konfirmuar dyshimet se helmimi ka qenë nga ushqimi që e kishin marrë në restorantin e konviktit, gjë që e kishin thënë edhe mjekët menjëherë pas kontrollimit të parë të pacientëve. Nga frika se helmimet mund të përsëritën, inspektorët sanitarë komunalë, menjëherë pasi ishin paraqitur helmimet e para, kishin marrë vendim që përkohësisht të mbyllet restoranti i këtij konvikti ku ishin ushqyer në darkën e 24 majit, të rinjtë e helmuar.

Banuesit nga 7 komuna dhe nga veriu i Shqipërisë Kjo mbyllje e përkohshme e restorantit të konviktit të nxënësve dhe studentëve në Gjakovë, vazhdon të jetë në fuqi edhe sot e gjithë ditën. Në fakt, jo vetëm restoranti, por, aktualisht, edhe tërë konvikti i ka dyert e mbyllura. Sado që po bëhet gati një muaj prejse ka filluar viti i ri shkollor, konvikti "Sadik Stavileci" vazhdon të jetë i mbyllur, e kjo, po u shkakton mjaft telashe nxënësve të shkollave të mesme që mësojnë në Gjakovë e që vijnë nga komunat e tjera. Në fakt, në mbarëvajtjen e procesit mësimor në komunën e Gjakovës, veçanërisht për nxënësit që vijnë nga komuna të tjera, rol të rëndësishëm luan konvikti. Kjo bëhet dhe më e qartë nëse dihet se në vitin e kaluar shkollor aty ishin të vendosur 140 banues që vinin nga shtatë komuna të Kosovës dhe nga Malësia e Gjakovës, respektivisht nga komunat e pjesës veriore të Shqipërisë. "Këtë muaj, së bashku me dy shokë, kemi zënë një banesë private, çmimi i së cilës është i papërballueshëm për ne. Mirëpo, na është premtuar se shumë shpejt do të fillojë punën konvikti, e nëse kjo nuk ndodh, mund të jem i detyruar të ndërpres shkollimin nga pamundësia financiare që të mbuloj shpenzimet e akomodimit në shtëpi private", ka thënë këto ditë Armando Sukaj që ka ardhur nga një fshat i Bajram Currit, dhe vijon shkollimin e mesëm në Gjakovë. 

Premtohet rihapja e dyerve më 1 tetor Lajmet e para që vinin nga zyrtarëtkomunalë të Arsimit, ishin dekurajuese për Armandon dhe shokët e tij që kanë të njëjtin hall. Në të vërtetë, drejtoresha komunale për Arsim, Diana Qarkaxhija, kishte paralajmëruar mundësinë që të kalojë një kohë paksa më e gjatë derisa ky konvikt të mos aftësohet për të pranuar banorët e rinj. "Në shtator konvikti nuk do të ketë mundësi të shfrytë- zohet nga nxënësit e studentët, sepse, sipas vlerësimit të inspektoratit, nuk ka kushte të duhura për këtë. Jemi në pritje të nënshkrimit të kontratës me organizatën TIKA nga Turqia, e cila ka shprehur gatishmërinë që të investojë në meremetimin e tërësishëm të konviktit për çka edhe është hartua projekti përkatës Mirëpo, për momentin nuk ka shumë sinjale pozitive që në këtë konvikt shumë shpejt mund të pranohen banuesit e rinj", pati paralajmëruar drejtoresha Qarkaxhija. Mbase duke e vërejtur se nënshkrimi i kontratës me organizatën turke TIKA mund edhe të vonohet që do të vononte edhe ekzekutimin e punimeve, duket se Komuna ka ndërmarrë hapa konkretë që ky konvikt megjithatë të hapet së shpejti. Këtë, për gazetën, na ka thënë edhe Abetare Domi, udhëheqëse e zyrës komunale për informim. "Për shkak të domosdoshmërisë së konstatuar, Komuna ka bërë disa renovime në objektin e konviktit të nxënësve dhe studentëve, dhe tash, pas këtyre renovimeve, presim që konvikti "Sadik Stavileci" do t'i hapë dyert për banorë të rinj më 1 tetor. Komuna e Gjakovës ka bërë riparimet e domosdoshme dhe ka siguruar pajisje të reja për akomodim sa më të mirë të nxënësve e studentëve. Duhet thënë se ka mjaft kërkesa për akomodim në konvikt, mirëpo sivjet do te ketë kritere rigoroze për pranimin e banuesve të rinj aty, duke u marrë në konsiderim vetëm studentët e rregullt. Ndërkohë, Komuna e Gjakovës është në pritje te vazhdimit te procedurave nga TIKA, që ka konfirmuar mbështetjen për renovimin e tërësishëm të objektit te konviktit", ka thënë Domi. Kjo informatë sigurisht se do t'i gëzojë të gjithë ata që kanë dëshirë dhe kanë nevojë për akomodim në konviktin e nxënësve dhe studentëve "Sadik Stavileci" në Gjakovë. 

(Kosova Sot)