Me Qeverinë e "elefantëve" harrojeni punësimin!

  • 28 September 2016 - 07:42
Me Qeverinë e

BANKA BOTËRORE SHPALOS RAPORTIN PËR EKONOMITË NË VENDET E EVROPËS JUGLINDORE

Për vitin 2016, rritja ekonomike në Kosovë është parashikuar që të jetë 3.6 për qind, ndërsa vjet ishte 3.9 për qind. Numri i madh i paparashikuar i përfituesve nga skema e transfereve sociale për veteranët e luftës ka shtuar presionet fiskale dhe ka shtyrë deficitin në rreth 2.5 për qind të PBB-së. Investimet e huaja direkte kanë rënë për 36 për qind në gjysmën e parë të vitit 2016

Tkurret rritja ekonomike e Kosovës

Zyrtarët e Bankës Botërore të martën kanë prezantuar raportin e tyre më të ri për ekonominë në Evropën Juglindore, Kosovën dhe për rajonin si tërësi, i cili fokusohet në performancën dhe perspektivën ekonomike në vendet e Evropës Juglindore, si dhe në faktorët që, sipas tyre, ndikojnë në parashikimet për rritjen ekonomike. Zyrtarët e BB-së thanë se për vitin 2016, rritja ekonomike në Kosovë është parashikuar të jetë 3.6 për qind, që i bie se kjo rritje është më e ulët se 3.9 për qind sa ishte në vitin e kaluar. Ekonomisti i BB-së, Agim Demukaj tha se kjo rritje është solide dhe e ngadaltë dhe parashihet të jetë 3.7 për qind deri në vitin 2018. Sipas tij, rritja ekonomike e mjaftueshme për Kosovë do të ishte 7 për qind për zhvillimin ekonomik dhe uljen e papunësisë. Ai tha se ka rënie të investimeve të huaja për këtë vit si shkak i dështimeve të privatizimit të Brezovicës dhe Telekomit të Kosovës. Ekonomisti Demukaj tha se buxheti do të ketë për këtë vit dhe vitet e ardhshme presion buxhetor nga numri i madh i veteranëve të ishgueriles së UÇK-së që, sipas Qeverisë së Kosovës, janë mbi 60 mijë sish, shkruan gazeta Kosova Sot.

Papunësia, brenga kryesore

Ekonomisti i Bankës Botërore, Agim Demukaj theksoi se papunësia është problemi kryesor me të cilin ballafaqohet vendi. Sipas tij, Kosova ende mbetet me një papunësi të lartë, edhe pse në vitin 2015 BB-ja ka parë se është zvogëluar krahasuar me vitin 2014. Veç saj, Demukaj tha se papunësia ka shënuar rënie nga 35 për qind në 32.9 për qind. Arsyeja ka qenë migrimi i madh i qytetarëve të Kosovës. Por, sipas tij, kategoria që është më brengosëse është numri i të rinjve, të cilët nuk janë në punësim, nuk janë në arsim, nuk janë në trajnim. Kjo, sipas Demukajt, është rini e 'humbur' dhe kjo është rritur prej 30.2 për qind në 31.4 për qind. Në Kosovë për herë të parë kanë shënuar rënie edhe dërgesat nga diaspora sivjet deri në gjysmën e parë të këtij viti, mirëpo, sipas ekonomistit të BB-së, deri në fund të vitit ato pritet të rriten. Në paraqitjen e tij, drejtori i Bankës Botërore për Kosovën, Marco Vanelli theksoi se performanca ekonomike e Kosovës për këtë vit dhe mesazhet janë pozitive, ndërsa kjo rritje solide është mbi mesataren në Evropë, por e ulët krahasuar me mesataren 3.9 për qind të vitit 2015. Rekomandimi i Bankës Botërore në Prishtinë është se stabiliteti fiskal duhet kthyer qysh është përmirësuar vitin e kaluar dhe për vitet e ardhshme për të ruajtur 2- përqindëshin apo për të gjetur një rregull tjetër, që është i qëndrueshëm.

Presioni fiskal shton deficitin

Raporti i fundit i Rregullt Ekonomik për Evropën Juglindore (SEERER), veç Prishtinës është prezantuar në të njëjtën kohë të martën edhe në Bruksel. Panelistja Barbara Cunha, ekonomiste e lartë e Bankës Botërore dhe autore kryesore e raportit për Kosovën, nga Brukseli, ka sqaruar disa nga çështjet kryesore për Kosovën. Ajo ka thënë se masat rregulluese fiskale, të tilla si reformat e tatimeve dhe lufta kundër informalitetit, kanë vazhduar të rrisin performancën e të hyrave në gjysmën e parë të vitit 2016. Në raport thuhet se numri i madh i paparashikuar i përfituesve nga skema e transfereve sociale për veteranët e luftës ka shtuar presionet fiskale dhe ka shtyrë deficitin në rreth 2.5 për qind të PBB-së. Sektori financiar ka performancë të mirë, me fitime të larta, kreditë e këqija janë të ulëta, dhe normat e ulura të interesit po e nxisin kreditimin. Perspektiva mbetet pozitive. Rritja ekonomike në Kosovë mbështetet nga kërkesa e brendshme, mirëpo duhet të bëhet më shumë që gradualisht të arrihet produktivitet më i lartë i brendshëm dhe aftësi më e madhe konkurruese në tregun e jashtëm, nëse Kosova dëshiron të mbyllë hendekun e të ardhurave me Evropën në një periudhë afatmesme. Në nivelin rajonal, rritja ekonomike pritet të arrijë në 2.7 për qind në vitin 2016, nga 2.2 për qind sa ishte në vitin 2015. Përshpejtimi i moderuar i rritjes është parashikuar të vazhdojë edhe gjatë viteve 2017 dhe 2018."Mbështetës i përshpejtimit të rritjes ishte Serbia, ekonomia më e madhe në rajon", thuhet në raport. 

(Kosova Sot)