Oligarkët ia zgjatin jetën monopolit të homologimit

  • 29 September 2016 - 07:49
Oligarkët ia zgjatin jetën monopolit të homologimit

Shkelja e hapur ligjore dhe kushtetuese nuk nxit asnjë veprim instituciona.

Shembullin e mosndërhyrjes dhe heshtjes së Qeverisë dhe Autoritetit të Konkurrencës në luftën ndaj monopoleve e kanë quajtur brengosës ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësues të odave ekonomike. Eksperti i ekonomisë Nehat Maxhuni, ligjërues në disa kolegje të Kosovës, thotë se nuk beson se marrëveshja antikushtetuese dhe antiligjore e homologimit do të preket nga koalicioni PDK-LDK,raporton Gazeta Kosova Sot

Ndonëse janë opozitë dhe ekspertë ekonomie, dëshira e tyre ishte që të gjenin të paktën diçka të mirë gjatë kësaj periudhe gati dyvjeçare për të mirën e qytetarëve nga Qeveria e Isa Mustafës. Mirëpo, ata njëzëri pajtohen në vlerësimin e tyre se Qeveria e "elefantëve", e drejtuar nga Isa Mustafa, nuk mund të lavdërohet, sepse,sipas tyre, në asnjë mënyrë nuk e ka treguar, madje as edhe me një element, se kanë bërë një punë të mirë. Vërejtjet më të mëdha të ekspertëve dhe opozitës ndaj Qeverisë dhe sidomos ndaj Autoritetit të Konkurrencës janë për premtimet boshe të Qeverisë se ata do të luftojnë monopolet që janë instaluar nga paslufta në shumë fusha të ekonomisë, e sidomos në sferën e homologimit të makinave, ku kompania "Eurolab", që është në pronësi të vëllezërve Devolli, tash e një dekadë po vazhdon që t'i zhvatë qytetarët e këtij vendi. Kjo marrëveshje tregon se tashmë po dihet edhe botërisht se qytetarët kosovarë po humbasin me miliona euro, që dyshohet se po përfundojnë në xhepat e mafiopolitikanëve dhe bizneseve që i kanë korruptuar, për shkak të lejimit të një monopoli skandaloz në homologimin e automjeteve, pasi Qeveria e Kosovës ende nuk po ndërmerr masa ndaj monopolit. 

Asnjë masë ndaj monopolit të Devollit Ndonëse në një seri të shkrimeve, të bëra nga gazeta "Kosova Sot", por kohë më parë edhe nga shoqëria civile, marrëveshja për homologimin e automjeteve është konsideruar antikushtetuese dhe joligjore, Qeveria e Isa Mustafës dhe ministritë përkatëse, por edhe Autoriteti i Konkurrencës, veç premtimeve boshe, ende nuk po ndërmerr masa ndaj monopolit që e mban kompania "Eurolab", që është në pronësi të vëllezërve Devolli në fushën e homologimit të veturave. Dhe, derisa Qeveria "Mustafa" po hesht që ta hetojë kontratën e nënshkruar në vitin 2009, në mes të Ministrisë së Transportit dhe kompanisë "Eurolab", dhe e njëjta do të vlejë deri në vitin 2018, aq sa vlen kjo marrëveshje skandaloze, do të vazhdojë plaçkitja e bizneseve në Qendrën e homologimit të veturave. Sipas deputetëve opozitarë dhe analistëve të ekonomisë, është dashur që të ofrohen këto shërbime edhe në Qendra të tjera të homologimit, pasi ka shumë kompani që presin licencimin nga Ministria e Infrastrukturës, sepse i kanë plotësuar të gjitha kushtet me ligj dhe me Udhëzim administrativ. Njohësit e kësaj fushe dhe dëshmitarët thonë se Qendra e homologimit "Eurolab" është bërë vendi i cili paraqet "ferrin" për bizneset e ligjshme dhe të ndershme, që nuk kanë lidhje me pushtetarët e oligarkët e parapolitikës e politikës. Me këtë kontratë, si dihet botërisht, Kosova është bërë vendi i vetëm në rajon, i cili ka vendosur monopol në homologimin e veturave dhe se çmimi i homologimit në Kosovë prej 100 euro është dukshëm më i lartë, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, dhe madje është më i shtrenjtë se në shumë shtete të BE-së. Analistët pyesin se përse Ministria e Infrastrukturës, apo ajo e MTI-së, nuk po licencon edhe Qendra të tjera të homologimit të veturave dhe kush e pengon atë kur dihet se ligji dhe Kushtetuta e detyrojnë që licencat t'i jepen çdo operatori që i plotësojnë kushtet për të ofruar shërbimet. 

Opozita fajëson Qeverinë për kapjen e shtetit Përfaqësues të opozitës, ndërkaq, në vlerësimet e tyre nuk besojnë se Qeveria "Mustafa" do të ndërpresë monopolin në homologim që e kanë vëllezërit Devolli. Kështu, deputeti opozitar, Enver Hoti (Nisma për Kosovën) tha se 'Qeveria e elefantëve' nuk ka asnjë element të mirë me të cilin ajo do të mund të lavdërohet se e kanë bërë në interes të vendit dhe qytetarëve të saj. " Qeveria mund të lavdërohet dhe të krekoset vetëm me dështimet e saj dhe dhënien e tenderëve grupeve të caktuara në vazhdimin e jetës së monopolizuar, duke pamundësuar zhvillimin e ekonomisë së mesme në vend", theksoi ai. Opozitari Hoti, është i mendimit se kjo Qeveri ka huqur jo vetëm objektivat që i ka shfaqur gjatë shpalosjes së programit qeverisës, por e ka huqur edhe rrugën në oborr, ashtu si thotë populli. Hoti, duke folur se përse Qeveria "Mustafa" nuk po ka guxim që të ndërpriten monopolet e Devollëve në homologim, ka thënë se Qeveria është pjesë e fitimit në këtë biznes. "Vetë Qeveria dhe njerëzit e Qeverisë janë pjesë e atyre 'talleve'", ka thënë ai. "Më tregoni se cili prokuror ka guxim që ta hapë një çështje dhe ta hetojë një rast të tillë ", vijon më tej Hoti. Kurse, deputeti tjetër i opozitës, Bali Muharremaj (AAK) tha se ky shtet është i kapur nga politika dhe është shtet i monopolit. "Kjo Qeveri po shihet se nuk ka punuar asnjë punë të hairit, andaj edhe jemi të brengosur se nuk ka vende të reja të punës, sepse krimi e kakapluar shtetin. Andaj, besoj se kjo Qeveri nuk e ka jetën e gjatë dhe besoj se të gjithë po e shohin se gjatë këtyre dy vjetëve ata nuk kanë bërë diçka të hairit për vendin", theksoi ai. Ndërkaq, i pyetur se përse kompania "Devolli" po i zhvat qytetarët me homologim, Muharremaj tha se pushtetarët e tashëm dhe Devollët janë bashkë..(Më gjersisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)

(Kosova Sot)