Njerëz të botës së krimit, (a) po financojnë partitë politike ?

  • 29 September 2016 - 07:42
Njerëz të botës së krimit, (a) po financojnë partitë politike ?

Katër vjet subjektet nuk i janë nënshtruar asnjë auditimi.

"Si pasojë e kësaj mënyre të financimit, politika e ka të vështirë më pastaj të shkëputet nga njerëzit e krimit, e aq më të vështirë e ka të largohet nga bosët e krimit me ardhjen e saj në pushtet, të cilët kërkojnë të bëhen hisedarë në pushtetin e partive që i kanë financuar paraprakisht. Mungesa e transparencës së financimit të partive politike është treguesi më i mirë se të gjitha partitë politike, pozitë dhe opozitë, kush më pak e kush më shumë, janë të financuara nga krimi i organizuar dhe bizneset e pista të lidhura me nëntokën dhe mafinë politike në Kosovë", thekson analisti politik, Florim Zeqa,raporton Gazeta Kosova Sot

Ish-kryeprokurori i Republikës se Shqipërisë, Theodhori Sollaku, në një intervistë për mediet e atjeshme është shprehur se ne këtë vend njerëz të botës së krimit financojnë partitë politike gjatë fushatave zgjedhore. Sollaku ka pohuar se politika shqiptare e ka akoma të vështirë të shkëputet prej këtyre kriminelëve, ngase njerëz të botës së krimit, në fushata elektorale, i ngjiten klasës politike me financime. Kjo pastaj ka hendikepin tjetër, që kur vijnë në pushtet, sa do ta mbash larg këtë kontingjent. Këtë shqetësim të ngritur nga Sollaku, e shohin si rrezik permanent të lidhjes së politikës me krimin e organizuar edhe në praktikën e financimit të partive politike kosovare. Kjo për faktin se transparenca e financimit të partive politike po mungon edhe në Kosovë, tash e dy mandate të plota, prandaj me të drejtë shtrohet pyetja serioze se a është pikërisht kështu situata edhe në Kosovë? Deklaratat e përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe të analistëve politikë janë në favor të dyshimeve se edhe në Kosovë financimi i partive politike mund të bëhet nga burime të pista, se madje të gjitha partitë politike, si pozitë, si opozitë, kush më pak, e kush më shumë, mund të financohen nga krimi i organizuar, nga bizneset e lidhura më nëntokën dhe mafinë në Kosovë.

Subjektet jotransparente Eugen Cakolli, hulumtues nga Instituti Demokratik i Kosovës - KDI, dyshimin e tij e bazon në faktin që pas ndryshimit të fundit të Ligjit për financimin epartive politike është mbyllur krejtë- sisht qasja në raportet e tyre dhe nuk ka asnjë grimë transparence në raport me publikun."Që prej ndryshimit të Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike, kemi hyrë në vitin e katërt, qëkur subjektet politike nuk iu kanë nënshtruar procesit të auditimit të brendshëm. Si rezultat i kësaj, partitë nuk i kanë publikuar as pasqyrat vjetore financiare, as shpenzimet e fushatave zgjedhore. Edhe pse subjektet marrin çdo vit 2.4 milionë euro nga buxheti i shtetit, publiku ende nuk e di se sa mjete kanë pasur gjithsej në dispozicion ato. Njëjtë është situata edhe sa u përket shpenzimeve dhe financuesve të tyre. Për këtë arsye, ekziston dyshimi se shumë nga kompanitë, të cilat financojnë subjektet politike, në kundërvlerë shpërblehen me tenderë apo me forma të ndryshme klientelizmi", theksoi ai. "Kjo çështje është e rregulluar me Ligjin për subjektet politike, i cili u ndalon kompanive, të cilat janë në marrëdhënie kontraktuale me Qeverinë brenda tri viteve të fundit të japin donacione për subjektet politike. Mirëpo, dispozitat e këtij ligji nuk mund të zbatohen si duhet, duke qenë se subjektet politike nuk i janë nënshtruar audimit të brendshëm. Faktor që ka ndikuar në moszbatimin e këtij ligji është zvarritja e emërimit të auditorëve nga ana e Kuvendit, të cilët do të merreshin me auditimin e brendshëm të subjekteve politike", tha Cakolli për "Kosova Sot". Edhe pse për transparencën është dyshuar shumë me ligjin e mëparshëm, ai thotë se së paku auditimi është kryer me kohë dhe diçka është bërë publike, për dallim nga tani. 

Mungon llogaridhënia Të njëjtën dozë dyshimi e ka edhe analisti i kësaj fushe, Isuf Zejna, nga 'Demokracia PLUS'. "Financimi i subjekteve politike në Kosovë, ashtu si edhe në shumë vende të tjera, ngrit në vazhdimësi dilema dhe pyetje se kush qëndron prapa fondeve të subjekteve politike dhe nëse influenca politike mund të blihet me para, sado që me Ligjin për financimin e subjekteve politike në Kosovë janë kufizuar shumat dhe mënyrat se si një kompani apo individ mund të financojë një parti politike apo entitet tjetër politik", ka thënë ai. "Gjithashtu, në Kosovë mungon auditimi i raporteve të shpenzimeve të partive politike që nga raportet e vitit 2012. Si rrjedhojë këto raporte nuk publikohen nga KQZ-ja dhe as nga subjektet politike, në mënyrë që publiku të shohë se kush janë donatorët e tyre dhe me çfarë shuma po mbështesin subjektet politike. Përderisa kemi një mungesë absolute të llogaridhënies në lidhje me këto fonde të subjekteve politike, nuk mund të flasim shumë se kush janë financuesit e tyre", tha Zejna për "Kosova Sot". Ai ka pohuar se karshi publikut transparenca mungon si për fondet publike, ashtu edhe për donacionet, pasi me ligjin aktual është komplikuar situata e raportimit. "Përmes buxhetit të Kosovës, subjektet politike financohen me 0.38 % të buxhetit të Kosovës apo rreth 4.2 milionë euro në vit për funksionimin e rregullt, si dhe 0.05% të buxhetit të Kosovës për financimin e fushatave zgjedhore. Pra, në Kosovë subjektet politike marrin edhe fonde publike edhe private dhe e vetmja gjë, e cila mungon është llogaridhënia. Me ligj është përcaktuar që përzgjedhjen e kompanisë për auditimin e financave të subjekteve politike e bën Kuvendi i Kosovës përmes Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Kjo paraqet konflikt interesi, pasi që vetë përfaqësuesit e subjekteve politike të përfaqësuara në Komision duhet të përzgjedhin auditorët, që do të kontrollojnë financat e subjekteve politike. Ne si organizatë e kundërshtojmë këtë praktikë, pasi që konsiderojmë që pikërisht ky është problem i moskontrollit të financave të subjekteve politike", potencoi ai. 

Bosët e krimit, hisedarë në pushtet Analisti politik, Florim Zeqa, duke e krahasuar situatën në Kosovë dhe atë në Shqipëri thotë se në mungesë të funksionimit të shtetit ligjor, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë po përballemi me praktikat më të errëta të financimit të partive politike. "Deklarimi ditë më parë i kryeprokurorit të Republikës së Shqipërisë, zotit Theodhori Sollaku, se "Njerëz të botës së krimit financojnë partitë politike gjatë fushatave zgjedhore" i shkon për shtati edhe realitetit në shtetin e Kosovës. Ku si pasojë e kësaj mënyre të financimit, politika e ka të vështirë më pastaj të shkëputet nga njerëzit e krimit, e aq më të vështirë e ka të largohet nga bosët e krimit me ardhjen e saj në pushtet, të cilët kërkojnë të bëhen hisedarë në pushtetin e partive që i kanë financuar paraprakisht", tha Florim Zeqa. Ai ka pohuar se deri tek një situatë e tillë e partive politike po vjen shkaku i mosguximit të bërjes transparent financimin e tyre gjatë fushatave zgjedhore. Sipas tij, kjo për fat të keq po ndodh edhe në Kosovë tani e sa vite, e në veçanti gjatë dy mandateve të fundit, ku kryesisht partitë politike janë financuar nga bizneset e pista të nëntokave të tyre. "Mungesa e transparencës së financimit të partive politike është treguesi më i mirë se të gjitha partitë politike, pozitë dhe opozitë, kush më pak e kush më shumë, janë të financuara nga krimi i organizuar dhe bizneset e pista të lidhura me nëntokën dhe mafinë politike në Kosovë. Për dallim nga opozita, partitë në pushtet, përveç financimit nga grupet e caktuara kriminale dhe bizneset e pista, e shfrytëzojnë buxhetin dhe mekanizmat e tjerë shtetërorë për blerjen e votave të qytetarëve", tha Florim Zeqa. Ai ka pohuar se ndalja e trendit të errët të financimit të partive politike dhe përdorimit të buxhetit të shtetit për mbrojtjen e pushtetit mbetet sfidë e sistemit të drejtësisë.

(Kosova Sot)