Monopoli mbyt politikën, liderët bllokojnë reformën

  • 30 September 2016 - 07:39
Monopoli mbyt politikën, liderët bllokojnë reformën

Krerëve të partive u shkon për shtati ligji aktual.

Analistët vlerësojnë se legjislacioni i tanishëm zgjedhor u shkon në favor liderëve politikë dhe vartësve të tyre, prandaj si i tillë atyre u konvenon që për ta ruajtur primatin dhe monopolin e tyre politik e institucional ta ruajnë këtë sistem të tanishëm zgjedhor pa ndryshime,raporton Gazeta Kosova Sot

 Loja që po e bëjnë partitë politike kosovare, si ato të pozitës edhe ato të opozitës, me injorimin e vazhdimit të reformës zgjedhore që mbeti pezull në mandatin e kaluar, nga analistët politikë dhe njohësit e fushës së legjislacionit po shihet si një rrezik serioz që vendi të shkojë edhe në zgjedhjet e reja lokale dhe ato parlamentare me legjislacionin e vjetër plot defekte, i cili është në zbatim tash e 16 vjet. Një gjë e tillë mund të ndodhë nëse faktori ndërkombëtar nuk ndërhyn për të kërkuar finalizimin e reformës zgjedhore ngjashëm sikur që veproi edhe në Shqipëri. Prof. Mazllum Baraliu është shumë i sigurt që nëse politika vendore vazhdon ta mbajë në harresë procesin e reformës së filluar para 5 vjetësh, gjasat janë shumë reale që përsëri të kujtohen ndërkombëtarët dhe ta riaktualizojnë këtë proces, si nevojë e domosdoshme e pasjes së një procesi më kredibil zgjedhor në zgjedhjet e radhës. "Ndërhyrja e ndërkombëtarëve është evidente se edhe në politikat e Qeverisë, por edhe në përgjithësi, në shumë rrjedha politike institucionale në zhvillimet e këtij vendi. Edhe sa i përket reformës zgjedhore është dëshmuar, madje më shumë se një herë, se ekziston një mungesë permanente e vullnetit politik të klasës politike të Kosovës për të bërë ndryshime rrënjë- sore, ngase ky sistem çfarë është tani për tani është vënë në sprovë serioze disa herë", ka theksuar ai. 

Mungoi vullneti politik Sipas Baraliut, është themeluar edhe Komisioni i autorizuar nga Kuvendi, që ka bërë punën e tij për reformën zgjedhore, por kur ka ardhur puna deri te miratimi i ligjit me ndryshime në Parlament, sikur që ka qenë edhe Rezoluta e miratuar nga Kuvendi, nuk ka shkuar asgjë si është paraparë."Nuk ka pasur as dëshirë dhe as vullnet të mjaftueshëm të klasës politike për ta kaluar atë", tha Mazllum Baraliu për "Kosova Sot". I pyetur rreth opinionit të tij pse vazhdon disponimi politik kundër reformimit të sistemit zgjedhor, kundër procedimit të atyre ndryshimeve që janë të gatshme nga mandati i kaluar, Baraliu ka pohuar se arsyeja e vetme është se legjislacioni i tanishëm zgjedhor u shkon në favor liderëve politikë dhe vartësve të tyre, prandaj si i tillë atyre u konvenon që për ta ruajtur primatin dhe monopolin e tyre politik e institucional të ruajnë këtë sistem të tanishëm zgjedhor pa ndryshime. Baraliu tha se mangësitë që do të duhej eliminuar janë të mëdha, si në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme edhe në atë për zgjedhjet lokale.

Ligji duhet të përmirësohet Heshtjen e politikës vendore për këtë proces analistët politikë, Albinot Maloku dhe Ilir Fetahu, e shohin si një nga sjelljet më joserioze për politikën vendore, e cila pa vonesë, me vullnet të mirë dhe qëllim të krijimit të një sistemi më kredibil zgjedhor do të duhej iniciuar pa vonesë vazhdimin e asaj që ka mbetur në gjysmë të rrugës."Puna e Komisionit për reformën zgjedhore dhe grupet punuese nuk janë më aktive, për të mos thënë se janë inekzistente dhe çështja e reformës zgjedhore u hoq për shumë arsye nga agjenda e interesit. Klasa politike nuk tregoi interes për ta çuar përpara këtë problem, edhe pse si i tillë në një moment do të rikthehet", ka thënë Maloku. Njëgjykim të ngjashëm e ka edhe Ilir Fetahu, njohës me përvojë në proceset zgjedhore, ish-anëtar i KQZ-së, që ka parë së afërmi dhe është ballafaquar me defektet që ka legjislacioni në fuqi."Kosova nuk ka nevojë që të presë presionin e dikujt tjetër, atë të ndërkombëtarëve, për aktualizimin dhe realizimin e reformës zgjedhore, e cila tanimë është shumë e nevojshme, derisa të gjithë e dimë që është nevojë imediate ndryshimi i Ligjit zgjedhor, aty ka shumë gjëra të aspektit teknik, të cilat me ndryshime dhe plotësime, korrigjime dhe riformulime, do ta ndihmonin shumë një proces më të rregullt zgjedhor, më pak burokratik dhe me më pak keqpërdorime eventuale", ka potencuar ai. 

Aplikimi i sistemit, problematik Derisa Kosova po i afrohet një kalendari të ri zgjedhor, qoftë lokaleve të rregullta vitin që vjen apo zgjedhjeve të jashtëzakonshme që mund të befasojnë shpejt, nevojën e çuarjes përpara të këtij procesi e kanë aktualizuar në një diskutim edhe njohës të kësaj fushe nga instituti KIPRED. Hulumtuesi Mentor Agani tha se administrata e UNMIK-ut është ajo që ka krijuar një sistem elektoral të fortë, por që, sipas tij, vazhdimisht ka pasur probleme në zbatim, prandaj është parë e domosdoshme nevoja e reformimit dhe përshtatjes së tij me zhvillimin e rrethanave të reja sado që ndryshimet e deritanishme nuk kanë dhënë krejt atë rezultatin që dëshirohet. "Kjo ka shkaktuar krizë në jetëgjatësinë dhe në reformimin e këtij sistemi... Janë bërë ndryshime ndër vite në sistemin elektoral. Po ashtu është ndryshuar edhe kuota gjinore dhe janë bërë listat e hapura", tha ai, duke shtuar se, pavarësisht defekteve evidente, Kosova ka një sistem konstitucional që mund të avancohet akoma."Është sistem për shoqëritë e ndara dhe Kosova nuk i plotëson parakushtet për këtë sistem, sepse është fjala për shoqëri të ndarë, por te ne asnjëra nga grupet apo etnitë nuk mund ta përfaqësojë vetë shoqërinë që i takon", tha Mentor Agani nga Instituti KIPRED

(Kosova Sot)