Godina e re e gjimnazit të Gjakovës ka ngelur pa qasje në rrugën e asfaltuar

  • 30 September 2016 - 19:39
Godina e re e gjimnazit të Gjakovës ka ngelur pa qasje në rrugën e asfaltuar

Janë disa rrugë në qytetin e Gjakovës, që janë shumë të nevojshme për qytetarët, e ndërtimi i të cilave nuk mund të kushtoi edhe aq shtrenjtë, por pavarësisht nga kjo, ato vazhdojnë të mos ndërtohen dhe kjo u sjellë kokëçarje gjakovarëve,shkruan Gazeta Kosova Sot.

Tash, më shumë se 17 vite pas përfundimit të luftës, kur është pritur që qytetarët e komunës së Gjakovës do të përballen me probleme të natyrave të tjera, që kanë të bëjnë me zhvillimin më të shpejt ekonomik, me rritjen e punësimit, me përmirësimin e mirëqenies dhe kushteve të jetesës në përgjithësi, ata vazhdojnë të preokupohen me disa probleme të cilat deri më tash do të duhej të ishin zgjidhur. Fjala është për problemet e infrastrukturës, ose më saktësisht për mungesën e disa rrugëve shumë të nevojshme për gjakovarët e të cilat,sipas disa para llogarive nuk kushtojnë edhe aq shtrenjtë, por që, çuditërisht, vazhdojnë të mos ndërtohen, kuptohet për shkak të mungesës së fondeve, meqë Gjakova aktualisht vazhdon të jetë njëra ndër komunat e varfra kosovare.

Për një rrugë disa qindra metra vazhdon bllokada

Para gati katër vitesh, në Gjakovë është përurua godina e re e gjimnazit “Hajdar Dushi” njëra prej shkollave më bashkëkohore në Kosovë. Kushtet që i ofron kjo godinë janë vërtet të mira dhe ato mundësojnë që mësimdhënësit por edhe nxënësit të kenë mundësi të realizojnë në tërësi planet mësimore. Mirëpo, kushdo që ka pasur rast të vizitojë këtë objekt e ka vërejtur një mangësi të çuditshme. Deri te kjo godinë është shumë e vështirë të arrihet me makinë në mungesë të një rruge të asfaltuar deri aty. “Shumë herë deri më tash, në të gjitha nivelet e mundshme komunale, e kemi përsëritur kërkesën që të ndërtohet një rrugë, çfarëdo qoftë ajo, që mundëson qasjen me makinë deri te ky objekt. Është e pakuptimtë që një shkollë ku mësojnë 1.570 nxënës të mos ketë qasje në rrugë të asfaltuar. Këta nxënës aty ndihen të bllokuar, pasi, aktualisht ka probleme me bartjen e mbeturinave pasi automjetet që e bëjnë këtë nuk kanë qasje deri te objekti, pastaj mund të paraqitën raste shumë delikate nëse aty do të ketë nevojë të arrijnë auto-ambulancat, makinat e zjarrfikësve apo ato të policisë, e të cilat nuk do të kenë mundësi ta bëjnë këtë për shkak se askush nuk ka menduar që t’i bëhet një qasje në rrugën kryesore, edhe pse, ajo, është fare afër, vetëm disa qindra metra”, ankohej këto ditë Luan Shllaku, këshilltar komunal, që  edhe vetë punon në këtë gjimnaz.

Mungon rruga e duhur për deri te varrezat e martirëve

Është edhe një rrugë tjetër, në të cilën, qytetarët e Gjakovës, shpesh janë bllokuar. Fjala është për rrugën që nga lagjja “Mulla Jusuf” shpie në kodrën e Çabratit, e cila është shumë e ngushtë madje edhe për të qenë njëdrejtimëshe, e të mos flasim që aty zhvillohet trafiku në të dy drejtimet, prandaj edhe bllokadat janë të shpeshta. Për këtë shumë herë është ankuar edhe këshilltari tjetër komunal, Hasan Krasniqi.  “Është e domosdoshme që të ndërtohet një rrugë që do të lidhte kodrën e Çabratit me pjesën tjetër të qytetit. Kjo rrugë, nga Tyrbja e Çabratit do të shpinte deri në lokacionin e quajtur Rripe dhe kështu do të lidhej me rrugën e asfaltuar. Kjo rrugë është më e shkurt se 2 km, por ndërtimi i saj do t’u ndihmonte shumë jo vetëm banorëve të kësaj pjese të Gjakovës, por edhe të gjithë atyre që i frekuentojnë objektet që janë ndërtuar në Kodrën e Çabratit, apo familjarëve të martirëve të luftës së fundit, varrezat e të cilëve janë mu në këtë kodër. Prandaj, kujtoj se duhet gjetur gjithsesi fondet që kjo rrugë të ndërtohet”, ka thënë Krasniqi. Rrugë të ngjashme të rëndësishme ka edhe në zonat rurale, dy prej të cilave i potencojnë këshilltarët komunalë Artan Nimani dhe Anton Shala. I pari flet për domosdoshmërinë e ndërtimit të rrugës, që lidh fshatin Kralan me Shqiponjën e në këtë mënyrë edhe me komunën e Pejës, ndërsa Shala këmbëngul se domosdo duhet të ndërtohet rruga Dol-Petërshan, që i lidh dy rajone e projekti për të cilën, siç thotë ai, është dorëzua qysh në vitin 2009. Drejtori komunal për buxhet e financa, Teki Shala, e pranon se shumica e këtyre kërkesave janë të arsyeshme, por qet përpara pengesën, mungesën e fondeve. “Arsyeja është e thjeshtë – kërkesat janë shumë më të mëdha se që janë mundësitë reale financiare për realizimin e tyre. Për këtë arsye ne kemi kërkuar nga ministritë e ndryshme që disa projekte që janë më të kushtueshme të financohen nga ato”, ka thënë Shala.

(Kosova Sot)

 

Image
Image