Mustafa: Në lista të veteranëve ka persona që në luftë i kanë pasur 6 ose 7 vjet

  • 30 September 2016 - 21:16
Mustafa: Në lista të veteranëve ka persona që në luftë i kanë pasur 6 ose 7 vjet

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa duke folur për pamundësinë e pagesës së pensioneve për veteranët e luftës, tha se në këto lista ka emra të cilët gjatë luftës në Kosovë kanë pasur 6 apo 7 vjet.
Ai tha se ata që janë veteranë të vërtetë do të marrin pensionet, dhe nuk kanë pse shqetësohen.

“Mirëpo nuk kemi ne mjete t’iu paguajmë, sepse këto lista nuk janë lista të vërteta, janë lista mbi baza politike që janë formu sepse ka informata se aty ka njeri që ka marrë statusin e veteranit që në kohë të luftës i ka pas 6 vjet apo 7 vjet”, ka thënë Mustafa në transmetuesin publik.

Mustafa ka thënë se bashkë me kryeparlamentarin Kadri Veselin, do të ftojnë liderët e opozitës në një takim, në të cilin do të diskutohet çështja e shënjimit të vijës kufitare në mes Kosovës dhe Malit të Zi. Ai tha se kjo çështje duhet të zgjidhet në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë mundësinë e lëvizjes së lirë.“Nuk i kam thirrur akoma, disa javë ishin të zëna në përgatitjen e interpelancave në Kuvend. Do të merremi vesh me kryeparlamentarin Kadri Veseli, që të bëjmë një ftesë që të takohemi me opozitën për të bërë përpjekje për të gjetur një zgjidhje.  Se kjo çështje nuk duhet të bllokojë qytetarët e Kosovës për lëvizje të lirë”, tha Mustafa.

Mustafa ka ripërsëritur se tërheqja e projektligjit për demarkacionin me Malin e Zi me datën 1 shtator, nuk është tërheqje nga marrëveshja, por thotë se ka vlerësuar se situata nuk ka qenë e volitshme.

“Unë e kam tërhequr ligjin për demarkacion sepse e kam vlerësuar se nuk është situatë e volitshme. Kjo nuk nënkupton që jemi tërhequr nga marrëveshja sepse nuk kemi pasur asnjë argument se marrëveshja nuk është në rregull”, tha Mustafa.

Kryeministri thotë se toka për të cilën opozita thotë se i takon territorit të Kosovës, nuk është tokë që është  administruar nga shteti apo nga krahina siç ishte Kosova dikur.

(Kosova Sot)