Skandali me listat, nga 11 mijë - u pesëfishuan

  • 01 October 2016 - 07:28
Skandali me listat, nga 11 mijë - u pesëfishuan

ABUZIMI ME EMRIN E VETERANIT TË LUFTËS, ME PASOJA TË RËNDA FINANCIARE

Qeveria paralajmëron reduktimin e përfituesve

Kryetari i Komisionit qeveritar, Agim Çeku, thotë se numri që parashihej të ishte më i vogël u rrit dhe çrregulloi buxhetin. Kryeministri e pranon se janë bërë mashtrime. Ministri i Punës ankohet se nuk ka para për tërë këta "veteranë"

Manipulimi me listat e veteranëve të luftës së UÇK-së e ka sjellë buzë kolapsit financiar Kosovën. Këto abuzime të miratuara nga Qeveria, po cilësohen si një nga sjelljet më joserioze të kësaj klase politike në pushtet. Dyshohet se fryrja e listave është bërë përmes rrugëve korruptive dhe për qëllime elektorale, sa më shumë njerëz të futen në lista, aq më shumë vota për pushtetarët. Megjithatë, kryetari i Komisionit qeveritar për verifikimin e statutit të veteranëve të UÇK-së, Agim Çeku, vazhdon të besojë se në këto lista nuk ka parregullsi aq të mëdha, sikur po raportohet në medie, dhe sikur po thuhet nga një grup i ishpjesëtarëve të UÇK-së, të cilët po vazhdojnë të protestojnë para Qeverisë, për shkak të moskryerjes së obligimeve, me arsyetim për mungesë buxheti, shkruan gazeta Kosova Sot.

Gjeneral Çeku thotë se u beson shumë komandantëve të tij, që e kanë bërë verifikimin e listave finale dhe e kanë dorëzuar në komision. "Unë mendoj që kjo çështje mund të zgjidhet duke u rishikuar listat e përfituesve materialë, duke i rishikuar dhe hequr nga lista ata që janë duke përfituar pa të drejtë, sepse ne nuk e kemi pritur që të ketë një numër aq të madh të përfituesve, të cilët paraqiten dhe pretendojnë se janë të papunë. Pra, kjo listë e atyre që po përfitojnë pensione, të ardhura sipas ligjit, duhet të rishikohet me kujdes. Këtë e them, për faktin se që në fillim, kur i kemi pranuar të gjitha aplikacionet, vetëm 11 mijë aplikues patën deklaruar se janë të papunë, kurse tani në ndërkohë po dalin më shumë, po del se disa e kanë lëshuar punën vetëm për ta marrë pensionin dhe kjo ka qenë një situatë e papritur, që e ka bërë këtë çrregullim edhe të planifikimit buxhetor", ka theksuar Çeku.

Abrashi: Nuk kemi para

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka informuar dje kabinetin qeveritar lidhur me mungesën e mjeteve te kategoria e pensioneve për veteranët e luftës. "Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është në konsultime të vazhdueshme ditore me Ministrinë e Financave për gjetjen e këtyre mjeteve. Po flasim për mjete financiare vetëm për pagesën e muajit shtator, një minus prej 1.6 milion euro, të cilat jemi duke i kërkuar, por gjithashtu jemi në konsultime edhe për mjetet financiare për tremujorin e fundit me një faturë prej rreth 5 milionë euro në muaj. Besoj që shumë shpejt do të reagojmë për pagesën e këtij muaji, mungesën e fondit apo pagesave të pensioneve për muajin shtator, do të punojmë edhe për tremujorin tjetër për gjetjen e mjeteve shtesë", u shpreh ai. "Çështja e dytë që është ngritur në opinion ka të bëjë me pagesat e dyfishta të pensioneve. Ne kemi një rekomandim të Auditorit që të bëhen ndalesa për këto pensione. Mendojmë që ka paqartësi ligjore rreth kësaj çështjeje, por është dashur të veprojë administrata, shkaku i rekomandimit të prerë të Auditorit, por besojmë që gjatë javëve në vijim ne do të sjellim projektligj për skemat e pensioneve të ndryshme të financuara nga shteti ku do të definojmë edhe më qartë tek pensionet familjare dhe pensionet invalidore, sepse është prekur një numër i madh i familjeve të dëshmorëve të luftës, ku është ndërprerë njëra prej pensioneve. Prandaj, ne duhet të qartë- sojmë me propozimin e ri, të cilin shumë shpejt do ta sjellim në Kuvend", tha ministri Abrashi.

Mustafa: Po i paguam të gjithë, është korrupsion 

Kryeministri Isa Mustafa lidhur me këtë çështje tha se Qeveria është në një gjendje mjaft të pakëndshme dhe të rëndë në dy aspekte. "Njëri aspekt është problemi financiar, që ne nuk mund të veprojmë me llogari të hapur dhe të pakufizuar, sepse atëherë nuk menaxhojmë me buxhet, në qoftë se ne nuk mund të parashohim dhe të përballojmë këto shpenzime. Problemi i dytë është kriteri që para nesh po e vë Fondi Monetar Ndërkombëtar lidhur me programin e FMN-së, që kërkon që domosdoshmërisht të marrim masa në këtë fushë dhe ta gjejmë një zgjidhje, e cila siguron që buxheti të jetë stabil dhe të mos rrezikohet qëndrueshmëria buxhetore. Për këtë të dytën ne do të vazhdojmë të bisedojmë edhe me Kuvendin dhe institucionet e tjera të Republikës së Kosovës, që të gjejmë zgjidhje. Sepse, nëse nuk gjejmë zgjidhje, ne do të rrezikojmë të gjitha marrëveshjet që i kemi me FMN-në, do të rrezikojmë kreditë ndërkombëtare, të cilat i kemi, edhe marrëveshjet që i kemi lidhur deri tani me BERZH-in dhe me Bankën Evropiane për Investime, por edhe mjetet e tjera, të cilat i marrim nga institucionet e Bashkimit Evropian, që janë të ndërlidhura me Fondin, sikurse edhe me fondet që i kemi planifikuar nga marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për MCC-në, përkatë- sisht për Korporatën e Sfidave të Mileniumit. Të gjitha këto lidhen me disiplinën financiare edhe me përmbajtjen e kushteve që Fondi Monetar Ndërkombëtar i shtron tek ne", ka sqaruar Mustafa. "Ajo që ne duhet të procedojmë është që të bëjmë ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit, në mënyrë që ne të kufizojmë mjetet të cilat, sipas propozimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, mund t'i përballojmë si buxhet, sepse në qoftë se sivjet na rrëshqasin mjetet nga 24 milionë në 40 milionë ose në 50, atëherë shtrohet pyetja çka do të kemi, cilën faturë do ta kemi vitin e ardhshëm?". Dhe e dyta, ne nuk mund të paguajmë mjete për individë, të cilët kanë hyrë në listë aty, por të cilët nuk i kanë meritat, sepse ndryshe do të hyjmë edhe në veprimtari korruptive, sepse do të paguajmë mjete për ata, të cilët nuk meritojnë para publike. Kjo që ka ndodhur është punë tjetër, por ne duhet të bëjmë përpjekje që këtë muaj ta përmbyllim, në mënyrë që të mos mbesin, sepse në radhët e tyre ka shumë që e meritojnë. Ne kur kemi biseduar, Komisioni na ka garantuar që ai numër do të sillet rreth 12 mijë vetë, të cilët do të marrin pensione. Tash prej 12 mijë është rritur në 30 mijë, nga 30 mijë kalon në 40 mijë, dhe ne mjete është vështirë të sigurojmë, të paguajmë për gjërat për të cilat ne nuk jemi të sigurt", ka thënë Mustafa. 

Qeriqi e pranon se ka emra pa merita në lista

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve, Xhevdet Qeriqi, është shumë i sigurt, që lista është fryrë tej mase edhe me njerëz, që fare nuk kanë qenë pjesë e luftës, derisa kanë mbetur jashtë saj shumë të atillë që e kanë merituar dhe kanë sakrifikuar për lirinë e vendit. "Disa herë kam thënë dhe e përsëris se ka emra konkretë nga të gjitha zonat, për të cilët më njoftojnë veteranët e luftës. Për këtë janë në dijeni edhe institucionet e shtetit, pse nuk po veprojnë, kishte me qenë mirë me i pyet ata. Ka raste të shumta, jo pak por shumë, ku figurojnë emra të përfshirë në listë, të cilët fare nuk kanë qenë në luftë. Madje, ka raste që i njoh edhe unë vetë personalisht, derisa ata dhe sot po i gëzojnë këto të drejta dhe pse kjo nuk u takon. Tani nëse pyesni pse nuk po veprojnë institucionet, kishte qenë mirë t'i pyesni ata. Tani nuk e them vetëm unë, por secili veteran, që takohem me ta, thotë se njeh njerëz që nuk kanë qenë në luftë", ka pohuar Xhevdet Qeriçi. Një protestë e veteranëve para Qeverisë është thirrur nga Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi. Kjo protestë u mbajt si shenjë pakënaqësie kundër vendimit të kryeministrit Isa Mustafa për ndaljen e pensioneve dhe vonimin e pagave të veteranëve. "Ne sot kemi dalë të protestojmë, shkaku i disa kërkesave tona në të cilat janë shkelur të drejtat e veteranëve", tha Qeriqi në fillim të protestës.

Shteti joserioz

Analistët politikë dhe njohës të tjerë të këtij realiteti të hidhur theksojnë se një shtet, që nuk dallon dhe nuk e ndan luftëtarin nga joluftëtari është joserioz. "Fryrja enorme e listave të veteranëve përmes rrugëve korruptive dhe lidhjeve nepotike për qëllime elektorale, me moton: "Sa më shumë njerëz në lista, aq më shumë vota për pushtet", logjikë kjo primitive e liderëve partiakë, përveç se ka degraduar imazhin e luftës çlirimtare, ka bërë që shteti të tregohet i pabarabartë para qytetarëve të vet dhe joseriozë ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Një shtet, apo më mirë të themi një pushtet që ndan qytetarët sipas përkatësisë partiake dhe nuk e dallon luftëtarin e lirisë nga joluftëtari, përveçse e tregon joseriozitetin dhe banalitetin njerë- zor, paraqet papërgjegjësinë shtetërore ndaj luftë- tarëve të lirisë, invalidëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve", tha analisti politik Florim Zeqa për "Kosova Sot". Ai e sheh këtë si një pasqyrë shumë të errët që paraqet Kosova edhe para miqve ndërkombëtarë, atyre që investuan shumë në procesin e luftës për liri dhe shtetndërtimit të Kosovës. "Në anën tjetër, paraqet edhe anën më të errët të shtetit para bashkësisë ndërkombëtare, e në veçanti para aleatëve që me intervenimin ushtarak ndihmuan çlirimin e vendit tonë nga Serbia. Pushtetarët dhe të tjerët që ndikuan në fryrjen e listave të veteranëve, qëllimisht po harrojnë se ndërkombëtarët dhe qytetarët e vendit i dinë fare mirë kapacitetet dhe forcën e UÇK-së, andaj një fryrje e pakontrolluar e listave të veteranëve, përveçse është në shpërputhje me numrin real të pjesëtarëve të UÇK-së, është fyerje ndaj luftëtarëve të vërtetë dhe tallje me miqtë tanë ndërkombëtarë", tha analisti Zeqa.

Njollë e madhe

Skandal të madh, që do të mbetet njollë në historinë e procesit të shtetndërtimit të hershëm të Kosovës, e cilëson abuzimin me listat e veteranëve edhe analisti Ali Hertica. Ai thotë se gjendja, në të cilën sot janë një pjesë e madhe e veteranëve të vërtetë të luftës, është për t'u shokuar, derisa të tjerët përfitojnë benefite të pamerituara, e kur dihet se shumë nga ata që meritojnë përkujdesje të shtetit, nuk e kanë atë. "Është e tmerrshme kur në këto institucione të shtetit janë ish-komandantë dhe luftëtarë, të cilët janë shndërruar në servilë të pushtetit, duke mos e ngritur kurrë zërin për shokët e tyre, por vetëm duke u lidhur me klane dhe grupe të interesit kriminal, duke zhvatur çdo thesar të shoqërisë dhe shtetit", ka thënë ai. "Duke shikuar fryrjen e listave, del se partitë të cilat janë të përbëra nga e kaluara e UÇK-së, prejardhja e luftës, janë pjesë e fryrjes së listave, një skenar që është bërë vetëm për të siguruar partinë në pushet", tha Hertica për "Kosova Sot". "Mosdallimi i shtetit në mes të luftëtarëve të sinqertë dhe joluftëtareve, mosdallimi i luftëtarëve nga hajdutët e mirëfillte dhe nga kriminelët, do të thotë se ai shtet është vetë i tillë, se është shtet që nuk ka instalim të pushtetitshtetit ligjor, por është një regjim aparteidi dhe në shërbim të krimit të organizuar, pjesë e të cilit janë vetë pushtetarët", ka pohuar Ali Hertica.

(Kosova Sot)