Hungaria në referendum për emigrantët, sfidon BE-në

  • 01 October 2016 - 20:03
Hungaria në referendum për emigrantët, sfidon BE-në

Hungaria mban nesër referendumin lidhur me qëndrimin ndaj refugjatëve. Kryeministri Viktor Orban, i cili prej kohësh e ka kundërshtuar shpërndarjen në Europë të emigrantëve që vijnë nga zonat e luftës, ka paralajmëruar fitoren. “Do t’i japim një mesazh Brukselit. Nuk mund të bëhet politikë kundër vullnetit të njerëzve”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Kryeministria.

Sondazhet parashikojnë që 80 % e votuesve do t’u thotë jo kuotave të përcaktuara nga Bashkimi Europian. Por sërish sipas sondazheve, legjitimiteti i këtij referendumi mund të vihet në diskutim, për shkak të pjesëmarrjes në votim të më pak se gjysmës së votuesve. Kjo duke parë dy referendumet e mëparshme të mbajtura për BE-në dhe NATO-n si dhe thirrjen e disa partive të opozitës për bojkot ose votë të bardhë.

Në kutitë e votimit janë thirrur të shprehin vullnetin e tyre 8.27 milionë hungarezë. Ata do t’i përgjigjen me po ose jo pyetjes: A pranoni që Bashkimi Europian të caktojë vendosjen e detyrueshme të shtetasve johungarezë edhe pa pëlqimin e Parlamentit në vend?

(Kosova Sot)