Daja dënohet pse po shkonte te nipi

  • 01 October 2016 - 21:05
Daja dënohet pse po shkonte te nipi

Një “dënim” shtesë daja e pagoi edhe për taksi, i cili ia mori 100 euro për ta sjellë deri në Gjilan, meqë e kishte zënë nata në Bujanoc,shkruan gazeta Kosova Sot.

 Policia e ka dërguar në gjykatë të riun Valmir Sadiku, i cili ishte duke shkuar në Suharrën, së bashku me nipin e tij Dionisin, që është banor i Malësisë së Bujanocit 

Edhe mbi ata pak shqiptarë që kanë mbetur në Malësinë e Bujanocit, vazhdon të ushtrohet presion nga xhandarmëria serbe, e cila pos banorëve vendës, torturon edhe mysafirët e tyre. Kështu u ka ndodhur dy të rinjve, nip e dajë, derisa po shkonin në Surarrën, njëri te shtëpia e vetë dhe tjetri mysafir. Në vendin e quajtur “Te Silçovit”, rreth një kilometër mbi Muhoc, xhandarmëria serbe, ka ndaluar Dionis Reshat Ramadanin, 14-vjeçar nga fshati Suharrën dhe dajën e tij, Valmir Sadiku, 22-vjeçar nga Gjilani dhe i ka kërcënuar ata. Reshati ka thënë se në formë të pyetjeve e të kërcënimeve, xhandarmëria i ka pyetur ata nëse kanë armë dhe nëse kanë lidhje me ISIS-in. Po ashtu, i kanë pyetur për njerëzit që po kalonin rrugës, se kush janë ata, ku po shkojnë dhe pyetje të tjera provokuese. Duke qenë të rinj, Dionisi dhe Valmiri janë frikësuar nga xhandarmëria. Xhandarmëria nuk është mjaftuar me kaq, por e ka ftuar policinë dhe ua kanë dorëzuar atyre Dionisin dhe Valmirin. Pas marrjes në pyetje, Dionisi është liruar, ndërsa Valmirin e kanë dërguar në Bujanoc, ku gjykata e ka dënuar me 50 euro. Meqë ka qenë vonë, Sadiku është detyruar të paguajë 100 euro për taksi, që të shkojë në Gjilan e të kthehet t’i sjellë paratë e dënimit si dhe dokumentet personale.

 Rruga Muhoc-Zarbicë tmerron serbët

“Ky është një veprim psikologjik i xhandarmërisë serbe, që përmes situatave të tilla të frikës, t’ua bëjë me dije atyre pak familjeve që janë duke jetuar në këto fshatra të Malësisë dhe atyre që mendojnë që të kthehen, se nuk kanë vend këtu”, thotë Reshat Ramadani, babai i Dionsit. Ai ndien keqardhje që përveç mikut, Valmirit, xhandarmëria e ka frikësuar edhe djalin e tij 14-vjeçar, duke vepruar në kundërshtim me lirinë e lëvizjes dhe të drejtat elementare të secilit njeri për të jetuar e punuar në pronën e vetë. Këto sjellje të xhandarmërisë, popullata shqiptare i konsideron si reagim të qarqe të caktuara të pushtetit serb, ndaj fillimit të ndërtimit të rrugës Muhoc-Zarbicë, e cila ka hapur mundësi të reja për kthimin e të zhvendosurve dhe ka krijuar perspektivë jete për familjet që janë duke jetuar në Malësinë e Bujanocit. Që nga ajo ditë, kur rruga Zarbicë-Muhoc ka filluar të punohet, është ngjallur qarkullimi drejt këtyre fshatrave. Por, realiteti i ri që po krijohet në këtë trevë, si duket nuk po shihet me sy të mirë nga xhandarmëria serbe, nga frika se mund të kthehen banorët shqiptarë në tokat e veta, prej nga i kishin dëbuar dhunshëm në vitin 1999. Mbetja e më pak se 20 familjeve të shqiptare në gjithë këtë Malësi, duket se nuk e ka brengosur aq shumë pushtetin serb, sepse i ka konsideruar kafshatë të lehtë për t`i dëbuar, kurdo që t`i duhej. Tani që njerëzit kanë filluar të lëvizin më shpesh andej, të kthehen e të investojnë në vatrat e tyre, xhandarmëria serbe është acaruar më tepër dhe, duke e pasur ende në shpirt urrejtjen ndaj shqiptarëve, kanë filluar me maltretime sporadike, fizike e psikologjike, për të përshkallëzuar ndoshta më vonë dhunën, me rrahje, dëbime e ndalesa të banorëve.

 Shqiptarët në Luginë, popull i pambrojtur

Këto veprime të xhandarmërisë serbe, shqiptarëve të Malësisë së Bujanocit ua rikthejnë në kujtesë gjendjen pas vitit 2000. Ata rikujtojnë dëmtimin e shtëpive në Novosellë, djegien e zyrës së vendit në Zarbicë, kërcënimet me armë e ofendime në baza nacionale nga individë serbë, madje duke u sugjeruar banorëve të kësaj ane, që të largohen sa më shpejt në drejtim të Kosovës, ku janë strehuar një pjesë e madhe e shqiptarëve, sikurse edhe marrjen e kafshëve, pa dhënë përgjegjësi askush për to, mos vazhdimin e afateve të dokumenteve personale për banorët e këtushëm, kërcënimet dhe tentim rrahjet në oborre të shtëpive dhe të tjera. Llogaritet se vetëm në Gjilan jetojnë rreth 15 mijë shqiptarë të zhvendosur nga Kosova Lindore, kryesisht nga Malësia e Bujanocit. Përndryshe, fillimi i ndërtimit të rrugës Zarbicë-Muhoc, ka lëvizur interesimin e banorëve të fshatrave të Malësisë së Bujanocit për t`u kthyer në vendlindjet e tyre. Pas Nevzad Abdullahut, këto ditë në Priboc është kthyer edhe Rexhep Hajdini. Pasi jetën në këto fshatra duhet filluar nga e para, ndihma e bashkatdhetarëve për Nevzad Abdullahun nuk ka munguar. Bashkëvendësit i kanë blerë një lopë, ndërsa tani atij i është dhuruar nga donatorët edhe një motokultivator, falë angazhimit të deputetit shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Fatmir Hasani dhe kryetarit të komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi. Ai është ndihmuar edhe me një shumë të caktuar financiare nga bashkatdhetarët. Por, shqiptarët në Luginë vazhdojnë të mbeten popull i pambrojtur nga bashkësia ndërkombëtare. 

(Kosova Sot)