Komuna kërkon kredi të butë për ndërtimin e tri ndërtesave

  • 01 October 2016 - 21:13
Komuna kërkon kredi të butë për ndërtimin e tri ndërtesave

Drejtori Petrit Loci shprehet se kanë siguruar truallin për 3 objekte për këto kategori të qytetarëve dhe se presin që t’u lejohet një kredi e butë në vlerë prej 5 milionë eurove për ndërtimin e këtyre objekteve, ku secila nga to do të ketë nga 25 apartamente,shkruan gazeta Kosova Sot.

Edhe pse po kalojnë 17 vjet pas luftës së fundit në Kosovë, komuna e Pejës nuk ia ka dalë që të ngre asnjë objekt social për të pastrehët. Afro 400 qytetarë të kësaj komune, kanë kërkuar që t`u zgjidhen problemet e banimit nga komuna, ngase edhe pas kaq vitesh nuk ia kanë dalë që t’i rrisin shtëpitë e tyre të djegura nga lufta dhe të zgjidhin problemin e strehimit. Ndryshe llogaritet se janë 70 raste emergjente, të cilat kanë nevojë urgjente për zgjidhjen e çështjes së banimit.

Pas fazës emergjente të pasluftës, nuk u punua asnjëherë në projekte të strehimit

Falë ndihmës së organizatave ndërkombëtare dhe OJQ-ve të shumta, pas luftës u mundësua rindërtimi në fazën emergjente, pas kthimit nga shtetet ku ishin dëbuar në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni dhe gjetiu. Një pjesë e mirë e këtyre objekteve u ringrit, e ku kontribut të veçantë në këtë drejtim ka dhënë edhe mërgata jonë, duke ndihmuar familjarët e tyre në Kosovë, që të sigurojnë një strehë mbi kokë. Falë këtyre intervenimeve, një pjesë e mirë e qytetarëve siguruan në njëfarë mënyre sistemimin e tyre në atë fazë emergjente, kurse në vitet në vijim vazhduan më rindërtimin e tyre dhe një pjesë tjetër u strehuan në banesa dhe shtëpi private të boshatisura nga banorët e mëparshëm.

Ani pse Komuna e Pejës kishte nevojë të madhe të ndihmohej për ndërtimin e banesave sociale, ngase kishte dalë nga lufta e djegur dhe e bërë shkrumb e hi dhe më një numër të madh të viktimave, dëshmorëve dhe të zhdukurve, deri më sot asnjëra nga qeveritë e deritashme nuk ka ndarë asnjë cent apo ndonjë grant qeveritar për ndërtimin e banesave sociale që të sigurojë të pastrehët e kësaj komune. Falë një donatori nga Emiratet e Bashkuara, vite më parë ishte ndërtuar një objekt për këtë kategori të rëndë sociale të qytetarëve të Pejës, ku ishin strehuar disa dhjetëra familje, kryesisht të familjeve të veteranëve apo dëshmorëve që nuk kishin strehë mbi kokë.

Mbeten nëpër “dyer të huaja”

Në një tubim me qytetarë, të mbajtur ditë më parë në kuadër të projektit “Dyer të hapura”, sërish u parashtrua domosdoja që komuna e Pejës të mendojë seriozisht për të pastrehët dhe të gjejë mjete përmes donatorëve apo granteve qeveritare që të bëjë një zgjidhje për këta të pastrehë, të cilët edhe pse kaluan 17 vjet nga lufta nuk e kanë akoma të zgjidhur çështjen e banimit. 

Një rasti tillë është ai i Fatlum Xhemajlit, i cili që 17 vjet ka kaluar në më shumë se 12 shtëpi të huaja dhe banesa së bashku me gruan dhe dy fëmijët, i cili gjatë kësaj jave ka pasur ta lëshojë edhe banesën e fundit, për çfarë kishte kërkuar ndihmë nga kryetari dhe Komuna. Ai thotë se do të mbetet në rrugë, nëse ndonjë shpirtmirë nuk ia shtrin dorën, ngase nga zyrtarët komunalë më nuk pret asgjë. “Ata vetëm më thonë Zoti të ndihmoftë”, shprehet Xhemajli.

Edhe Shpresa Krasniqi, njëra ndër të pastrehët e komunës së Pejës, tha se ka sa vite që së bashku me dy fëmijët e saj dhe bashkëshortin jeton në një barakë me dërrasa, në një kodrinë të qytetit, në kushte të mjerueshme. Ajo ka kërkuar nga drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqene Sociale në Pejë që problemi i saj të zgjidhet pa hyrë dimri. “E di se edhe njerëzit e tjerë kanë nevojë, por kam frikë për fëmijët në prag të dimrit, që ta pres edhe dimrin në atë kuti prej druri”, thotë ajo.

 Premtimet e Komunës

Petrit Loci, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, tha se Komuna e Pejës ka të evidentuar afro 400 familje të pastrehë, të cilët kanë aplikuar për zgjidhjen e çështjes së strehimit të tyre nga të cilat afro 70 raste kanë nevojë emergjente për strehim.“Të tjerët kanë parashtruar kërkesat e tyre, por nevojat e tyre nuk janë aq emergjente”, ka thënë Loci, duke shtuar se janë në biseda me Ministrinë për Mirëqene Sociale dhe se kanë siguruar truallin për 3 objekte për këto kategori të qytetarëve dhe se presin që t’u lejohet një kredi e butë në vlerë prej 5 milionë eurove për ndërtimin e këtyre objekteve, ku secila nga to do të ketë nga 25 apartamente.“Nëse ia dalim të sigurojmë këtë kredi dhe këtë mbështetje nga Ministria, komuna e Pejës do të ndërtojë në vitin që vjen 75 banesa sociale dhe me këtë do të zgjidhet pjesërisht ky problem akut i të pastrehëve”, ka thënë Loci.

(Kosova Sot)