E la burri, tash e rrit vajzën e vetme

  • 15 October 2016 - 20:52
E la burri, tash e rrit vajzën e vetme

“Ka muaj prejse jam këtu. Nuk i kam parë asnjë nga familja ime, më mungon shumë nëna, motra dhe vëllai. Sa i përket burrit, ai më ka mashtruar dhe lënduar aq shumë, sa nuk dua ta shoh më. Ai nuk më ka pranuar mua as vajzën time”, thotë kjo nënë e re, shkruan gazeta Kosova Sot.

Gratë vazhdojnë të jenë viktimë e dhunës në familje. Kështu thonë drejtues të shoqatave për mbrojtjen e të drejtave të grave në Pejë. “Kam parë gra të dhunuara, të cilat kishin harruar të buzëqeshin, por arrijnë të mbijetojnë dhe t’i rrisin fëmijët e tyre me frymën dhe dashurinë e një nëne”, thotë Ardita Ramizi-Bala, koordinatore në Qendrën “Shtëpia e sigurt” në Pejë. Sipas saj, ka shumë gra dhe nëna, të cilat zgjasin dorën për ndihmë, dhe të cilat kthehen prapë nga kanë ardhur, sepse nuk ka që ua shtrin dorën e ndihmës.

 Strehimi i grave që pësuan dhunë në familje

Menaxherja Ardita Ramizi-Bala thotë se edhe pse Kosova sot ka ndoshta ligjet më të mira në Evropë për ta luftuar dhunën në familje, gratë, sot përballen me shumë padrejtësi. “Shumë pak prej tyre i nxisin që të kanë guxim dhe të flasin për të kërkuar lirinë e tyre, lirinë e gruas, për të kërkuar që të mos u nëpërkëmbet dinjiteti i tyre prej njeriut dhe prej femrës, për të kërkuar imazhin që ato duhet ta kanë dhe që e dëshirojnë, për ta kërkuar dhe pasur lirinë që aq shumë akoma u mungon”, thotë Ramizi Bala.

Duke folur  për punën e kësaj qendre, ajo thotë se përpos strehimit dhe ushqimit u ofrojnë edhe këshillime psiko-sociale, këshillime individuale dhe grupore për gra.

Qendra u ofron të mbijetuarave të dhunës, grave dhe fëmijëve siguri, ushqim dhe veshmbathje, mbështetje psiko-sociale. Në bashkëpunim me institucionet përkatëse ofrohen përkujdesje mjekësore, juridike, trajnime edukative për ngritjen e vetëdijesimit dhe fuqizimit të tyre. Po ashtu organizohen, kurse për rrobaqepësi, kuzhinieri, kompjuter, floktari si dhe aktivitete të tjera rekreative: aerobik, thurje, qëndisje, art, lexim etj. Sipas menaxheres, kjo strehimore për periudhën kohore dhjetor 2002-shtator 2016 ka strehuar afro 1400 gra dhe fëmijë.

Rrëfimi prekës i nënës së re

Në këtë qendër është e strehuar dhe B.M., e cila në një rrëfim të saj ekskluziv për “Kosova Sot” flet për jetën e saj dhe shkaqet që atë e kanë sjellë në këtë shtëpi. “Unë jetoj në një vend të vogël në perëndim të Kosovës, babai ka vdekur dhe unë jam vajza më e madhe në familje dhe jetoj me një motër më të vogël dhe dy vëllezër”, thotë ajo.

Në moshën 20-vjeçare, ajo mendoi se gjeti “fatin e jetës”, dhe u fejua me djalin që e donte, por pas martesës thotë se e maltretonte nëna e burrit dhe kjo bëri që të kthehet te prindërit. “Burri thoshte se më donte mua, dhe ne prapë filluam të dilnim dhe bashkëjetonim gjersa unë mbeta shtatzënë dhe ai filloi të më keqtrajtonte në forma të ndryshme”, rrëfen kjo e re.

Ajo nuk i kishte treguar askujt në familje për shtatzëninë,  nga droja se do ta detyrojnë me abort, kurse pas lindjes thotë se e dëbuan dhe pastaj gjeti strehim në Qendrën “Shtëpia e Sigurt”. “Ka muaj prej se jam këtu. Nuk i kam parë asnjë nga familja ime, më mungon shumë nëna, motra dhe vëllai. Sa i përket burrit, ai më ka mashtruar dhe lënduar aq shumë sa nuk dua ta shoh më. Ai nuk më ka pranuar mua as vajzën time”, thotë kjo nënë e re.

Tani, ajo po mësohet me jetën e pavarur dhe po merr pjesë në kurse të rrobaqepësisë dhe dëshiron që të kujdeset për vajzën e vogël. “Kur të rritet do ta mësoj të ketë kujdes nga burrat e dobët, të cilët të detyrojnë të besh gjëra të këqija dhe të humbin vlerat dhe moralin”, thotë B.M.

(Kosova Sot)