Rafuna alias Kertesi i Kosovës

  • 27 June 2015 - 16:05
Rafuna alias Kertesi i Kosovës

Denoncohet rëndë drejtori i doganave Lulzim Rafuna 

Të paktën 40 kompani të oligarkëve e kalojnë kufirin doganor kosovar pa iu nënshtruar asnjë lloj kontrolli doganor, vetëm në bazë të urdhërit të favorizimit që u bëhet nga drejtori i Doganave, Lulzim Rafuna.

Sipas një denoncimi me shkrim, që ka mbërritur në Redaksinë e gazetës “Kosova Sot”, mbrëmjen e të premtes të datës 26.06.2015, rreth orës 21.45, kontrabanda dhe krimi po ndodh me bekimin e drejtorit të Doganave, Lulzim Rafuna, në të ashtuquajturin “kanali i kaltërt”.

Në këtë mënyrë, “Kanali i kaltër”, i cili ishte trumbetuar më herët nga kreu i Doganës, Lulëzim Rafuna, si një projeksion për t’iu mundësuar kompanive kalim shumë më të shpejtë, përmes procedurave doganore me kosto më të ulët, është shndërruar në kanalin e kontrabandës dhe krimit .

“Sipas ligjit, kanali i kaltër funksionon për KFOR –in, për ambasadat dhe jo për bizneset, por Doganën e kanë privatizuar, duke na vjedhur dhe duke na shkatërruar neve dhe popullin, si dhe të gjithë Kosovën. Besim Curri tek  Amortizatorët, në terminalin e “famshëm” të Devolli-t, na mbyti dhe po na merr nga 200, 500 eero, por edhe 50 euro t’i merr kasapi i Doganës. Besim Curri, së bashku e në sintoni me drejtorin Lulëzim Rafuna, për shumë vite kanë vjedhur bashkë në drejtorinë ligjore për ankesa dhe tashmë janë sërish bashkë duke na dhunuar e plaçkitur neve bizneset e ligjshme dhe po na mbysin e po na shkatërrojnë”, ka denoncuar burimi në fjalë në mirëbesim në Redaksinë e gazetës “Kosova Sot”.

Për më tepër, denoncuesi i kontrabandës dhe krimit të organizuar në doganat e Kosovës dhe pikërisht duke apostrofuar terminalin Devolli tek Amortizatorët , dhe jo vetëm, e që po zhvillohet së fundmi përmes “kanalit të kaltërt”, e krahason kreun e Doganave, Lulzim Rafuna, me ish- drejtorin e Shërbimit federal doganor, super-mafiozin e kriminelin Mihajl Kertes, i cili e ka marrë famën e keqe pikërisht për shkak të kontrabandës dhe krimeve ekonomike që ka prodhuar sa kohë ka qëndruar në krye të Doganës, me urdhër dhe leje të Slobodan Milosheviqit në ish-RFJ. Por, pyetja shtrohet, kush është sot shefi Lulzim Rafunës, pasi shefi i Kertes –it dihet se ishte kryekrimineli serb Milosheviqi?

(Kosova Sot)