Dikur nuk kishin brekë, sot multimilionerë

  • 19 October 2016 - 07:54
Dikur nuk kishin brekë, sot multimilionerë

POLITIKANËT E KAMUR MBI KURRIZIN E POPULLIT

Dyshohet se disa oligarkë pasurinë e kanë fshehur jashtë vendit

Hetimi dhe zbulimi i pasurisë së kundërligjshme të politikanëve jashtë Kosovës duket mision i pamundur nga drejtësia kosovare

Akuzat dhe kundërakuzat e liderëve politikë në drejtim të njëri- tjetrit, se kush është më i pastër dhe kush më abuzues me paranë e shtetit, të zhvilluara gjatë fushatave parazgjedhore, kanë hedhur dyshime se shumë figura të politikës disponojnë edhe pasuri të kundërligjshme jashtë Kosovës, nga të gjithë ata që e kanë pasur pushtetin, në periudha të ndryshme, që nga paslufta e deri më sot, e që tash janë qoftë në pozitë apo në opozitë. Vendet ku dyshohet se fshihet pasuria e tyre, e që janë përmendura në ballafaqimet zgjedhore, mund të jenë në Zvicër, Dubai, Ishujt Kajman etj., qoftë në para, qoftë si prona jashtë Kosovës, të blera me para të vjedhura nga buxheti. Prokuroria e Shtetit nuk flet nëse është duke bërë ndonjë hetim të bashkërenduar edhe me organizmat ndërkombëtarë, për të zbuluar akuzat dhe kundërakuzat, pohimet publike të individëve ndaj njëri-tjetrit. Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, pohon se sado që tani nuk ka një proces hetimor nga ky aspekt i krimit dhe korrupsionit, ngase edhe prokuroria nuk jep shenja veprimi, me ndryshimet graduale në politikë dhe qeverisje të vendit, gjithsesi që edhe këta abuzues do të hetohen, ndiqen dhe dalin para drejtësisë së shtetit ligjor të Kosovës. "Edhe kjo fazë e hetimit dhe ndjekjes është e kuptueshme se do të vijë koha e përgjegjësisë. Askush nuk do të jetë përgjithmonë i papërgjegjshëm, askush nuk do të mund t'i ikën përgjegjësisë, kjo klasë politike pozitë dhe opozitë. Të gjithë ata që mund të jenë pjesë e këtyre abuzimeve individualisht do t'u nënshtrohen organeve të drejtësisë, nuk do të ketë përjetësisht shmangie nga përgjegjësia", theksoi Burjani, shkruan gazeta Kosova Sot.

Prokuroria e ka vështirë të gjejë xhirollogaritë e fshehta

Se mund të jetë një pasuri e madhe e vjedhur nga shteti dhe populli, prej politikanëve të papërgjegjshëm që e kanë fshehur jashtë vendit, dyshimin e thellë e shpreh edhe analisti politik Florim Zeqa. Ai thotë se kur flasim për pasuritë e kundërligjshme të politikanëve kosovarë që kanë pasur pushtetin në Kosovë, në periudha të ndryshme, që nga paslufta e deri në ditët e sotme, e që supozohet se i kanë të deponuara, fshehura miliona, ndoshta edhe miliarda në bankat jashtë Kosovës, si në Zvicër, Dubai, Ishujt Kajman, etj., atëherë kemi të bëjmë me një çështje mjaft komplekse, por se ajo faktohet nga akuzat që i janë bërë shpesh njëri-tjetrit, madje në mënyrë shumë publike. Sipas tij, zbulimi mund të bëhet vetëm me një hetim të bashkërenduar edhe me rrjetet ndërkombëtare antikrim. "Fakti që i heq të gjitha dilemat se politikanët tanë kanë pasuri të fshehura jashtë vendit e vërtetojnë akuzat dhe kundërakuzat e pushtetit dhe opozitës gjatë fushatave parazgjedhore, duke tentuar rrënimin e njëri-tjetrit përmes zbulimit të vjedhjes së parasë publike. Në rastet e fshehjes së pasurisë së paligjshme të politikanëve tanë në vendet e sipërpërmendura, Prokuroria e Shtetit, për të mos thënë të pamundur, e ka tepër të vështirë t'i gjejë llogaritë e tyre bankare, ngase në disa prej shteteve të sipërpërmendura xhirollogaritë nuk hapen si persona fizikë (me emër dhe mbiemër), por vetëm në bazë të 'kodeve sekrete fiskale'", potencoi Zeqa."Vetëm një bashkëpunim i zgjeruar i Prokurorisë Speciale të Shtetit me prokuroritë e vendeve ku dyshohet se ndodhen paratë e kundërligjshme të politikanëve kosovarë mund të çojë në zbardhjen e adresave të duhura për zbulimin e milionave të fshehur. Edhe pse kjo aspak punë e lehtë, do të ishte me interes dhe me vlerë të madhe për vendin", ka thënë ai. 

Po na udhëheqin analfabetët 

Sipas ekspertit të fushës së ekonomisë, Nehat Maxhuni, humbjet e shtetit nga një vjedhje e tillë e sofistikuar kriminale janë tepër të mëdha, por ato nuk po i heton askush, madje as brenda vendit, sado që vjedhjen e shtetit po e bëjnë njerëzit e "ekspres" shkollave politike."Që nga paslufta e deri më tani jemi dëshmitarë të asaj se sa politikanë dhe pushtetarë të Kosovës në periudha të ndryshme kohore e kanë qeverisur Kosovën. Kush kanë qenë ata dhe prej nga kanë ardhur? Në çfarë gjendje arsimore dhe ekonomike kanë qenë dhe ku janë sot. Jemi dëshmitarë të asaj që 90% e pushtetarëve, të cilët e kanë udhëhequr Kosovën dhe janë duke e udhëhequr, as shkollim fillor të hairit nuk kanë pasur e mos të flasim për shkollim të mesëm. Pas lufte fillimisht u pajisën me diploma të Pejës e më vonë edhe të kolegjeve private, por edhe të fakulteteve publike pa shkuar fare dhe pa e lexuar as edhe një rresht në asnjë provim të kaluar nga ana e tyre", ka theksuar ai."Nëse i shikon nga ana ekonomike pothuajse të gjithë nuk kanë pasur edhe veshmbathje të hairit e lëre më të mos flasim për vetura e shtëpi luksoze. Këta njerëz në momentin që e kapën pushtetin u pasuruan dhe u bënë milionerë. Milionat e tyre fillimisht shihen në Kosovë, ku edhe jemi dëshmitarë që kanë pasuri milionëshe, për të cilat Prokuroria për fat të mirë ka njohuri të mjaftueshme, e për fatin tonë të keq nuk ka ndërmarrë asgjë deri më sot. Kur këta miliona shihen në Kosovë dhe nuk ndërmerret asgjë për ta hulumtuar prejardhjen e tyre, parashtrohet pyetja kush do ta identifikojë pasurinë e tyre jashtë vendit dhe kush do ta luftojë këtë dukuri...? Prandaj edhe jemi këtu ku jemi", tha Maxhuni për "Kosova Sot".

Verifikimi, pjesë e dekriminalizimit

I pashpresë për ndryshime të shpejta në politike dhe drejtësi, për ta marrë seriozisht hetimin e kësaj forme perfide të vjedhjes së shtetit, është edhe analisti politik Ali Hertica."Tani për tani shpresat janë krejtësisht pritje në mjegull dhe me gjasa krejtësisht teorike të hetimit të kësaj pasurie të kundërligjshme. Mirëpo, si e thotë populli kungulli mbi ujë nuk i shkon askujt përgjithmonë. Sado që mund të duket një proces i vonuar, një ditë jo edhe aq të largët do të duhet të fillojë edhe fushata e zbulimit të pasurisë së paligjshme të politikanëve tanë, atyre që janë dhe atyre që ishin në pushet. Dihet shumë mirë e kaluara e shumicës së tyre, dihet se kur erdhën në pushtet, shumë nga ata i patën hyrë politikës thënë figurativisht me brekë të leckosura dhe për një kohë të shkurtër filluan të promovohen si multimilionerë. Kjo është ajo periudha e tyre e "artë" e pasluftës, që bëri të ngrihen e të pasurohen shumë të tillë, duke e zhvatur pa asnjë kursim dhe tmerrësisht pasurinë e qytetarit", tha Ali Hertica. Sipas tij, procesi i hetimit të tillë duhet të fillojë që nga momenti kur Kuvendi i Kosovës do ta miratojë Ligjin për të verifikuar pasurinë e secilit, si pjesë e pakos për dekriminalizimit të shtetit dhe të politikës. 

(Kosova Sot)