Klani "Pronto" rrënon biznesin

  • 22 October 2016 - 07:48
Klani

Ka disa vjet që Kosova vazhdon të mos jetë vend i përshtatshëm për të bërë biznes. Nga ky ambient jo i mirë, më së shumti kanë vështirësi bizneset e vogla dhe të mesme, por edhe bizneset e tjera të ndershme, të cilat nuk janë të lidhura me klanin "Pronto",shkruan gazeta Kosova Sot.
Sipas ekspertëve të fushës së ekonomisë, vetëm brenda një viti mbyllen mbi 2 mijë biznese, që është një sinjal i keq dhe tregon se të bërit biznes në Kosovë për shkaqe të shumta është vështirësuar, veçanërisht për ato biznese të ndershme që nuk janë të afërta me politikën. Në bazë të të dhënave të publikuara në ueb-faqen zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), mësohet se vetëm në vitin 2015 janë mbyllur 2 mijë e 199 biznese. Po sipas të dhënave të kësaj ministrie, thuhet se nga vitit 2010 deri në vitin 2014 janë shuar hiç më pak se 6 mijë e 670 biznese. Analistët thonë se pa një konkurrencë dhe një treg të lirë nuk ka mundësi që të ketë zhvillim fer të biznesit privat, nuk do të ketë zhvillim ekonomik dhe zvogëlim i papunë- sisë.

Rritja e befasishme e kompanive të vogla

Përfaqësues të organizatave joqeveritare që veprojnë në Kosovë thonë se tregu i Kosovës është i monopolizuar, pasi që sipas tyre fuqinë në treg e bartin kompanitë private, që janë të lidhura me pushtetin në nivel qendror dhe lokal, por edhe me partitë politike. Veç saj, ata thonë se tenderët publikë kanë fuqizuar veprimtarinë e këtyre kompanive, që dikur nuk kanë ekzistuar apo kanë qenë biznese të vogla. Artan Demhasaj, nga organizata joqeveritare "Çohu", ka deklaruar më herët se janë dhjetëra kompani, kryesisht që merren me veprimtari të ndërtimit të objekteve dhe infrastrukturës rrugore, që fillimisht janë krijuar para pak vjetësh dhe tashmë veprimtarinë e tyre e zhvillojnë me kapital milionësh. Sipas tij, krejt këto kompani kanë lidhje me partitë politike, të cilat edhe i financojnë fushatat e tyre për zgjedhje."Problemi është se ato kompani kanë marrë aq shumë tenderë dhe kanë krijuar kapital të madh dhe në parim tani është shumë problem të heqin monopolin e atyre kompanive, të cilat po përmbysin në një farë mënyre komplet procesin e tenderimit publik. Për shkak se hyjnë me çmime më të ulëta, kanë kapital më të madh dhe shkelin kompanitë e tjera, kurse edhe mjetet tashmë i kanë më të sofistikuara sesa kompanitë e tjera", ka thënë Demhasaj. Ai thotë se shumica e kompanive private janë krijuar në vitin 2008, ose kanë ndryshuar veprimtarinë e tyre, duke u përshtatur me punët e investimeve nga institucionet qeveritare.

Në buzë të falimentimit, ose në borxhe të mëdha

Eksperti i ekonomisë, Nehat Maxhuni, tha për "Kosova Sot" se jemi dëshmitarë të asaj se çdo ditë kemi aplikime për mbyllje të bizneseve në MTI, në numër të madh, si pasojë e monopolit të disa bizneseve të privilegjuara nga ana e pushtetarëve tanë, si dhe nga disa biznese të cilat në mënyrë direkte ose indirekte punojnë për këta njerëz të pushtetit."Një numër i konsiderueshëm i bizneseve kanë falimentuar dhe janë futur në borxhe të mëdha, të cilat edhe e kanë të pamundur aplikimin për mbyllje në MTI, pasi që nga ana e tyre kërkohen vërtetime që dëshmojnë se këto biznese nuk kanë obligime tatimore ose obligime ndaj palëve të tjera. Kur edhe ky numër u shtohet bizneseve të mbyllura zyrtarisht nga ana e MTI-së, kuptojmë gjendjen e mjerueshme të bizneseve në Kosovë dhe numri i bizneseve të mbyllura e tejkalon trefishin e shifrës zyrtare të bizneseve të mbyllura zyrtarisht në MTI", theksoi ai. Analisti Maxhuni thotë se e gjithë kjo është si pasojë e aplikimit të politikave të gabuara të pushtetarëve, të cilët për interesa klanore, partiake dhe më së shumti personale, nuk ofruan kushte edhe pas 17 vjetësh për biznese, për një treg të lirë, konkurrencë të lirë dhe pa favore."Si pasojë e gjithë kësaj, sot jemi vendi më i varfër dhe me numër të papunësisë kaq të lartë", u shpreh ai.

Tallja e Thaçit me papunësinë

Analisti Maxhuni tha se mbrëmë në RTK, në një emision, ishte mysafir presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se 200 mijë vendet e punës që i ka premtuar gjatë fushatës do t'i realizonte po qe se do të ishte kryeministër, por nga kjo pozitë që është tani nuk kishte mundësi."Kur e dëgjon një deklaratë të tillë, që vjen nga kryetari i shtetit, kjo më së miri të lë të kuptosh kush jemi dhe në çfarë gjendje do të jemi përderisa i japim vetit luksin që një analfabet, një injorant dhe një debil, i cili bën shaka me këtë popull të mjerë, e kemi në krye të vendit dhe i cili deri dje ishte kryeministër ", tha ai.

Maxhuni thotë se Evropa edhe shumë vjet nuk do të japë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, sepse të paktë do të jenë ata që do të qëndrojnë në këtë vend me një ekonomi të shkatërruar. "Pas këtyre të gjithave, parashtrohet pyetja: Cili investitor do të vijë në Kosovë për të investuar? Edhe atë që do të vjen dhe ka për qëllim të investojë në Kosovë, klani "Pronto" dhe klanet e tjera do ta pengojnë dhe do të pendohet pse ka ardhur në Kosovë", u shpreh në fund ai

(Kosova Sot)