Masakra në Vlorë, familjarët e viktimave kërcënojnë me jetë prokurorin

  • 22 October 2016 - 09:05
Masakra në Vlorë, familjarët e viktimave kërcënojnë me jetë prokurorin


Prokurori i Apelit në Vlorë Pelivan Malaj është ndjerë i kërcënuar nga familjarët e viktimave të masakrës së katërfishtë ndodhur në prill të 2015 në Vlorë, ku mbetën të vrarë Akil Hasanaj, Ardi Velaj, Albi Limaj dhe Xhuliano Lutaj.
Shkak i kësaj situate është bërë pretenca e tij dhënë në gjykatën e Apelit për tre autorët e kësaj masakre si Ani Begaj, Bertil Alliaj dhe Aleksandër Llanaj.Për këtë të fundit prokuroria ka kërkuar dënimin e tij me burgim të përjetshëm si një nga autorët e masakrës, por për shkak se Llanaj ka hyrë në gjykim me procedurë të përshpejtuar në gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë dënimi i tij me burg përtjetë rrëzohet dhe automatikisht dënimi përfundimtar ndaj tij shkon në 35 vite burg.
 
Një masë të tillë dënimi e ka dhënë dhe gjykata e Shkallës së Parë, por në vendimin e saj, gjykata ka caktuar një burg të sigurisë së zakonshme që Aleksandër Llanaj të vuante dënimin. Mirëpo kjo masë dënimi është interpretuar dhe kuptuar nga familjarët e viktimave si një kërkesë e prokurorit Malaj për uljen e dënimit të autorit të krimit, nga burg përjetë në 35 vite burg. Për pasojë në adresë të prokurorit kanë ardhur kërcënime dhe fyerje prej familjarëve.
 
Gabimi i gjykatës
 
Pavarësisht keqkuptimit të familjarëve dhe deklarimit të tyre në media se prokuroria ka kërkuar uljen e dënimit për Aleksandër Llanajt, prokurori Malaj thotë se nuk ka kërkuar ulje dënimi, por ka kërkuar të njëjtin dënim si Gjykata e Shkallës së Parë, madje ka kërkuar që personat ta vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.
 
“Gjykata ka gabuar në përcaktimin e vendit të vuajtjes së dënimit kur është shprehur në dispozitiv se ai duhet të jetë burg i rëndësisë së zakonshme. Rrezikshmëria e veprave të kryera nga ana e të pandehurve si dhe e vetë autorëve janë të larta dhe për rrjedhojë edhe vendi i vuajtjes së dënimt duhet të jetë i sugurisë së lartë”-thuhet në pretencën e prokurorit Malaj.
 
Prokurori i Apelit ka shkruar në konkluzionin e tij përfundimtar, se gjykimi i shkurtuar është pranuar që në Gjykatën e Shkallës së Parë, por sipas tij nuk është saktësuar, që dënimi me burgim të përjetshëm zëvendësohet me 35 vjet burgim, dhe nuk ulet me 1/3 siç shprehet në vendimin e Gjykatës.
 
“Nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë është pranuar gjykimi i shkurtuar, që sipas përcaktimeve që bëhen në nenin 406 të Kodit të Procedurës Penale, detyron gjykatën që të ulë një të tretën e dënimit të dhënë me burgim dhe gjobë si dhe automatikisht dënimin me burgim të përjetshëm e këthen në 35 vjet burgim.Gjykata në caktimin e dënimit të mbajë parasysh zbatimin e nenit 406 të K.Pr.Penale, duke korigjuar gabimin që është bërë në dispozitivin e vendimit, duke u shprehur për dënimin përfundimtar të këtij të pandehuri, pas aplikimit të nenit 406, me 35(tridhjetë e pesë vjet) burgim”, shkruhet në pretencën e prokurorit Malaj.
 
"Kërkova dënimin e shkallës së parë"
 
Sipas prokurorit, gjyqtarët e Shkallës së Parë duhet ta kishin shprehur në vendim, që burgimi i përjetshëm bëhet 35 vjet, në gjykimin e shkurtuar, që të mos lindnin keqkuptime me familjarët e viktimave.
 
“Familjarët e viktimave duhet të ishin sqaruar për pasojat që sjell gjykimi i shkurtuar. Ata e kanë shprehur vendimin nëpër rreshta. Dhe tani duket sikur jam unë që po kërkoj 35 vjet burg, ndërkohë që kaq i ka vendosur Gjykata e Shkallës së Parë”-tha Malaj. Ky i fundit në konkluzionin e tij, para dhënies së dënimit nga Gjykata e Apelit, ka kërkuar që Aleksandër Llanaj të deklarohet fajtor edhe për vrasjen e tretë, pra të Albi Limaj. 

(Kosova Sot)