Bjerrin kohën në varfëri

  • 22 October 2016 - 17:24
Bjerrin kohën në varfëri

Fajësojnë qeveritë që nuk u përkujdesën për një jetë më të dinjitetshme

Kishin dalë për të ndërruar pak fjalë ndërmjet veti. Koha nuk po u kalonte në shtëpi, por edhe për shëtitje dhe përmbushje të nevojave nuk po u dalin paratë. Janë këta tre pensionistët kontribuues, të cilët po adresonin kritika nga më të ndryshmet për qeveritarët, të cilët, sipas tyre, po i përbuzin kontributin e tyre në pleqëri. Ata tashmë ankoheshin nga disa sëmundje, e pensioni për të cilin punuan shumë vite nuk po u dilte as për barna. Theksonin se po mos të ishte familja sigurisht se do të kalonin vitet e pleqërisë edhe më keq, duke mos pasur mundësi as për t'i trajtuar sëmundjet. Thanë se kanë mbetur në mëshirë të fatit dhe askush nuk po merret me fatin e tyre. Bile, sipas tyre, edhe me kategorizimin e pensioneve nuk janë të kënaqur. Shprehen se as aty nuk u vlerësuan as puna e as profesioni i tyre sa duhet, shkruan gazeta Kosova Sot.

Njëri nga këta pensionist është Qërim Berisha nga Prishtina. Si pensionist kontribues dhe ish-punëtor theksoi për gazetën se me pensionin që marrin nuk kanë mundësi as të plotësojnë nevojat e tyre."Nuk jemi të kënaqur, dalim gjithë ditën, rrimë në ulëse këtu në shesh, në mbrëmje, dhe familjarët na ushqejnë me paratë e tyre, sepse pensioni është prej 158 eurosh dhe nuk u del as për barna", shprehet. Ky pensionist për 40 vjet kishte punuar në ndërmarrjen shoqërore "Zhito Promet". Berisha ka shpjeguar më tej se është edhe i operuar dhe vuan edhe nga sëmundje të pleqërisë dhe paratë nuk i dalin as për trajtimin e sëmundjes."I jam nënshtruar një operacioni abdominal, shuma e pensionit nuk na del as për barna", ka theksuar ai, duke pohuar se e gjithë përgjegjësia për gjendjen e rendë ekonomike dhe sociale të pensionistëve duhet ta mbajnë ata të cilët janë kompetentë."Por, ata të cilët duhet të mbajnë përgjegjësi kanë probleme me vetveten, se si t'i shpenzojnë paratë në dreka e darka, shëtitje etj.", është shprehur ai. 

Tahiri: Pushtetarët nuk po interesohen fare për hallet e pensionistëve

Në anën tjetër, edhe pensionisti tjetër, Bejtullah Tahiri, nga Llapi, është shprehur tejet i mllefosur me pushtetarët, të cilët theksoi se nuk po interesohen fare për gjendjen e rëndë të pensionisteve."Po të mos kishim të ardhura të tjera, do të vdisnim urie, nuk do të na dilnin për barna dhe për nevoja tjera", u shpreh ky pensionist, duke u ndier i nënçmuar dhe i përbuzur nga qeveritë e deritanishme, e veçanërisht nga kjo e fundit. "Jam ish-punëtor i arsimit. Kemi nxjerrë kuadro dhe kemi shkolluar gjeneratë pas gjenerate dhe tani në pleqëri jemi duke u ballafaquar me probleme të shumta. Kur po shkojmë të dëshmojmë se jemi gjallë po na kërkojnë certifikata të kurorëzimit. Kjo për mua është një nënvlerësim, sepse me të moshuarit duhet të jenë më të kujdesshëm në hartimin e rregulloreve dhe ligjeve për ne", ka thënë ai, duke pohuar se do të reagonin disa herë edhe përmes protestave, por se shëndeti i lig tash nuk ua mundëson që ata të jenë më të zëshëm. 

Popova: Pensionet që i marrim janë mizore

Ndërkohë, edhe pensionisti tjetër si dhe ish-punëtori i arsimit dhe i administratës, Nexhmi Popova, ka shprehur pakënaqësinë e tij në lidhje me trajtimin që po u bëhet pensionistëve. Ankesa e tij më e shprehur ka qenë ajo rreth kategorizimit."Kategorizimi që është bërë tani është më e keqja që na ka ndodhur", theksoi Popova, duke vlerësuar se pensionet që gëzojnë janë mizore."Po të mos ishin familjet atë të cilët do të na mbanin ne do të ishim edhe më keq sesa që jemi tash", u shpreh ai, duke shpresuar në ditë më të mira në të ardhmen. Përndryshe, edhe disa pensionistë të tjerë janë ankuar për hallet e njëjta. Mbi të gjitha këta pensionistë presin që në të ardhmen të mos e kenë fatin e njëjtë edhe pensionistët e ardhshëm, përndryshe kanë vlerë- suar se deri më tani kanë pasur vetëm premtime elektorale dhe jo që është punuar diçka e mirë në dobi të pensionistëve. Thanë se nuk u ka mbetur tjetër vetëm t'ia qajnë hallin njëri-tjetrit, sepse që nga paslufta nuk ka munguar zëri i tyre, por që asnjëherë nuk janë marrë parasysh kërkesat e tyre të nevojshme.

(Kosova Sot)