Gjakova do të ketë më pak bukë

  • 22 October 2016 - 18:33
Gjakova do të ketë më pak bukë

BUJQIT GJAKOVARË HEZITOJNË ME MBJELLJEN E KULTURËS KRYESORE LAVËRTARE, GRURIT

Gjatë kësaj vjeshte do të mbillen jo më shumë se 4.300 hektarë

Ndryshe nga situata që ka qenë vite më parë, kur në komunën e Gjakovës zakonisht janë mbjellë rreth 5 mijë hektarë me grurë, sipas ekspertëve, sivjet kjo sipërfaqe do të jetë dukshëm më e vogël 

Vazhdimisht është potencuar se rritja e nivelit të sigurimit "të bukës" nga arat tona është me rëndësi të posaçme, pos të tjerash, edhe për forcimin e pavarësisë së Kosovës. Kjo nënkupton ngritjen e nivelit të suksesit të kultivimit të grurit nga ana e fermerëve tanë, si dhe rritja e rendimentit, por duke mos e harruar edhe shtimin e sipërfaqeve me grurë. Shih për këtë, njëra ndër fazat më të rëndësishme të punëve në bujqësi gjatë vitit, konsiderohet fushata e mbjelljeve vjeshtore, kur, pos të tjerash, mbillet edhe gruri. Mirëpo, sa i përket komunës së Gjakovës, si qëndron situata aktualisht, duket se këto parashikime do të bien në ujë, pasi është paralajmëruar se sipërfaqja që do të mbillet me grurë gjatë kësaj vjeshte në këtë komunë, do të jetë më e vogël se që ishte në të gjitha vitet e pasluftës, shkruan gazeta Kosova Sot.

Kur një kilogram grurë shitet për 9 centë

Jo aq moti, vetëm para 3-4 vjetësh, në komunën e Gjakovës me grurë mbilleshin diku 5 mijë hektarë apo edhe pak më shumë. Asokohe fermerët gjakovarë ishin shumë të kënaqur me leverdinë e kultivimit të kësaj kulture lavërtare, dhe atë për shkak të subvencioneve që merrnin nga Ministria e Bujqësisë, por edhe për shkak të çmimit të volitshëm të grurit në treg. Por, tash, gjërat kanë ndryshuar shumë. Nga viti në vit kanë filluar të bien sipërfaqet e mbjella me këtë kulturë. Kështu, vitin e kaluar, në komunën e Gjakovës me grurë ishin mbjellë 4.550 hektarë, ndërsa, sipas parashikimit të ekspertëve kjo rënie do të vazhdojë edhe sivjet, bile në mënyrë edhe më drastike, pasi pritet që me grurë gjatë kësaj vjeshte të mos mbillen më shumë se 4.200-4.300 hektarë Pra, sivjet Gjakova do të ketë më pak bukë. "Pati filluar të krijohet përshtypja se kultivimi i grurit tek ne po shndërrohet në një biznes të leverdishëm, fitimprurës. Mirëpo, kjo nuk zgjati shumë, pasi më duket se sërish po kthehemi në ato vite kur kultivimi i grurit bëhej nga zori e jo nga leverdia. Në njërën anë farërat dhe preparatet mbrojtëse shumë të shtrenjta e në anën tjetër çmimi i pa garantuar dhe shumë i ulët i grurit, kanë ndikuar që shumë bujq të komunës sonë të heqin dorë nga qëllimi për kultivimin grurit", ka thënë njëri prej kultivuesve më të dalluar të grurit në Gjakovë, Hysen Karakushi. Jo vetëm Hyseni, por edhe shumë fermerë të tjerë nga kjo komunë, ankesat më të mëdha i kanë në çmimin shumë të ulët grumbullues të grurit, për të cilin thonë se sivjet kanë qenë të detyruar ta shesin edhe me nga 9 centë për kilogram.

Vjet 500 hektarë ishin shkatërruar nga barojat e këqija

Fermerët gjakovarë që merren me kultivimin e grurit, vjet kanë pasur edhe një handikap të madh. Nga 4.550 hektarët e mbjella me grurë, në fazën e formimit të kokrrës së grurit, më shumë se 500 hektarë ishin dëmtuar nga barojat e këqija, siç është thekra e egër, kështu që në ato sipërfaqe as që janë futur kombajnat. "Nga pakujdesi, apo mbase edhe për shkak të çmimeve të preparateve mbrojtëse, fermerët nuk e kishin bërë me kohë spërkatjen e grunajave dhe kjo u pati kushtuar shumë, me shkatërrimin e mbi 500 hektarëve me grurë", shpjegon eksperti i bujqë- sisë, Agron Zorra. Edhe kjo e dhënë është njëra ndër arsyet pse sivjet sipërfaqet me grurë në komunën e Gjakovës do të jenë më të vogla, sepse, siç thotë Zorra, pronarët e atyre arave që vjet ishin shkatërruar nga barojat e këqija, sivjet po hezitojnë të mbjellin grurë në të njëjtat sipërfaqe, duke u frikuar se sërish do t'u dëmtohet fryti. Zaten moti që ka mbretërua gjatë tërë këtij muaji, kur ka pasur reshje të vazhdueshme të shiut, ka ndikuar që fushata e mbjelljeve vjeshtore në komunën e Gjakovës të fillojë me pak vonesë. Megjithatë, siç pohojnë në Drejtorinë komunale për Bujqësi, deri më tash kjo fushatë është kryer në rreth 25% të sipërfaqeve të parapara, por shiu i këtyre 2-3 ditëve të fundit, e ka ndërpre këtë fushatë, pasi është bërë e pamundur që bujqit të futën në ara me makineri. "Afati optimal për mbjelljen e grurit është deri në fund të këtij muaji, kështu që, nëse shirat vazhdojnë dhe ndërprerja e fushatës do të zgjatet, atëherë nuk do të jetë e mirë për bimën e grurit", vlerëson Agron Zorra.

(Kosova Sot)