Komuna e Gjilanit zhytet në kredi

  • 22 October 2016 - 19:05
Komuna e Gjilanit zhytet në kredi

ANAMORAVA NDIHET E ANASHKALUAR NGA QEVERIA E KOSOVËS

Propozimi i opozitës për t`i kërkuar Qeverisë që ta marrë përsipër kredinë, nuk ka marrë votat e mjaftueshme, nga frika se mund të komplikohet procedura dhe të humbet afati për marrjen e kredisë

Austriakët e shpëtojnë Gjilanin nga ujërat e zeza

Gjilani nuk ka arritur ta zgjidhë me mjete të veta problemin e ujërave të zeza dhe kanalizimeve. Në këtë projekt ka dështuar edhe Qeveria e Kosovës. Rregullimin e shtratit të lumit Mirusha, e kishte marrë përsipër vetë ish-kryeministri Hashim Thaçi, por projekti ngeli në gjysmë. As pasardhësi i tij, Isa Mustafa, nuk e pati guximin ta vazhdojë Mirushën. Komuna e Gjilanit, më në fund vendosi të hyjë në borxh për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjen e kanalizimeve dhe ujërave të këqija. Kuvendarët e Gjilanit, në një seancë të jashtëzakonshme, kanë votuar që Komuna e Gjilanit, për këtë qëllim, të hyjë në kredi te qeveria austriake. Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, ka thënë se votimi për marrjen e një kredie të butë, në shumën rreth 13 milionë euro, nga qeveria austriake, është njëri nga vendimet më të rëndësishme të këtij Kuvendi Komunal. Ai shprehet optimist se në këtë fazë të projektit, që pritet të fillojë deri në fund të këtij muaji dhe do të bëhet sipas standardeve më të larta, do të rregullohen kanalizimet dhe shtretërit e lumenjve, ndërkaq në fazën e dytë, që po punohet të realizohet në bashkëpunim me KE, do të ndërtohet impianti, për t'i dhënë zgjidhje përfundimtare problemit të ujërave të zeza në Gjilan. Agim Zuzaku, drejtor për Zhvillim Ekonomik, thotë se kredia do të merret në përputhje me Ligjin për borxhet publike, që u lejon komunave të marrin kredi. Ai sqaron se kredia merret për një periudhë 15-vjeçare dhe do të fillojë të kthehet pas 6 vitesh e gjysmë, shkruan gazeta Kosova Sot.

Opozita kërkon që borxhi t'i lihet Qeverisë 

Subjektet politike, që përbëjnë koalicionin qeverisës, i kanë dhënë mbështetje kësaj nisme, që parimisht është përkrahur edhe nga opozita, por me kushtin që t`i kërkohet Qeverisë së Kosovës që ta marrë përsipër kredinë, gjë që nuk ka kaluar në Kuvend. Avdyl Aliu (LDK) ka thënë se Kuvendi ka votuar për projektin më të madh dhe më të rëndësishëm për Gjilanin, që është shumë i nevojshëm për qytetarët e kësaj komune. Mbështetje në emër të grupit, këtij projekti i dha edhe Selami Xhemajli (AAK). Edhe Sahit Abazi (PDK) tha se jemi për miratimin e projektit, por vërejtja e tij ishte se kredia po u mbetet qytetarëve të Gjilanit që ta shlyejnë dhe jo MEF-it, siç është thënë më herët. Nevzat Isufi (VV) tha se është i kënaqur që pjesë e këtij projekti do të jetë edhe lumi Stanishorka, duke uruar që rregullimi i shtratit të saj të mos zgjasë sa Mirusha, apo aq sa është afati për kthimin e kredisë. Ndërkohë, PDKja u shpreh e revoltuar që propozimi i saj për financimin e projektit nga Qeveria e Kosovës, u votua kundër nga këshilltarët e LDK-së. Përndryshe, ata kanë thënë se e përkrahin këtë projekt, por ishin kundër futjes së Komunës në borxhe. Isa Agushi (LDK) ka thënë se kredia po merret për të zgjidhur një problem madhor, jo për dreka e darka. Bajram Hasani, këshilltar i pavarur, tha se edhe borxhet e kaluara janë investuar diku. Sipas tij, më e mira do të ishte sikur të sigurohej një donacion për këtë projekt dhe jo të hyjmë në borxhe. 

Frikësohen ta fusin Komunën në borxhe 

Riad Rashiti (PDK) ka shprehur dyshime nëse kredia do të lejohet nga austriakët, duke përmendur problemin në "Ecohigjienë", ku partner është një kompani austriake, por edhe nëse ndodh, Komuna duhet të kërkojë nga qeveria që ta marrë këtë obligim, ka thënë ai. Ismet Hajdini (AKR) ka kërkuar të mos politizohen investimet. "Ne jemi këtu për të zgjidhur problemet e qytetarëve dhe jo për t`i politizuar projektet", ka thënë ai, duke shtuar se nuk ka nevojë të brengosemi për borxhin, sepse, siç ka thënë ai, sot nuk ka shtet në BE që nuk është në kredi. Edhe Fehmi Sylejmani (VV), i cili ka thënë se zgjidhja e problemeve me kredi nuk është për mburrje, është pajtuar me propozimin që kredia t`i lihet Qeverisë. Arben Maliqi (LDK) e ka cilësuar projekt gjigant trajtimin e ujërave të zeza dhe ka kërkuar që këshilltarët komunalë të jenë bashkë, ndërkohë që Nevzad Rushiti (LDK) i ka rikujtuar ata se kredi për rregullimin e infrastrukturës kanë marrë edhe Prishtina, Peja, Gjakova dhe të tjera dhe se Gjilani nuk është komuna e parë që merr hua. Kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi thotë se sipas marrëveshjes më qeverinë austriake, qeveria e Kosovës obligohet të garantojë pagesën e kredisë. Propozimi i opozitës për t`i kërkuar qeverisë që ta merr përsipër kredinë, nuk ka marrë votat e mjaftueshme, nga frika se mund të komplikohet procedura dhe të humbet afati për marrjen e kredisë. Opozita ka thënë se Gjilani është anashkaluar në investimet kapitale nga të gjitha qeveritë e deritashme. 

(Kosova Sot)