Basha në Kurbin, shtrin dorën e bashkëpunimit për çdo forcë politike

  • 23 October 2016 - 13:00
Basha në Kurbin, shtrin dorën e bashkëpunimit për çdo forcë politike

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u ndal sot në Kurbin, nga ku hapi “dyert”  e bashkëpunimit për çdo forcë politike në aleancë kundër krimit dhe drogës. Gjatë takimit me drejtues të strukturave të PD-së, Basha tha se droga nuk mund dhe nuk do të jetë alternativë për shqiptarët.

“E dimë që droga nuk është zgjedhja e shqiptarëve, nuk është zgjedhja e burrave dhe grave të ndershëm, është alternativa e vetme, mundësia e vetme që iu dha Edi Rama. Një mundësi që i skllavëron ata ndërkohë që pasuron vetëm një grusht njerëzish. Është fondi që Edi Rama ka bërë gati për veten e tij për të kapur, blerë, prishur zgjedhjet e radhë. Dhe për këdo tjetër është mallkim, është skllavërim, është ankth, është vrasje, është plagosje, varfërim. Nuk mund të kthehet në model trafikanti për fëmijët e shqiptarëve, nuk mund të lejojmë të kthehet në model. Nuk mund të lejojmë që në klasat e fëmijëve tanë të digjet hashash e të drogohen, e të helmohen siç ndodhi para një jave në Paskuqan apo në Fushë-Krujë. Ne nuk mund ta lejojmë kurrë dhe nuk do ta lejojmë kurrë. Për këtë na duhet një bashkim i madh. Shumica e shqiptarëve janë me ne. E izoluar dhe më e pakët se kurrë në numër është banda që kemi përballë”, tha ai.

Basha theksoi se PD-ja është e hapur për bashkëpunimin për t’i dhënë vendit atë që meriton, zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Kundër një qeverisje që është bërë njësh me mafien dhe një mafie që është bërë njësh me qeverisjen; Në një vend ku nuk dihet ku fillon qeveria e ku mbaron krimi, ku mbaron policia e ku fillon krimi; Në betejën për zgjedhje të lira e të ndershme, në betejën për të larguar njeriun që ka keqqeverisur në dimensionet më të zeza që ka njohur ndonjëherë Ballkani, Edi Rama dhe shpurën e tij; Ne jemi të gatshëm, të hapur për bashkëpunimin, për kontributin e gjithsekujt, për t’i dhënë vendit atë që meriton zgjedhje të lira dhe të ndershme, mundësinë për të ecur përpara përmes punës së ndershme dhe përfaqësimit me bijtë dhe bijat tuaja më të mira”, vijoi kreu i PD-së.

(Kosova Sot)