Manjani: Është koha të ndahemi nga kultivimi i hashashit

  • 23 October 2016 - 14:21
Manjani: Është koha të ndahemi nga kultivimi i hashashit

Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka reaguar edhe njëherë në lidhje me polemikat që ndezi deklarata e tij për ndërhyrjen e ushtrisë për kanabisin. Duke theksuar sërish se situata e drogës në Shqipëri është kthyer në një emergjencë, Manjani shprehet se është koha të ndahemi njëherë e mirë nga kultivimi i kanabisit.

Me anë të një postimi në profilin e tij në “Facebook”, ministri i Drejtësisë thotë se çështjet serioze kërkojnë reagime serioze. Sipas tij çdo vonesë është në disfavor të shtetit dhe shoqërisë shqiptare.

“Më vonë do jetë vonë sepse trafikantët do kenë “modernizuar” infrastrukturën; do kenë blerë politikën dhe do kenë ne dorë ligjin! Rinia e sotme nuk mund të rritet me trupin që i merr formën e karriges dhe me mendjen e trullosur nga tymi “dehës” i hashashit! E ardhmja jonë është më serioze sesa kaq!”, shkruan Manjani.

Postimi i plotë i ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, në “Facebook”:

“Nuk ka gjë më serioze sesa të shërbesh në një detyrë publike! Të shërbesh si ministër është edhe më serioze! Kështu që diskutimi mbi seriozitetin e të qenit serioz është i pa vend.

E fundit gjë që kisha menduar dhe ende e mendoj është të bëj polemika publike me kolegët ministra. Qeveria është një institucion kushtetues i rëndësishëm që bazohet në ligjshmëri, kolegjialitet, përgjegjësi, solidaritet por edhe konfidencialitet!

Çështja e shkuljes së hashashit nga toka por edhe nga mendja jonë është sot më seriozja! As shoqëria, as ekonomia, as politika, as biznesi (rinia jo e e jo) nuk kanë hajër nga hashashi! Përhapja e këtij fenomeni është katastrofë për të gjithë ne! Prandaj e përsëris edhe njëherë atë që thashë të martën e shkuar: Nga ky fenomen duhet të ndahemi tani! Më vonë do jetë shumë vonë!

Tani është momenti për ti dhënë dërrmën kësaj të keqe që është ende në fazat e hershme të tij! Më vonë do jetë vonë sepse trafikantët do kenë “modernizuar” infrastrukturën; do kenë blerë politikën dhe do kenë ne dorë ligjin! Rinia e sotme nuk mund të rritet me trupin që i merr formën e karriges dhe me mendjen e trullosur nga tymi “dehës” i hashashit! E ardhmja jonë është më serioze sesa kaq!

Tani është momenti të shfarosim farën e hashashit sepse na duhet krahu i punës për ekonominë e ligjshme kombëtare! Ekonomia nuk zhvillohet dot nëse krahu i punës joshet të “dalë partizan” nga ekonomia rraskapitëse e hashashit!

Tani duhet të ndërhyjmë fort e me mend në kokë që të parandalojmë ngjarje kriminale që burojnë natyrshëm nga hashashizimi i shoqërisë! Duhet të ndalojmë farën e hashashit por edhe rekrutimin e “ushtarëve” që ruajnë parcelat e paligjshme dhe bosët e tyre që kërcënojnë sigurinë tonë publike!

Të gjithë duhet të jemi pro shfarosjes së kësaj të keqe, më e madhja që kemi sot midis nesh! Të gjithë pa dallim: policë, ushtarë, politikanë e zyrtarë të gjithë pa dallim!

Kjo nuk është batutë, por realitet shumë serioz! Çështjet serioze kërkojnë reagime serioze! Dhe serioziteti nuk përcaktohet nga cilësia e kolltukut që i ofron detyra publike!

Nuk janë ligjet pengesa! Nuk ka ligj që mbron kultivuesin e as trafikantin! Ashtu siç nuk ka drejtësi të besueshme që merret me përdoruesin egërsisht dhe me trafikantin “miqësisht”! Duhet ta ndreqim dhe ligjin, pa dyshim! Por ligji ndreqet shumë me mirë kur zbatohet mirë!

Nuk dua të hyj aspak në garën e propozimeve publike të projektligjeve, sepse unë nuk jam në garë me askënd për të bërë detyrën time! Por për kuriozitetin tuaj që në prill të këtij viti kam depozituar në qeveri projektin për ndryshime në Kodin Penal! Ky projekt është aty, në qeveri, në pritje për miratim!”.

(Kosova Sot)