Pavlopulos: Shkupi vjedh dhe falsifikon historinë

  • 23 October 2016 - 16:34
Pavlopulos: Shkupi vjedh dhe falsifikon historinë

Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopulos sërish u shfaq me deklarata provokative për Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, këtë herë nga Selaniku.

Pavlopulos foli për nevojën e mbrojtjes së identitetit grek të Maqedonisë dhe i dërgoi mesazh “përvetësuesve dhe falsifikuesve” të historisë nga Shkupi.

“Askush nuk ka të drejtë të kërkojë gjëra që nuk i takojnë. Nuk mundeni të shkruani ngjarje historike që asnjëherë nuk kanë ndodhur duke vjedhur historinë e njerëzve të tjerë. Ua zgjasim dorën e miqësisë fqinjëve tanë, por asnjëherë nuk do t’ua lejojmë të tjerëve atë që nuk u takon atyre”, tha Pavlopulos gjatë ceremonisë në të cilën u shpall qytetar nderi i Komunës së Deltës, njofton mkd.mk.

Ceremonia është pjesë e shënimit të 104 vjetorit të çlirimit të qytetit Halastra në vitin 1912, që I mundësoi armatës greke të hyjë në Selanik para ushtarëve bullgarë.

“Premtoj se do të bëj gjithçka që mundem për ta mbrojtur edhe integritetin territorial dhe identitetin grek të Maqedonisë sonë, në bazë të historisë dhe ligjeve ndërkombëtare dhe evropiane” tha Pavlopulos, transmeton Portalb.

Pak ditë më parë Pavlopulos dërgoi mesazh të ngjashëm nga Vodeni, prej ku gjithashtu i kritikoi politikanët e Maqedonisë për vjedhje të historisë.

 

(Kosova Sot)