11 fëmijët e ëndrrave të humbura

  • 23 October 2016 - 08:26
11 fëmijët e ëndrrave të humbura

TERSTENA: Përveç gjashtë fëmijëve të mi, kujdesem edhe për 5 fëmijët e vëllait, që kanë mbetur jetimë.

Ata jetojnë në një shtëpi plot errësirë e lagështirë, në fshatin Sllakoc të Gjilanit. Babai i tyre, Xhevdeti, duhet të ulë kokën para gjashtë fëmijëve të tij, me emra kaq domethënës, të gjithë të mitur, dy prej tyre binjakë, kur ata e pyesin pse nuk kanë një shtëpi më të mirë. Atyre u mungon drita, ngrohja, u mungon shpresa për të nesërmen,raporton Gazeta Kosova Sot

Lirigzoni, Liridoni, Driloni, Elmedini, Elmedina e Medina janë fëmijë si të tjerët, por fati i tyre është më ndryshe se i shumicës së moshatarëve të tyre. Mbi trupat e tyre shpeshherë pikon shiu e bora. Ata nuk kanë kompjuter, nuk kanë as telefona të mençur, sikurse fëmijët e tjerë. Lodrat e tyre janë prej balte e arnash. Ata jetojnë në një shtëpi plot errësirë e lagështirë, në fshatin Sllakoc të Gjilanit. Babai i tyre, Xhevdeti, duhet të ulë kokën para gjashtë fëmijëve të tij, me emra kaq domethënës, të gjithë të mitur, dy prej tyre binjakë, kur ata e pyesin pse nuk kanë një shtëpi më të mirë. Atyre u mungon drita, ngrohja, u mungon shpresa për të nesërmen. Fëmijët janë dhembja më e madhe e familjes Terstena. Ata nuk janë fajtorë për skamjen. As Xhevdeti nuk di se çka të bëjë. Me një ndihmë sociale nuk ndërtohet shtëpia, nuk mund të ndryshohet jeta. "Jemi të kënaqur kur paratë e ndihmës na mjaftojnë për bukë deri në fund të muajit", thotë Xhevdeti. 

Kujdeset edhe për jetimët e vëllait Familja e tij po i kalon këto ditë me shi, duke hequr ujë me legenë nga shtëpia, që nuk e mban as pikën. "Shtëpi e bërë me qerpiçë e tjegulla maxhupi më", thotë Xhevdeti, i cili shkon shpesh në Gjilan, për të kërkuar strehim, sepse është mërzitur duke derdhur legenët me shi, që bie brenda pa ndërprerë. "Ka ndodhur që brenda një nate t`i kem mbledhur e derdhur njëqind legenë me ujë shiu nga shtëpia. Në hall jam pasha Zotin, nuk po di çka të bëjë me fëmijët", ankohet Xhevdeti. Të gjithë shkojnë në shkollë, pos të madhit, Lirigzonit (16), të cilin e ka ndalur, sepse nuk ka pasur mundësi që t`ua paguajë udhëtimin deri në Gjilan dy fëmijëve të mëdhenj, atij dhe Liridonit. "Nuk kisha si me i nda 60 euro nga sociali, për të dytë". Si prind ndihet i kënaqur brenda një mjerimi të madh, që Lirigzonin, të paktën e shpëtoi nga vdekja. Ai ishte i sëmurë nga zemra dhe u desh të operohej. "E kanë mjekuar falas, se sa për mua kish vdekur në shtëpi. Jo që nuk më dhimbset, por nuk kam me çka", thotë babai. Varfëria e ka mbytur në të gjitha anët këtë familje. Çdo skutë e kësaj shtëpie të vogël, ku duhet ulur kokën që të futesh brenda, sepse të zë në tavan, është mbuluar nga skamja. Brenda saj jetojnë Lirigzoni (16), Liridoni (15), Driloni(11), Medina (8), Elmedini (5) dhe Elmedina (5), binjakë, bashkë me prindërit e tyre. Xhevdeti kujdeset edhe për 5 jetimët e vëllait dhe gruan e tij, pasi Selverin e ka mbytur rryma para disa vitesh. "Krejt në një shtëpi rrimë". Nëse këtë familje, prush me fëmijë, të mitur e jetimë mes tyre, nuk e mëshiron dikush, e vetme nuk do të mund të bëjë kurrë një shtëpi. Ata kanë dëgjuar për njerëzit e vullnetit të mirë, sidomos për mërgimtarët, që po bëjnë shtëpi për nevojtarë gjithandej. Luten që ndonjëri prej tyre, t`i kthej sytë edhe nga këta fëmijë

Lutet të mos bjerë shi Hazir Mustafa nga Komisioni për strehimin e familjeve me probleme banimi, thotë se Xhevdet Terstena është në listën e familjeve, që kanë nevojë për ndërtimin e shtëpive. Deri tani, nga fondi solidaritet, që kryetari i Komunës e ka krijuar për këtë qëllim, janë ndërtuar 38 shtëpi të reja, kurse një numër tjetër po rinovohen. Shtëpia e Terstenës nuk është për t`u rinovuar, sepse nuk ke çka meremeton në një shtëpi të vogël, të ultë, të bërë nga balta dhe tjegullat e vjetra. Mustafa shpreson se do të lajmërohet ndonjë donator edhe për familjen Terstena. Deri atëherë, kjo familje duhet të përballet me këtë gjendje. Lutet të mos bjerë shi aq shumë, sepse çatia nuk e mban pikën. E, pika e shiut thyen edhe gurin dhe dalëngadalë po thyen edhe zemrat e këtyre fëmijëve të vegjël. "Dhembje më të madhe për një prind se vuajtjet e fëmijëve, nuk paska", thotë Xhevdeti. Edhe në fshatin Sllakoc janë ndërtuar dy shtëpi të reja për familjet Imeri dhe Mumqilla. Terstena është një familje tjetër e këtushme që ka nevojë për strehë mbi kokë. Edhe fëmijët e tij shpresojnë të gëzohen një ditë sikur moshatarët e tyre të lagjes. Sa shumë u lakmojnë atyre kur, pas lojës, futen nëpër shtëpitë e reja, kurse këta duhet ta ulin kokën e të kthehen në shtëpinë e vjetër, të lagësht, të errët. Sllakoci është një fshat i vogël dhe i varfër në komunën e Gjilanit, ku shiu po vazhdon të bjerë edhe këto ditë vjeshte. 

 

(Kosova Sot)