Mega-donatorët i japin mbi 1 miliard dollarë Hillary Clinton-it

  • 24 October 2016 - 18:58
Mega-donatorët i japin mbi 1 miliard dollarë Hillary Clinton-it

FINANCIMI I KAMPANJAVE PRESIDENCIALE NË SHBA

Sussman ka thënë që prioriteti i tij është që të hiqet sistemi i ofrimit të parave të mëdha në politikë

Ndonëse ende nuk e kishte shpallur kandidaturën e saj për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, Hillary Clinton kishte filluar të shqetësohej për paratë. "A mund të diskutojmë për planet e grumbullimit të parave për çerekun e parë të kampanjës?", u kishte shkruar ndihmësja e saj, Huma Abedin, zyrtarëve të lartë të kampanjës në mars të vitit 2015, duke u treguar që Clinton ishte e shqetësuar. "A mund të jetë problem fakti që po fillojmë herët?", e kishte pyetur menaxheri i kampanjës, Robby Mook. "JEB BUSH", i ishte përgjigjur Abedin, transmeton gazeta Kosova Sot.

Grumbullimi i parave shtatëshifrore

Në atë kohë, donatorët e ish-guvernatorit të Floridës po jepnin miliona dollarë, duke shtyrë limitet e rregullave të financimit të kampanjës. E, në bazë të e-maileve të hakuara të Clinton-it, që janë publikuar nga 'WikiLeaks', ka qenë grumbullimi i parave shtatëshifrore ai që kishte nxitur këtë diskutim mes Clinton-it dhe anë- tarëve të stafit të saj. Megjithatë, ishsekretarja e Shtetit kishte armën e vet financiare: një rrjet të mbështetësve politikë, që, ajo dhe bashkëshorti i saj, ish-presidenti Bill Clinton, e kishin kultivuar gjatë 40 vjetëve. E vendosur që të mos mbetet prapa në garën për mbledhjen e fondeve, Hillary Clinton kishte filluar të merrej me donatorët e saj të pasur, duke shpërfillur kufizimet që presidenti Obama ia kishte vënë ekipit të tij të grumbullimit të fondeve. Si rrjedhojë, anëtarët e stafit të saj kishin filluar punën për mbledhjen e fondeve, duke përfituar edhe nga liria e veprimit që kampanjat duhet të bashkëpunojnë legalisht me grupet e grumbullimit të fondeve. Përpjekjet i ishin shpaguar. Bashkë me partinë dhe komitetet politike, që ishin në favor të saj, e nominuara e Partisë Demokratike ia kishte dalë t'i grumbullonte 1.14 miliard dollarë për ta mbështetur kampanjën e saj deri në fund të shtatorit. Donald Trump, në anën tjetër, që e ka fituar nominimin e Partisë Republikane, nuk kishte filluar të merrej me grumbullimin e fondeve deri në maj dhe ia kishte dalë të grumbullonte 712 milionë dollarë, përfshirë këtu 56 milionë dollarë para të veta. 

Të pasurit ndihmojnë kandidaten demokrate

Për dallim nga Obama, Clinton kishte bashkëpunuar me komitetet e pavarura politike qysh prej fillimit të garës, gjë që i kishte ndihmuar të mblidhte çeqe të mëdha nga donatorët e ndryshëm, duke bërë që të grumbullonte më shumë fonde sesa presidenti aktual. Një analizë e bërë nga 'Washington Post' tregon që më shumë se një e pesta e 1 miliard dollarëve të grumbulluar nga kampanja e saj kanë ardhur nga vetëm 100 individë të pasur - një pjesë e madhe e tyre me histori të gjatë të dhënies së kontributit të tyre për Clinton-ët. Pjesë e analizës kanë qenë kontributet në kampanjat e saj, komitetet e përbashkëta për grumbullimin e fondeve, komitetet e organizuara në konventa dhe komitetet e pavarura politike. Pesë kontributdhënësit më të mëdhenj kanë dhënë nga 1 dollar për çdo 17 dollarë të mbledhur për kandidaturën e saj për zgjedhjet presidenciale dhe këta pesë janë: menaxheri i fondeve S. Donald Sussman (20.6 milionë dollarë), kapitalisti nga Çikago J.B. Pritzker dhe bashkëshortja e tij, M.K. (16.7 milionë dollarë), kryetari i 'Univision', Haim Saban dhe bashkëshortja e tij, Cheryl (11.9 milionë dollarë), titani i fondeve, George Soros (9.9 milionë dollarë) dhe themeluesi i 'SlimFast', S. Daniel Abraham (9.7 milionë dollarë).

Heqja e limiteve

Që prej vendosjes së rregullave moderne për financimin e kampanjave në vitet e shtatëdhjeta, pas skandalit 'Watergate', asnjë president nuk është zgjedhur me ndihmën e kontributdhënësve të pasur, që kanë dhënë shuma kaq të mëdha. Gjërat kanë ndryshuar në vitin 2010 me ardhjen e komiteteve të pavarura politike, që mund të pranojnë shuma të palimituara nga individët dhe korporatat. "Do të preferoja që limitet të ishin më të vogla, mirëpo të tilla janë", ka thënë Abraham-i 92-vjeçar në një intervistë. Ai dhe bashkëshortja e tij kanë bërë 26 kontribute për kampanjat e Clinton- ëve në periudhën 1994-2008, që bashkërisht mbërrijnë në shifrën e 461,000 dollarëve. Këtë vit, ai ka dhënë afro 21 herë më shumë se kjo shumë. Sussman, mbështetësi më i madh i Clinton-it, ka thënë që prioriteti i tij është që të hiqet sistemi i ofrimit të parave të mëdha në politikë. "Është më të vërtetë kontroverse të japësh miliona për politikë, kur për qëllim ke heqjen e parave nga politika", ka thënë Sussman. "Jam një mbështetës i madh i kampanjave të financuara në mënyrë publike dhe mendoj që mënyra e vetme për ta përmirësuar këtë gjë është duke zgjedhur dikë si puna e sekretares Clinton, që është e përkushtuar në pastrimin e rrë- mujës që është krijuar". 

(Kosova Sot)