Kërkon të drejtën për të vdekur në qetësi, në rast se i rikthehet sëmundja

  • 24 October 2016 - 19:32
Kërkon të drejtën për të vdekur në qetësi, në rast se i rikthehet sëmundja

PACIENTJA QË MPOSHTI KANCERIN

"Personat e prekur nga sëmundjet terminale duhet ta kenë të drejtën që të vendosin se çka duan të bëjnë me jetën e tyre", ka thënë Sara

Sara Cutting qesh me ironinë e grumbullimit të 18,000 funteve për t'iu ndihmuar pacientëve të kancerit që të jetojnë dhe në të njëjtën kohë bën kampanjë për të drejtën për të vdekur. Gruaja, e cila mundohet që ta shijojë deri në maksimum jetën e saj duke veshur kostume të çuditshme, arrin të kënaqet. Drejtoresha e një kompanie, Sara, 48-vjeçare, i ka mbijetuar një forme të rrallë të kancerit të gjirit, megjithatë ka thënë që dëshiron ta ketë të drejtën që t'ia merr jetën vetes në shtëpinë e saj në Britani, në rast se kanceri i rikthehet. Pra, ajo është e përgatitur që t'i drejtohet klinikës në Zvicër e të mos i kalojë javët e fundit të jetës së saj në agoni. Sara, nga Brajtoni i Anglisë, ka thënë: "Nëse kanceri kthehet, dua ta jetoj jetën time - një jetë të vërtetë - deri në ditën kur të vendos të vdes. Kur i kam bërë raundet e kimioterapisë kam qenë në një gjendje të tmerrshme dhe mendoja me vete 'A është ky momenti? A jam duke vdekur'. Nuk dua t'i kaloj ditët e fundit të jetës sime në atë mënyrë. Nuk dua që të udhëtoj deri në Zvicër dhe t'i rrezikoj familjarët e mi nga përndjekja ligjore për faktin që më kanë ndihmuar t'i marrë vetes jetën. Pse duhet që njerëzit të udhëtojnë mijëra kilometra nga shtëpia e tyre dhe të paguajnë shuma të mëdha parash vetëm për të vdekur? Personat e prekur nga sëmundjet terminale duhet ta kenë të drejtën që të vendosin se çka duan të bëjnë me jetën e tyre", transmeton gazeta Kosova Sot.

E njofton partnerin për zgjedhjen

Sara, që ka një thjeshtre 15-vjeçare, që quhet Pippa, veçse ka folur me partnerin e saj, Liam-in, 40-vjeçar, për zgjedhjen që e ka bërë në rast se kanceri i rikthehet. "Gjithmonë kam qenë mbështetëse e vdekjes me asistencë, edhe para se të preksha nga kanceri, andaj Liam-i e di se si ndihem për këtë çështje. Ai e di që opinionet e mia të fuqishme janë pjesë e personalitetit tim, pasi që shpeshherë kemi biseduar se si do të veproja në rast se do të prekesha nga ndonjë sëmundje terminale. Nuk kemi folur me Pippa-n ende sepse nuk është e nevojshme për momentin dhe shpresoj që të mos kemi nevojë fare. Megjithatë, ajo i ka parë postimet e mia në 'Instagram' për dinjitetin në vdekje, andaj nuk do të mund ta imagjinoja tronditjen që do ta pësonte". 

(Ksoova Sot)